INTERVISTA/ Flet hapur supermodelja shqiptare: Dikur milja lopët në fshat

INTERVISTA/ Flet hapur supermodelja shqiptare: Dikur milja lopët në fshat

473
0
Shares

Unë kam pa varfëri nëpër botë, kam kenë në ndihmat humanitare në Indi dhe Afrikë, por kur një nanë shqiptare dridhet e të kërkon ndihmë, ajo të ther në zemër”.
Janë këto fjalët e Emina Çunmulaj, modeles së famshme shqiptare nga Tuzi (Mal të Zi) ndërsa tenton të përshkruajë ndjenjat e saj pasi ka vizituar disa familje që jetojnë në varfëri ekstreme në rrethinat e Shkodrës. Emina vendosi t’i bashkohej Nismës “Fundjavë Ndryshe” për të ndihmuar disa familje në fshatrat në njësinë administrative të Postribës ku pa nga afër mjerimin e tyre.
Tepër e prekur dhe me lot në sy, Çunmulaj ka rrëfyer emocionet e saj në një intervistë ekskluzive për “Tirana Today”. Modelja shqiptare ka treguar gjatë intervistës detaje mbi fëmijërinë e saj në malësinë e Tuzit, vështirësitë në vitet e para të karrierës në Itali dhe jetën që ka sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku është e martuar me miliarderin iranian Sam Nazarian. “Emina ka qënë një vajzë në një fshat të vogël, unë kam mjelë lopët deri sa kam pas 16 vjeçe. Unë kam kenë një vajzë shumë e thjeshtë dhe jam edhe tani. A kam vuajtur për fukarallik? Jo, s’kam vujt, këtë nuk mund ta them. Por, sidoqoftë më kujtohen hapat e para të modelingut kur kam qënë 15 vjeçare në Itali, kam në një dhomë me 5 vajza dhe kam hangër ushqime në konserva. Por kjo nuk është varfëri, në krahasim me atë ça kam pa sot.”

Një pjesë nga intervista e Emina Çunmulaj me gazetaren Erjona Rusi

Emina, ke ardhr në zonat e thella të Shkodrës për të ndihmuar disa familje. Si u ndjeve kur pe atë lloj varfërie e mjerimi?

Po mirë në fakt më solli Arbri, faleminderit atij se disa zona të Shqipërisë nuk i kam shumë familjare, nuk i njoh. Pikërisht Shkodrën sepse e kam afër me Hanin e Hotit, ku jam me origjinë. Nuk dija se çka të prisja, ku do shkoja, në ça familje do hija. Por, në mënyrë naive, mbase duhet ta kisha përgatit veten. Sepse është tepër emocionuese kur sheh një nanë në moshë që jeton në atë varfëri.

Nuk e kishe imagjinuar që njerëzit që mund të jetonin në ato lloj kushtesh?

Jo të them të drejtën jo, sepse ti je në Shkodër, ku qendra është një vend shumë i bukur. Ka shumë njerëz që jetojnë jashtë dhe punojnë. Nuk e prisja, nuk e dija çka të prisja dhe kështuqë me të vërtet më ka qëllu rëndë.

Çfarë ndjeve? Pse u bëre keq?

Trishtim, trishtim sepse…ku ka ba vaki, ku ka ba vaki që plaka 70-80 vjeçare të jetojnë në një shtëpi pa kurrëfare kushtesh…ato nuk janë kushte as për kafshë. Kur u nisëm ajo tha: Hajdeni përsëri për Bajram dhe kjo më të vërtet më ka dhimbt. Ndoshta sepse ajo është nanë, unë kam humb nanën time, jam bërë nanë vetë dhe mbase jam ba ma e ndjeshme.

Dikush që të sheh nga Instagrami, nga larg duke parë jetën tënde të luksit, mundet edhe të thotë që Emina as e ka idenë çfarë është vuajtja. Është e vërtet? A din Emina se çfarë do me thanë me vujt?

Unë nuk mund të them që jeta që kam sot…është një jetë e mirë padyshim, por s’ka qënë kështu gjithmonë. Emina ka qënë një vajzë në një fshat të vogël, unë kam mjelë lopët deri sa kam pas 16 vjeçe. Unë kam kenë një vajzë shumë e thjeshtë dhe jam edhe tani. A kam vuajtur për fukarallik? Jo, s’kam vujt, këtë nuk mund ta them. Por, sidoqoftë më kujtohen hapat e para të modelingut kur kam qënë 15 vjeçare në Itali, kam në një dhomë me 5 vajza dhe kam hangër ushqime në konserva. Por kjo nuk është varfëri, në krahasim me atë ça kam pa sot. Unë kam pa varfëri nëpër botë, kam kenë në ndihmat humanitare në Indi dhe Afrikë, por prap se prap, është tjetër kur të thekson afër zemrës, kur e ndjen nanën shqiptare që dridhet e thotë: “Shihe ku flej, ku haj, ku rri..”

Të dhemb ma shumë nana shqiptare?

Po, bre, se jam shqiptare vetë. Gjaku s’asht ujë.

Pse ke këtë dëshirën për tu marrë me bamirësi? Pse kjo dëshirë për të ndihmuar të tjerët?

Nuk është thjesht dëshirë. Është gjë normale për tu bërë. Nëse unë jam rehat, kjo nuk do të thotë që kojshia që nuk asht rehat të më lejë me fjet në paqe. Kjo është e vetmja gjë që na dallon nga kafshët, edhe ato madje ndihmojnë njëra-tjetrën. Ne jemi njerëz. Bamirësia nuk është diçka që lind, e ke në shpirt, në zemër. Unë s’mund të rri rehat, nuk flej dot. Dhe ma fort më dhimbet se asht vendi im. Ti duhet të jesh vullnetar thjesht sepse e ndjen veten mirë dhe beson që të tjerët kanë nevojë. Ti ke pasuri, zemër, shpirt dhe ja jep tjetrit. Kështuqë mendoj se një ndër gjërat kryesore për ne si humanë, njerëz është vullnetaria sepse nuk ndihmojmë njëri-tjetrin, atëherë ça na ka mbet? S’ka më humanizëm.

Sa e njeh shoqërinë shqiptare në përgjithësi, në kuptimin e nevojave që kanë shqiptarët?

Në përgjithësi shqiptarët, qoftë në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë apo Maqedoni kanë vujt. Unë ndoshta kam mendu gjithmonë që shqiptarët jashtë Malit të Zi kanë vuajtur më shumë. Por unë të vërtetën, të them, atë që kam parë sot në Shqipëri, nuk ekziston tek shqiptarët në Mal të Zi. Se malësori nuk e len nanën të vuajë e të jetojë në kushte ashtu. Unë i thashë Arbrit, tan Malin e Zi me shëtit nëpër katunde e fshatrat shqiptare, ti s’mund ta shohësh nanën ashtu.

Pse, si ka mundësi?

Nuk e di, nuk e di pse. Ndoshta sepse ne jemi detyruem. Se ne gjuhën kanë dash me na e ndryshu, fenë kanë dash me na e ndryshu, gjakun kanë dash me na e ndryshu, vendin kanë dash me na i marr, shtëpiat gjithashtu. Kështuqë kur je në një shtet tjetër ti i ndihmon njerëzit e tu sa më shumë. Ndoshta këtu liberimi, asht toka jote, vendi yt, gjuha jote, shpia jote dhe varfëria jote. Të gjithë e kemi varfërinë.

Mendon se shqiptari duhet me e ndihmu ma shumë shqiptarin?

Po 100 %, kudo. S’ka lidhje ku asht. Nëse unë kam një shpi dy katëshe me panele solare dhe nana pranë teje s’ka bukë të hajë. Ajo ecte në gurë, zbath. Turp, marre, gjynah.

Edhe shteti duhet me ba diçka normalisht, edhe institucionet duhet me funksionu apo jo?

Patjetër. Ne sado që të mundohemi privatisht të bëjmë, ka me qindra me mijëra njerëz që kanë nevojë. Kur ti e shef një nanë në moshë që s’ka kurrëfarë ndihme nga shteti, zero. Ajo tha që merrte 20 mijë lekë, 20 dollarë në muaj. Oh Zot, 20 dollarë në muaj dhe ja kanë hek. Burrin e verbër në shpi, vajzën me nevoja special dhe mos me ba kurrgja shteti? Unë nuk jetoj këtu, nuk përzihem në politikë por më vjen gjynah. Është turp që të lejojnë që një njeri që ndoshta ka vujt tan jetën e saj, mos e ndihmu me një ndihmë sociale, me diçka të thjeshtë? Nuk e di.

Shkojmë pak në Amerikë. Si i ndihmon Emina shqiptarët në Amerikë? Me emrin e madh që ka?

Gjëja kryesore është që nëse jemi të suksesshëm ne si popull shqiptar, unë, ti apo filani, mos të fshihemi pas kësaj që kam pasaportën amerikane dhe të them që unë jam amerikane. Sepse nuk jam. Unë jam shqiptare. Unë kam pasaportën malaezeze dhe atë amerikane por e ndjej veten shqiptare. Kur njerëzit më pysin, nuk u them çfarë feje kam, por u them që jam shqiptare dhe pikë. Thjesht nëse kemi pak pasuri, apo dukemi si të Evropës, mos e fsheh origjinën. Mos nisni me fol greqisht, italisht apo anglisht apo diçka tjetër. Unë shqipen nuk e flas perfekt, por ashtu si e flas, e flas. Unë popullin tim nuk e ndihmoj aq sa kisha pas qejf, por aq sa mundem e bëj. Qoftë duke thënë që jam shqiptare, apo bëj një debat me një kroat apo malazez, grekët, italianët. Pra çfarëdoqoftë, është një mbrojtje e titullit të ndjenjës time. Se unë jam kush jam dhe pikë. Por gjithësesi shqiptarët në Mal të Zi, ata që kanë dalë jashtë, që janë në SHBA, mendoj se deri diku, ata shumë bëjnë për vendin e vet, por mund të bëjnë edhe ma shumë. Ekziston mundësia. Dikush 5 dollarë, dikush 10, sa të kenë mundësi.

Ne shohim Eminën nga larg, po si është shqiptarja nga Tuzi me një multi miliarder si Sam Nazarian? Çfarë keni psh të përbashkët?

Shumë. Unë jam kokëfortë, ai është kokëfortë. Unë jam femër Alfa, ai është mashkull Alfa. Përgjithësisht ai vjen nga një familje shumë modeste dhe filantropike. Ai ka një prejardhje iraniane dhe nuk e kam dit se sa të përbashkëta kanë iranianët me shqiptarët, në kuzhinë, mikpritje dhe tradita. Krejt. Në fillim nuk i kuptova, por pastaj nga një muaj në tjetrin kuptova që kemi shumë gjëra të përbashkëta. Ai më përkrah në çdo gjë që bëj. Tani e kam sjellë për herë të parë në fshatin tim.

Dhe si ju duk fshati jot?

U kënaq, i pëlqeu kjo jeta një shtëpi buzë tjetrës, familja, kojshitë, a ke kafe, a ke sheqer. Këto i pëlqyen krejt.. (qesh).
Ngaqë vjen nga një familje filantropike, ai më përkrah në çdo formë, një njeri që më don, e du. Më përkrahi. Ky është partneri i jetës.

Ti je rrit në malësinë e Tuzit, besoj e ke dëgjuar atë shprehjen “me ta ngrënë zemrën”? Si ja ke hangër zemrën Samit?

Po, de. Kur i them: “Ta hangsha zemrën” më thotë: Ti je e çmendur. Si po don me ma hangër zemrën. Nuk i ka parasysh këto shprehje i shkreti, nuk i kupton. Nuk e di. Unë në fund të fundit jam një vajzë e thjesht. Jeta ime nuk asht ajo e rrjeteve sociale, jeta ime luksoze bla, bla. Unë hipi majë traktorit siç edhe hipi në avion. I kam njësoj. Jam kush jam. Urdho nëse don, nëse jo, ditën e mirë. Tani kur e solla në malësi, e pa se ne të gjithë bërtasim. Edhe qeshim.

Më the që ai të mbështet, po kohët e fundit e ke lënë modelingun apo jo?

Po, kohët e fundit, fëmija, familja.

Çfarë planesh ke?

Sa të kthehem jam për rrugë, kam një photo-shooting për një kompani gjermane.

Ai nuk është xheloz apo jo, dhe të thotë pse do shkosh andej apo këtej?

Jo, jo. Këtë problem nuk e ka. Ai më nxit edhe më shumë. Nëse nuk do të bësh këtë, hajde bëj diçka tjetër, unë të ndihmoj-më thotë.

Po ti s’ke nevojë të punosh më. Ti i ke të gjitha, pse duhet të punosh?

Truni i kresë. Unë kam nevojë me punu. Unë që kur kam dalë 15 vjeç prej shpie, unë vetëm punë kam ba. Unë të rri në shpi, kaloj në depresion. Ndihem mirë. Nuk e ndjej veten si një femër që mund të bëj diçka për veten, nëse nuk punoj. Sepse unë tan jetën nuk kam prit për një mashkull të vijë të më japë këtë, apo atë, të më blejë aeroplanin.

Unë dola 15 vjeç prej shpie dhe i thashë babit që prej sot unë nuk marr një cent prej teje. Ndodhi, ndoshta nga jeta e karriera që u njoha me një njeri të fuqishëm. Por besoj se deri diku edhe unë ja kam arrit fuqisë time.

Të pyeta sepse rinia shqiptare ka shumë problem, një pjesë është shumë e zhgënjyer dhe do të iki, një pjesë rri kot dhe nuk duan të punojnë. Dhe pastaj me kalu tek ato vajza shqiptare që mendojnë se mund të arrijnë gjithçka përmes një burri të fuqishëm. Ndërkohë ti i ke të gjitha dhe prap mendon se e ke të nevojshme me punu.

Patjetër, sepse mendoj që një femër që nuk respekton veten, që nuk i jep vetes mundësinë për të arritur atë që do, nuk do ta respektojë asnjë mashkull. Ti pastaj nuk e ndjen veten mirë. Ti je sepse ai të ka bërë. Unë jam kjo që jam, sepse ja kam dalë mbanë vetë. Është krenaria dhe gëzimi im. Nuk jam për shkakun tënd apo sepse me dhe diçka.

Pra, ti ndihesh mirë sepse i ke arrit të gjitha vetë?

Patjetër, sepse s’kam nevojë me i thënë kujt faleminderit përveç vetes dhe punës time. Pasuria vjen dhe shkon. Siç e ke fitu, do ta marrë dikush tjetër. Nëse ti je një 19 vjeçare dhe ke një burrë me para, ti nuk je e vetmja, vjen 19 vjeçarja tjetër pas teje. Kështuqë të lutem, bëj atë që mendon ti për veten, sepse kurrgja nuk është falas./panorama/

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY