STUDIMI/ Qeveri e vogël apo e madhe? Ja numri ministrave për çdo...

STUDIMI/ Qeveri e vogël apo e madhe? Ja numri ministrave për çdo kabinet në 27 vjet

110
0
Shares

Qeveri e vogël apo e madhe? Numri i ministrave idealë në totalin prej 10 kryeministrave dhe mbi 375 portofoleve ministrore? Shqipëria gjatë tranzicionit ka njohur disa modele kabinetesh qeveritare: me ministra, me ministra dhe sekretarë shteti, me ministra sektorialë dhe pa portofol apo me secilin prej tyre së bashku.
Çdo kryeministër ka premtuar se do të bëjë kabinet më të vogël, se do të shkurtojë shpenzimet administrative, por kurba e shpenzimeve ka rezultuar gjithnjë në rritje dhe se gjatë mandatit, numri i ministrave është rritur, sidomos në rastet e qeverive në koalicion të detyrueshëm. Tabela e ISP pasqyron numrin e ministrave prej 1990, mbi bazën e kryeministrave dhe viteve të dekretimit të tyre.
Bazuar në të dhënat e Institutit të Studimeve Politike referuar numrit të ministrave kabinetet Nano 2, Rama 2, Berisha 2 dhe Meksi 1 kanë pasur numrin më të vogël, përkatësisht 11-12-13 ministra, kurse numrin më të madh të ministrave e kanë pasur Nano 5, Çarçani, Bufi, Meta 2, Majko 2 dhe Rama 1, përkatësisht me 17 – 16 ministra.
Referuar numrit të anëtarëve të kabinetit qeveritar, përfshirë sekretarë, ministra shteti dhe kryetarë (në vitet e para post 90 pjesë e qeverisë ishte edhe Kryetari i KLSH, Kryetari i KSH, etj), rezulton se kabinetet më me numër minimal anëtarësh janë Rama 2 me 15 portofole dhe Berisha 1 dhe 2 me nga 16 portofole. Numrin më të lartë të portofolave gjatë tranzicionit e kanë pasur qeveritë e drejtuara nga kryeministrat Meksi 2 (26), Bufi (25), Meta 2 (23), Çarçani dhe Nano 3 me nga 22, si dhe Rama 1 me 21 ministra.
Eksperimenti me sekretarë shteti apo ministra pranë kryeministrit ka rezultuar efikas në disa raste, por në tërësi, nuk kemi një analizë institucionale për efikasitet të qëndrueshëm. Kjo është arsyeja që prej vitit 1999 kemi hequr dorë nga praktika e sekretarëve të shtetit. Pothuajse çdo qeveri prej 1997, përjashto qeverinë Berisha 1 të vitit 2005, ka pasur e ka ministra pranë kryeministrit apo ministra shteti për çështje të caktuara.
Ndryshimet e vazhdueshme të emërtimeve të ministrive, të strukturës së qeverisë, të rolit të ministrave të shtetit, ministrave sektorialë, sekretarëve etj, ka krijuar probleme në memorien institucionale dhe efikasitetin real të qeverisjes. Një numër aktesh zyrtare janë ribërë në varësi nga emërtimet e reja, një numër seli ministrore janë zhvendosur apo ndërtuar në funksion të ministrive të reja, dhe një numër institucionesh të varësisë kanë ndryshuar disa herë organet eprore ministrore.
Procesi i fundit i ri-strukturimit të qeverisë po ndodh tani dhe me siguri, nuk do të jetë hera e fundit. Mazhoranca aktuale, edhe gjatë mandatit të parë ka bërë ndryshime në emërtime ministrash dhe ministrish, bashkime e ndarje sektoriale midis tyre, – në secilin rast, pa një studim serioz profesional mbi problemet, pritshmëritë dhe rezultatet e eksperimentit.
Nga ana tjetër, prej vitit 2003 Shqipëria vijon të ketë një ligj organik mbi organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, elementë të së cilit nuk janë zbatuar realisht nga asnjëra qeveri, përfshirë edhe ajo e fundit midis PS, LSI dhe PD. Konceptet e përgjegjësisë kushtetuese të KM, vendimmarrjes kolektive, praktikës së vendimmarrjes, transparencës së detyrueshme publike, rolit të secilës ministri në procesin e hartimit dhe miratimit të ligjeve, etj, në tërësi janë shpërfillur, duke krijuar shpesh edhe dualizëm e kundërshti midis vetë ministrive dhe brenda të njëjtës qeveri në periudhën kohore të së njëjtit mandat ekzekutiv.
Së fundi, qeveria ka qenë institucioni më aktiv dhe më prezent në vendimmarrjet që lidhen me administrimin financiar e strukturor të shtetit prej 1990. Me mijëra akte zyrtare të tyre kanë pasur e kanë ndikim në jetën publike, në organizimin shoqëror, në vendimmarrjet, në biznesin privat dhe në marrëdhëniet midis qytetarëve e shtetit. Megjithatë, ende nuk ekziston një database funksionale dhe e aksesueshme ku qytetarët të mund të informohen për vendimet e marra nga secila qeveri, për bilancet financiare dhe ndikimin e qeverive, për aktet ligjore dhe administrative. Ky aspekt, mbetet një pikë kritike dhe një tregues domethënës mbi konceptin ende minimalist të zyrtarëve drejtues mbi etikën, shtetin dhe përgjegjësitë e tyre kushtetuese, ligjore dhe publike. Instituti i Studimeve Politike

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY