Kryeministri Edi Rama prezantoi sot qeverinë e re. Ai i besoi postin më të lartë në kabinet një femre. Bëhet fjalë për deputeten e PS në Shkodër, Senida Mesi, e cila do të jetë zëvendëskryeministre.
Por, kush është Senida Mesi, qytetarja shkodrane që pak vite më parë jo vetëm dilte hapur kundër Edi Ramës, por e revoltuar i shkruante se nuk donte ta shihte më.
Më poshtë keni letrën që Mesi i dërgoi Ramës tre vite më parë, pas një shpërthimi me tritol në pallatin e saj.
Letra
Ndihesh i sigurt të jetosh në Shqipëri? Unë jo! Mbas shpërthimit me tritol mbrëmë te komshiu i pallatit tim, ndjenjës së pështjelluar (frikë, pasiguri, trishtim) i bashkohet një thirrje për qeverinë: Stop fushatës PR për shou politik që keni ndërmarrë, mjaft me konferencat për shtyp, boll më duke dalë në TV! Nuk dua t’ju shoh si protagonistë televizorësh, as gazetash, nuk dua të dëgjoj më vendime që ky vend bëhet nëse investojmë në rindërtime, zyra pune, doganash etj., apo pjesëmarrje me ‘konkurs’ në Ekzekutiv, apo që keni hartuar plane afatmesme dhe afatgjata. Nuk dua të dëgjoj çdo nëpunës të administratës duke dhënë intervista dhe mbushur programacionin e TV kombëtare dhe lokale, që më shumë se neveri dhe inkompetencë më japin përshtypjen që po i paguajmë për spikerë të rëndomtë që shumica prej tyre nuk di aq shqipen mirë. Dua të ndiej dhe shoh përditë që Kryeministrit që i besova po bën punën, dua të shoh njerëz të qeshur, që nuk mendojnë çdo ditë të ikin nga ky vend, që nuk mendojnë çdo ditë çfarë do hanë darkë. Dua të shoh çdo krimbërës në burg, dua të shoh shkolla të reja dhe të sigurta, dua të shoh spitale që funksionojnë, dua të shoh rend dhe rregull, dhe jo thjesht njerëz që dalin në punë, rrinë në zyra dhe llafosin apo pinë kafe, por s’ia kanë idenë cila është përgjegjësia dhe përshkrimi i punës për të cilën marrin pagën. CityNews
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/