Korçë, KLSH kallëzon në prokurori 11 ish-zyrtarë të ALUIZNI-t dhe Hipotekës

Korçë, KLSH kallëzon në prokurori 11 ish-zyrtarë të ALUIZNI-t dhe Hipotekës

136
0
Shares

Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurori ish-drejtorin dhe 3 ish-përgjegjësa sektori të drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t në Korçë, si dhe 5 ish-regjistrues dhe 2 nëpunës të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në këtë qytet.
Ky vendim u mor pas auditit të ushtruar në këto dy drejtori rajonale. Nga kontrolli ka rezultuar se këta ish-zyrtarë i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në total prej 96.2 milionë lekë, duke kryer legazime në zona të ndaluara nga ligji, afër rrugëve kryesore, lumenjve, kanaleve, shtyllave të tensionit të lartë pa dokumentacion, si dhe kanë kryer transaksione të paligjshme me pronat shtetërore dhe regjistruar privatizime, pa u paguar detyrimet ndaj Shtetit, duke tjetërsuar pronat “shtet” dhe kthyer prona nga lloji “shkëmb” në llojin “arë”, duke favorizuar persona të interesuar.

NJOFTIMI I PLOTE
I. Auditimi në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t Korçë
Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 222/1, datë 03.03.2017, ka përfunduar auditimin në Drejtorinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Qarku Korçë , me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për periudhën Mars 2015- Mars 2017”.
Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsi të zbatimit të dispozitave ligjore në fuqi, që konsistojnë në legalizime të paligjshme, si dhe shkelje në pranimin dhe administrimin e dokumentacionit tekniko- ligjor në miratimin e lejeve të legalizimit, ndër të cilat më kryesoret ishin:
– Në 375 raste, në marrjen e vendimeve në kualifikimin e objekteve informalë, ka dërguar pranë Bashkive në rang Qarku, vetëm shkresën për llogaritjen e pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë, pa marrë konfirmim mbi pagesën e kryer, për dalje me vendim kualifikimi, duke krijuar një mungesë të ardhurash ne buxhetin e shtetit në vlerën 38,506,651 lekë.
– Në 23 raste është evidentuar një sipërfaqe parcelë ndërtimore brenda/jashtë vijës së verdhë e pa legalizuar prej 8207 m2(në total), me një vlerë prej 18,468,003 lekë, (çmimi i tregut referuar zonave kadastrale), duke shkaktuar mungesë të ardhurash në Buxhetin e Shtetit për fondin e kompensimit të ish-pronarëve.
– Në 42 raste, legalizimi i objekteve informale është kryer në kundërshtim me dispozitat e ligjit të legalizimit dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, ndër të cilat:
-në 17 raste, janë kryer legalizime të objekteve pa respektuar distancat nga rrugët nacionale e urbane ku sipas dokumentacionit disponibël në dosje, si genplani, harta dixhitale e paraqitur, rezulton se objektet ndodhen në një distancë prej buzës së rrugës nacionale më pak se përcaktimet ligjore, në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Për këto shkelje dhe për shumë të tjera, me shkresën Nr. 222/9 datë 06/07/2017 KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë për I.B, me detyrë ish drejtor, N.L, ish përgjegjës i sektorit të hartografisë dhe sektorit të legalizimit, si dhe për T.K dhe D.Q, ish përgjegjësa të sektorit të legalizimit, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal.
Shënim. Në faqen në internet të KLSH-së gjendet i plotë Vendimi i Kryetarit të KLSH me nr. 72, datë 30.06.2017 në lidhje me këtë auditim.
II. Auditimi në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programeve të auditimit nr. 285/1, datë 15.03.2017dhe 702/2, datë 15.10.2015 ka përfunduar auditimin në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme(ZVRPP) Korçë, për periudhën Janar 2014 – Dhjetor 2016 të aktivitetit të këtij institucioni.
Nga auditimi rezultuan një sërë shkeljesh të ligjeve dhe dispozitave nënligjore në fuqi, ndër të cilat më kryesoret janë:
– Në 5 raste, në Zonat Kadastrale(ZK) ZK 8561, ZK 2307 dhe ZK 3819, fshati Voskopojë janë regjistruar toka sipas Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi(AMTP) dhe AMTP-ve u mungon njëra nga vulat, për të cilat, nuk janë verifikuar elementet e formës dhe të përmbajtjes së Aktit Administrativ.
– Në 3 raste, ZVRPP Korçë ka regjistruar pasuritë e paluajtshme për poseduesit e AMTP-ve përkatëse, të cilët kanë përfituar më tepër tokë, se sipërfaqja e përcaktuar në AMTP, në total sipërfaqen prej 7230 m2, e llojit arë.
-Në 2 raste, në ZK 2631 “Mborje”, kanë regjistruar pasuri ‘’Reparti i parafabrikateve i poligonit të ndërtimit’’, me sipërfaqe të përgjithshme 15035 m2 të përfituar nga privatizimi, në mungesë të kontratës së marrëdhënieve me truallin (kontrata e qirasë) ose dokument tjetër si vendim i KKK Pronave, etj., për sipërfaqen 5035 m2 nuk kanë likuiduar vleftën e objektit si dhe qiranë për 5035 m2, për periudhën 3 vjeçare të përdorimit në vlerën 16,714 mijë lekë, për të cilën nuk është paraqitur asnjë dokument financiar vërtetues, që përbën dëm ekonomik për buxhetin e shtetit.
– Kanë regjistruar pasurinë “Arë” me sipërfaqe 15675 m2, ZK 2631 “Mborje”, bazuar në vendimin nr. 231, datë 26.10.2007 të ZRKK Pronave, Qarku Korçë, nga ku rezulton se për sipërfaqen 15030 m2 është ndryshuar zëri kadastral ‘’Pyll’’ në zërin “Arë”.
-Në 5 raste për sipërfaqe 2733 m2, kanë kryer kalimin nga sistemi hipotekor në sistem regjistrimi, duke lëshuar çertifikata pronësie, edhe pse ka rezultuar se ka rritje të sipërfaqes së truallit në + 449 m2, e pa mbështetur me dokumentacion pronësie.
– Në 1 rast, në ZK 1538 “Drenovë”, kanë regjistruar pasuri ‘’Stalla komplekse të ndodhur tek ish-fusha e aviacionit’’, me sipërfaqe ‘’Ndërtesë’’ 4545 m2 dhe ‘’Truall’’ 10067 m2, të përfituar nga privatizimi, sipas ligjit nr. 7512, datë 10.08.1991, ku sipërfaqja rrjedh nga bashkimi i 5 pasurive, ndërmjet të cilave pasuritë ’Rrugë’’, ‘’Kanal’’, ‘’Shesh”, për një sipërfaqe prej 5003 m2
– Kanë regjistruar Vendimin nr. 56, datë 13.01.2016 të Gjykatës së Rrethit Korçë, për pasurinë 719/1 me sipërfaqe 4,400 m2, duke ndryshuar zërin kadastral nga shkëmb në arë, duke vepruar në kundërshtim me Vendimin nr. 33, datë 08.12.2005 të Gjykatës Kushtetuese, ligjin nr. 9385, datë 04.05.2005 “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, i ndryshuar.
Për këto shkelje dhe për shumë të tjera, me shkresën Nr. 285/9 datë 07/07/2017 KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë për SH.V, AK, DH.Ç, K.B dhe E.R, ish regjistrues të ZVRPP Korçë, si dhe për A.D dhe E.N, nëpunës të këtij institucioni, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal.
Shënim. Në faqen në internet të KLSH-së gjendet i plotë Vendimi i Kryetarit të KLSH me nr. 84, datë 07.07.2017 në lidhje me këtë auditim.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY