DENONCIMI/ Kryeministri Edi Rama nxit dhunën ndaj mjekëve

DENONCIMI/ Kryeministri Edi Rama nxit dhunën ndaj mjekëve

126
0
Shares

Bluzat e bardha në Shqipëri, përballen çdo ditë me dhunë fizike dhe verbale, dhe për këtë shkak është bërë deklarata e kryeministrit Edi Rama, i cili ka theksuar se mjekët në Shqipëri janë të korruptuar.
Denoncimin e bën Partia Zgjidhja e drejtuar nga Koço Kokëdhima, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale duke dënuar dhuna ndaj mjekëve thekson se deklarata e kryeministrit po nxisin urrejtje kolektive ndaj njerëzve.

Deklarata e plotë e Zgjidhjes
Parmbrëmë, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, në Tiranë, arriti në urgjencë një pacient me aortë të çarë. Mjekët e reanimuan dhe shpejtuan ta fusin në sallë, por i sëmuri nuk jetoi, si pasojë e hemoragjisë. Duke sqaruar e ngushëlluar familjarët për sa ndodhi, dy mjekët dhe infermierja u përballën me pëllëmbët, grushtet dhe shkelmat e familjarëve të viktimës.
Kryeministri thotë se mjekët janë të gjithë të korruptuar dhe nxit urrejtjen kolektive të njerëzve ndaj tyre. Situata për mjekët është bërë e padurueshme, të gjithë mendojnë si të ikin një orë e më parë nga Shqipëria. Dhe faktikisht të gjithë mjekët e aftë po ikin. Si do të ketë mjekësi ky vend pa mjekë dhe infermierë të aftë?
ZGJIDHJA ka denoncuar disa herë situatën e rëndë të mjekësisë tonë të shpartalluar. Kryeministri po e varros mjekësinë publike duke i hequr të gjitha financimet nga buxheti i shtetit dhe duke ja kaluar ato koncesionarëve privatë. Në katër vitet e shkuara drejtorët e spitaleve u zhveshën nga çdo mbështetje e kompetencë. Edhe rojet dhe infermierët vendosen apo pushohen nga lart dhe vetëm nëse paguajnë nën dorë ose kontribuojnë me vota për pushtetin e Rilindjes.
Rama ka urdhëruar dhe ka bërë vetë sa e sa emërime skandaloze njerëzish të korruptuar e të paaftë në poste kyçe të sistemit të mjekësisë. Ai ju bën gjyqin publik, i denigron, fyen, poshtëron e çnderon kolektivisht, në bllok e publikisht të gjithë menaxherët e spitaleve. Nuk gjykohet asnjë personalisht, në bazë të performancës e nga institucionet kompetente. Jo! Gjykohet e poshtërohet mjeku si profesion, gjykohet e poshtërohet drejtuesi i spitalit si funksion!
Rama nuk e bën këtë për të përmirësuar shëndetësinë. Ai kërkon të mashtrojë e manipulojë opinionin publik dhe qytetarët e këtij vendi se, demek, nuk është përgjegjësi kryesor për dështimin e plotë të sistemit shëndetësor në Shqipëri. Rama i ka katandisur spitalet në ditën e tyre më të errët. I ka mbushur të gjithë me profanët e Rilindjes! Çdo mjek dhe punonjës i denjë i shëndetësisë publike ndihet i shitur, i prerë në besë dhe i tradhtuar nga ky kryeministër. Verbëria dhe papërgjegjshmëria e tij bën që mjekët, infermierët dhe specialistët e denjë të mjekësisë të jenë të pashpërblyer, të parespektuar, të pambrojtur dhe të rrezikuar më shumë se kurrë.
ZGJIDHJA e di se ka edhe mjekë e specialistë të cilët kanë marrë jetë njerëzish me inkompetencën apo papërgjegjshmërinë e tyre, siç ndodh që vdesin njerëz kudo në botën ku operon një mjekësi super e zhvilluar dhe kjo nuk do të thotë se, në çdo rast, fajtorë janë domosdoshmërisht mjekët! Spitalet tona janë të mjeruara, pa mjedise, medikamente, pajisje, teknologji, personel të aftë e sisteme menaxhimi, standarde, procedura e manuale rigoroze. Farmacitë, në shumicën e tyre, janë rrafsh me ilaçe të skaduara dhe me farmacistë e falsifikatorë që nuk duan tja dinë as për recetat e mjekëve dhe as për shëndetin e njerëzve. Shqipëria ka edhe shumë mjekë e specialistë të nderuar që me humanizëm e përkushtim të thellë, kanë shërbyer popullin tonë, pavarësisht kushteve ekstremisht të pafavorshme në të cilat punojnë. Rastet e këqija nuk e bëjnë një shoqëri të emancipuar të paragjykojë apriori mjekët, dhe aq më keq të justifikojë akte dhune, fyerjeje dhe linçimi të tyre. Mjekët nuk mund të konsiderohen kriminelë se kështu i intereson kryeministrit. Qeveria është përgjegjëse të ngrejë një mjekësi të shëndetshme e profesionale, pa mjekë e zyrtarë të paaftë dhe të papërgjegjshëm. Njerëzit e vëmendshëm e kuptojnë shumë mirë se dhunën, linçimin dhe mendësinë e vetëgjyqësisë së njerëzve ndaj mjekëve e nxit personalisht Edi Rama me strategjitë e tij diabolike për t’ia u hedhur dështimin e politikave të tij, mjekëve dhe drejtuesve të spitaleve.
Të gjithë e kanë të freskët rastin e fletërrufesë vulgare të kryeministrit ndaj shkencëtarit dhe profesorit shqiptar me famë botërore, doktor Petrelës. Pasi e bëri këtë përmes një denoncuesi anonim, Rama “i lau duart” kur tha se nuk ishte Ai autori, por njerëzit që pagoi për t’i përgatitur raportet! Njësoj si në rastet e panumërta kur ai u vë në qafë njerëzve që i targeton si objektiv, shpifësit e shumtë e të paskrupullt që i paguan me para ose me tendera, koncesione, fusha kanabisi, privilegje, vende pune, leje e licenca etj.
ZGJIDHJA i kërkon kryeministrit të marrë përgjegjësitë dhe të garantojë sigurinë, dinjitetin dhe integritetin e njerëzve në krye të detyrës në përgjithësi dhe të bluzave të bardha në veçanti.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY