ILIR NIKOLLA/ Malli për derivate Jugosllavie, simptoma që flet për infeksionin e...

ILIR NIKOLLA/ Malli për derivate Jugosllavie, simptoma që flet për infeksionin e politikës së Tiranës

124
0
Shares
Ilir Nikolla

Që nga Rilindja Kombëtare kemi pasur mjaft raste të konfirmojmë se interesat jetike të kombit shqiptar në përgjithësi kanë hasur në bllokadat e vendosura e me kulme të pandërprera që vinin nga Beogradi. Përveç 1878-1881-it, kemi 1910-1912, 1913-n, 1921, 1944-45, 1968, 1981, 1991-98 si dhe mars-qershorin e 1999-s. Rastet e nxehta janë shoqëruar edhe me paroditë e ftohta të dhjetorit 1924 si dhe binjakëzimet që diktatori shqiptar vendosi me serbët që nga 1941-i e deri në vdekje. Estradën e miqësisë shqiptaro-serbe e pamë në variante të shkurtra edhe në vitet 1974-1981 në Kosovë, edhe në kohën e Fatos Nanos me Milosheviçin më 1997-n dhe gjithmonë gjeneratorët e kësaj parodie në Shqipëri kanë ardhur nga e majta.
Kur kauza morale ka rënë dhe pushteti socialist është shikuar ashtu siç është, lakuriq si një hajdut halldup, ndihma “deus ex machina” ka ardhur nga Beogradi dhe sllavofilët ku janë e ku s’janë kanë kënduar për “Ballkanin ballkanasve”, për “rilindjen e miqësisë shqiptaro-serbe”, dhe tash së fundi kryesisht për “shqiptarë e serbë, së bashku e në të njëjtën kohë në Evropë”. Parullat janë bashkëshoqëruar gjithmonë me apelin për ruajtjen e status-quosë në Kosovë, pra para 1999-s për ruajtjen e sovranitetit serb mbi shqiptarët atje dhe pas ndërhyrjes historike të NATO-s për mosnjohjen e realitetit të ri të shtetit të pavarur të Kosovës.
Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet më 2013-n dhe regjistrimin e një pinguleje kokëposhtë sa u përket investimeve të huaja dhe mirëqenies së shqiptarëve, përralla e normalizimit shqiptaro-serb s’po shkruhet më nga profesionistë. Ruajtja e paqes, interesat e stabilitetit të kontinentit dhe klasifikimi i rajonit si avantpost i Perëndimit, kanë qenë gjithmonë subjekte të kapërdishme për komedinë e rikthimit të hapësirës shqiptare në poliqendrën Beograd, krejt ashtu siç thoshte Fatos Nano më 1997-n se shqiptarët e Kosovës kanë si kryeqytet Beogradin. Por tani “partitura” është krejt e dorës së tretë. Diskutimet në Durrës për “zonën e lirë ekonomike” dhe zijafeti i thirrur për llogaridhënie rreth çështjes “ku jemi me zbatimin e vendimeve të samitit të Triestes” janë një qerasje e trashë për hallin e përbashkët që i ka zënë Vuçiçin dhe Ramën. Për Vuçiçin dhe “dialogun e tij të brendshëm” me Kishën Ortodokse apo Akademinë e Shkencave të Serbisë, dy arkitrarë të shovinizmit antishqiptar serb s’na plas fort… Vëmendja e opinionit publik në Tiranë duhet përqendruar tek halli i Edi Ramës. Ç’hall ka Edi Rama që është kaq i shqetësuar për “zonën e lirë ekonomike” që siç e thonë të gjithë ekspertët do të ketë qendër Beogradin dhe do t’i shndërrojë të gjitha ekonomitë e rajonit në tregje për firmat gjysëmprofesionale serbe? Përveç krizës së rëndë që ka kapërdirë ekonominë tonë dhe që s’mund të mbulohet me fushatën pa program e plot “timonë e tepsi” si dhe numrit të azilantëve që s’mund të fshihet me propagandë, e sigurtë është se urgjenca për miqësi serbo-shqiptare nuk na intereson ekonomikisht, politikisht rrënon imazhin e shtetit shqiptar si epiqendër e hapësirës panshqiptare dhe gjeopolitikisht rrënon përpjekjet për jetësimin e sovranitetit të shtetit të ri të Kosovës. Investimi për miqësinë e re po kërkohet duke ruajtur status-quonë plot probleme për rajonin dhe duke shpërblyer vetëm Vuçiçin dhe “dialogun e tij të brendshëm”.
Se ç’fiton Vuçiçi, merret me mend, edhe se ëndrrat e Ramës për Jugosllavi shfaqin simptomat e politikës së tij plot infeksion e me virusin majtist të varësisë nga Beogradi, po përmendet nga analistët më të njohur të Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë. Megjithatë, ditën kur Edi Rama e Vuçiçi shfaqen të dy njëkohësisht si zot shtëpie në Durrës, pyetja kryesore është: ç’hall ka burokracia e Brukselit që investohet hapur në projekte që krijojnë një zonë të lirë ekonomike me përmasa koloniale dhe ngrijnë njëherë e mirë aspiratat e popullit të vetëm josllav të rajonit për integrim të shpejtë në BE?

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY