KOÇO KOKËDHIMA/ Në vend të letrës për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të...

KOÇO KOKËDHIMA/ Në vend të letrës për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së

193
0
Shares
Personalisht nuk pres asgjë të re nga ky takim i lartë politik, ashtu siç besoj se nuk e pret asnjë prej shqiptarëve, përjashtuar enturazhin e Edi Ramës, i cili do të shpërblehet me poste në qeverisje, drejtori, borde, me tendera dhe koncesione. Nuk kam pritur as nga mbledhjet e tjera të asamblesë apo të Kongresit, sepse nën drejtimin e Edi Ramës, forumet e partisë, debati dhe vendimmarrja kolegjiale kanë vdekur, mbledhjet e tyre janë formale, ndërsa vendimet i merr kryetari dhe rrethi i ngushtë i tij, pa pyetur për anëtarësinë e këtyre forumeve, pa le më për ata dhjetëra mijëra anëtarë dhe militantë të bazës.
Forumi i lartë i PS-së mblidhet plot dy muaj pas “fitores së Pirros” në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Zgjedhjet e 25 qershorit ishin zgjedhje si ato të 26 majit, të realizuara me forma e mjete të tjera. Këto nuk ishin zgjedhje të lira e të ndershme. Sali Berisha dhe Edi Rama kanë shkatërruar zgjedhjet e lira në Shqipëri. Vendi ynë është i vetmi vend në botën pluraliste që nuk bën dot zgjedhje me standarde. Shqipëria është i vetmi vend në botë ku zgjedhjet i administrojnë dy partitë që kanë kapur shtetin. Zgjedhjet e 25 qershorit u manipuluan dhe u blenë masivisht me paratë e drogës dhe të korrupsionit. Gati 90 për qind e kutive të votimit që u hapën për rinumërim në Tiranë rezultuan të manipuluara. Në Vlorë dhe të paktën në një qark tjetër, komisionerët e PS dhe PD numëruan votat e PS-së për llogari të PD-së për një deputet sepse Rilindja kish mundur të blinte vota shumë më tepër se sa i duheshin! Pjesëmarrja në zgjedhje, me gjithë ultimatumet, presionin për të vajtur dhe votuar partinë në pushtet, ishte vetëm 46,6 për qind, shifra më e ulët e rregjistruar në zgjedhjet parlamentare të tranzicionit shqiptar dhe që nuk u arrit as më 29 qershor 1997, kur të shkoje për të votuar mund të merreshe peng nga bandat e armatosura apo të haje ndonjë plumb qorr. Rama, si Saliu, ka alergji e frikë nga zgjedhjet e lira. Ai ka mbetur i vetmi lider i korruptuar nga ish-vendet komuniste, që nuk lejon zgjedhje të lira e të ndershme në vendin e tij. Rama nuk ka për të thënë asnjë fjalë sot në Asamblenë e PS-së për këto plagë të sistemit zgjedhor në Shqipëri dhe për faktin se vendi ynë nuk mund ta përtërijë dot elitën politike përmes zgjedhjeve.
ZGJIDHJA i kishte parashikuar këto që ndodhën dhe u bëri thirrje shqiptarëve që ta refuzonin kastën sunduese politike të Shqipërisë duke bojkotuar zgjedhjet e 25 qershorit. Ata refuzuan me neveri votëbesimin për politikanë që kërkojnë pushtet vetëm për të grabitur pasuritë e vendit dhe për t’u pasuruar për vete për më shumë se 7 breza.
Një muaj përpara zgjedhjeve, Edi Rama mblodhi kongresin  e PS-së. ZGJIDHJA kërkoi që ky kongres të zhvillohej mbi një platformë demokratizuese dhe jo për t’i thurur lavde e himne kryetarit. Në fakt ndodhi kjo e fundit dhe u votua en block lista e hartuar prej tij me kandidatët për deputetë. Kështu do të ndodhë edhe sot në këtë asamble. Anëtarët janë thirrur vetëm për të dëgjuar se çfarë lider i zoti, i lavdishëm, historik e i paparë në këto treva, është kryetari i tyre dhe për të votuar listën e pushtetarëve të rinj të nxirosur nëpër kulisat e pushtetit! Socialistët e thjeshtë nuk i ka pyetur kush se kë do të donin për kryeministër, për ministra, apo drejtorë të lartë. A i zgjodhën ata deputetët që kanë tashmë prej zgjedhjeve të 25 qershorit? Sigurisht që jo dhe as mos të shpresojnë se kjo do të ndodhë ndonjëherë, për sa kohë në krye të PS-së është Edi Rama. Ai vendos për ju se kë do të keni deputet, ministër, zv.ministër, kryetar bashkie, drejtor, anëtarë kryesie, kryetar partie në çdo nivel, anëtarë të forumeve qendrore e lokale, gjithçka. Ai do të vendosë, pas nisjes së reformës në drejtësi se kush do të jetë prokurori, gjyqtari, apo oficeri i policisë gjyqësore. Socialistët e bazës nuk ekzistojnë për të, ose më saktë ekzistojnë vetëm një herë në dy vjet që të venë dhe të votojnë me apo pahir listën e kandidatëve për deputetë apo kryetarë bashkish që ai e mbush me emrat e miqve dhe të partnerëve të tij në biznes.
Kështu edhe me listën e emrave të anëtarëve të kabinetit qeveritar që Rama do të çojë për votim në asamble. Nuk ka rëndësi e peshë në vetvete asnjë emër, burrë apo grua qoftë. Ata do të jenë në listën e tij, thjesht si emra të përzgjedhur prej tij, jo se kanë vlera e kontribute, por vetëm sepse janë eunukët e tij, servila e të kontrolluar që do të zbatojnë pa asnjë mëdyshje planin ogurzi për zhbërjen e Shqipërisë, braktisjen nga shqiptarët dhe krijimin e sulltanatit të sulltanit Edi Rama.
Ai e ka kthyer në plaçkën dhe pronën e tij Partinë Socialiste. Ajo tashmë nuk është më parti politike në kuptimin e standardeve, kulturës, qëllimeve, programit, organizimit; është thjesht ndërmarrja private e Edi Ramës dhe e familjes së tij. Në atë parti tashmë ka hapësirë e vënd vetëm për ata që punojnë për pushtetin e kryeministrit dhe të një grushti politikanësh të inkriminuar që janë rreth dhe në mbështetje të tij. Ajo parti nuk ka më asgjë socialiste dhe nuk respekton më asgjë nga trashëgimia e të majtës. Ajo tashmë përfaqëson e mbron oligarkinë e krimit, drogës dhe të korrupsionit. Edi Rama është kryeoligarku i Shqipërisë!
Dëgjesat publike, edhe pse me regji qendrore nga kryeministria, edhe pse të censuruara nga akuzat dhe zemërata popullore, treguan të vërtetën e dhimbshme: në katër vitet e shkuara shqiptarët nga çdo cep i vendit ishin të paqeverisur. Në vitin 2017, shqiptarët ende ëndërrojnë të fitojnë vende pune pa treguar teserën e partisë apo pa paguar rryshfetin për shefat, që në punësime të funksionojë meritokracia dhe jo nepotizmi dhe korrupsioni; ujë të pijshëm në banesat e tyre, energji elektrike, rrugë të shtruara, legalizim për shtëpinë e ndërtuar me paratë e fëmijëve në emigracion; shërbim shëndetësor njerëzor, që të mos japin shpirt si bagëtitë në duart e një mjekësie të shpartalluar; kanale vaditëse e mbështetje për prodhimet e tyre në fshat dhe mundësi që ato prodhime të tregtohen brenda dhe jashtë vendit; shërbime elementare dhe dinjitoze në zyrat e administratës së shtetit…
Rilindja i shtoi si asnjëherë më parë këto probleme, i bëri edhe më tragjike këto drama, shtoi kalvarin e ekzistencës, ndaj, vit pas vit, dhjetra mijëra shqiptarë u detyruan që të ikin nga vendi, duke kërkuar azil ekonomik, pra një vakt bukë, një strehë, punë, shkollim dhe kujdes shëndetësor në vendet e Europës Perëndimore, ku këto janë shërbime elementare për qeniet njerëzore dhe jo dhurata të qeverisë, siç i trajton Edi Rama.
Ky katërvjeçar nuk do të jetë  më i mirë se ai që shkoi për shqiptarët. Asnjë nuk i beson përrallës së tepsisë dhe timonit, të gjithat për vete, sepse atë nuk e beson as vetë timonieri me brekushe dhe atlete. Përkundrazi, e gjithë qeverisja do të jetë si shëndetësia falas e katër viteve të shkuara, e gjitha me koncesion, luks për oligarkët dhe mortje për shqiptarët, apo si kanabizimi i vendit më 2016-ën, me urdhër dhe dirigjim nga kupola qeverisëse, për të krijuar atë paranë e zezë, të madhe e të gjithëfuqishme, që blen gjithçka në këtë vend, dhe mbi të gjitha votat për pushtetin.
ZGJIDHJA ka denoncuar se, gjatë këtij mandati të ri qeverisës të Edi Ramës, do shohim sa e sa gjyqe dhe poshtërime publike që kryeministri u bën në bllok dhe kolektivisht drejtuesve të administratës shtetërore të çdo sektori sepse ai vuan nga frika dhe nga sindroma e Pons Pilatit për larjen e duarve pas çdo krimi që kryen kundër popullit dhe shtetit shqiptar! Rama do të shpjerë deri në fund shpërbërjen e institucioneve, diskreditimin e tyre dhe rrënimin përfundimtar të kultit dhe besimit për shtetin shqiptar!
ZGJIDHJA paralajmëron falimentimin e shtetit dhe të buxhetit në vitet që vijnë nëse do të ecet me mendtë e Edi Ramës. Tani, Ai po merr me shpejtësi 1 miliard euro borxhe të reja dhe të fshehura për buxhetin e shtetit, që t’ua japë miqve e partnerëve të tij pa gara e në formën e koncesioneve, deri sa ta çojë këtë vend në faliment të plotë e në paaftësi të paguajë pensionet, ndihmën ekonomike dhe rrogat e policëve e të punonjësve të tjerë të shtetit.
Mandati i dytë për Rilindjen do të jetë një fatkeqësi për shqiptarët, jo pse kështu ka ndodhur me çdo qeveri të mbingopur nga pushteti, por për faktin se qeverisja e mandatit të dytë, ashtu si paraardhësja, nuk ka një program, nuk ka një strategji, nuk parasheh se çfarë do të ndodhë me ekonominë, si ta nxjerrë vendin nga mjerimi, si ta bëjë joshëse për investime e huaja aq të domosdoshme për ekonominë, si ta shndërrojë vendin nga një eksportues krimi, truri dhe krahu pune në atdheun që duan të gjithë shqiptarët. Është e kotë t’ia kërkojmë Edi Ramës këto, sepse ai nuk merr vesh nga këto punë. Ai është megaloman, arrogant dhe i paaftë. Ai ka vetëm një plan për Shqipërinë dhe shqiptarët: vazhdimësinë e lëngatës së tranzicionit pa fund.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY