Zjarre pa fund, në 15 vatra në 24 orë luftohet me flakët

Zjarre pa fund, në 15 vatra në 24 orë luftohet me flakët

119
0
Shares

Nuk ndalen zjarret ne vend. Gjatë 24 orëve të fundit deri në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm, janë shënuar 15 vatra zjarri në qarqet Shkodër, Tiranë, Vlorë, Korçë, Dibër, Durrës, Elbasan, Berat.
Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

Qarku Shkodër
Në fshatin Reç, Njësia Administrative Velipojë, bashkia Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pyll. Shërbimi vendor i MZSH Shkodër ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me forca zjarrfikëse. Shërbimi vendor i MZSH Malësi e Madhe ka dërguar për ndihmë në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues. Forcat zjarrfikëse e kanë patur të pamundur për të shuar vatrat e zjarrit për shkak të terrenit të thyer, ndërsa zjarri i favorizuar nga era ka marrë përmasa dhe ka rrezikuar disa banesa të fshatit. Një helikopter ka kryer disa opracione ajrore duke shuar vatrat më problematike të zjarrit. Pas largimit të tij, forcat zjarrfikëse kanë punuar për të shuar zjarrin por për shkak të erës dhe terrenit zjarri ka patur riaktivizim dhe ka rrezikuar të përhapej drejt banesave të fshatit. Forca të ushtrisë kanë punuar së bashku me forcat zjarrfikëse deri në orët e vona të natës, duke izoluar vatrat e zjarrit.
Në fshatin Grudë-Fushë, Njësia Administrative Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pemë frutore të ndryshme. Shërbimi vendor i MZSH Malësi e Madhe ka dërguar 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.6 ha sipërfaqe me pemë frutore të ndryshme.

Qarku Tiranë
Në fshatit Ibë, Njësia Administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr sipërfaqen pyjore. Shërbimi vendor i MZSH Tiranë ka dërguar 2 automjete zjarrfikëse dhe 10 forca zjarrfikëse, të cilat nuk kanë mundur të shuajnë zjarrin për shkak të terrenit të thyer kodrinor. Forcat zjarrfikëse kanë punuar deri në orët e vona të natës dhe kanë izoluar zjarrin.
Në Malin e Dajtit ka rënë zjarr tek Shkalla e Tujanit. Punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura Tiranë kanë punuar me punonjës me mjete rrethanore për të shuar zjarrin por nga era dhe terreni malor zjarri ka marrë përmasa dhe ka rrezikuar Teleferikun, Repartin e Gardës, Antenat, etj. Për këtë arsye këto forca kanë kërkuar ndihmë nga Shërbimi vendor i MZSH Tiranë, i cili dërgoi në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues. Forcat në terren janë ndihmuar edhe nga 60 forca të Repartit të Gardës, por ato e kanë patur të pamundur për të lokalizuar zjarrin. Në vendngjarje mbërritën 15 forca të ushtrisë dhe 1 helikopter duke kryer disa operacione duke izoluar shumë vatra zjarri në Malin e Dajtit. Shërbimi vendor i MZSH Tiranë për të izoluar vatrat e zjarrit në Malin e Dajtit ka dërguar edhe 4 automjete zjarrfikëse me 40 forca zjarrfikëse, të cilat kanë punuar me forcat e tjera gjatë gjithë natës, por errësira, era dhe terreni malor, kanë krijuar vështirësi për punën e forcave dhe vatrat e zjarrit janë sërish problem.

Qarku Vlorë
Në afërsi të Parkut Kombëtar të Llogarasë, bashkia Himarë, janë kryer operacione nga ajri të dy helikopterëve, për të shuar zjarrin e rënë në vendin e quajtur Maja e Qorres. Shërbimi vendor i MZSH ka punuar dhe ka bërë të mundur që rreth mesditës të izolojë vatrat e zjarrit.
Në fshatin Dukat pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë ka rënë zjarr në terren shumë të thyer malor, mbi aksin rrugor nacional Vlorë-Llogara-Himarë. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Vlorë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me 30 forca zjarrfikëse. Nga Pashalimani është dërguar 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues zjarrfikës. Në vendngjarje kanë shkuar edhe forca të shërbimit pyjor dhe Zonave të Mbrojtura Vlorë. Automjetet zjarrfikëse dhe forcat në terren e kanë patur të pamundur të ndërhyjnë në vatrën e zjarrit për shkak të terrenit dhe errësirës. Ato kanë qëndruar në aksin rrugor kombëtar dhe kanë shuar flakët që po tentonin të kalonin aksin rrugor dhe të përhapeshin në krahun tjetër të tij në zonën pyjore ku ndodhej një lokal. Forcat dhe mjetet kanë punuar gjatë gjithë natës duke izoluar zjarrin në disa vatra por ai mbetet ende problematik. Një helikopter i kompanisë VIVA po kryen aktualisht operacione për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Qarku Korçë
Në fshatin Udenisht, Njësia Administrative Udenisht, bashkia Pogradec, ka rënë zjarr në masivin pyjor me pemë bredhi dhe pishe të Zonave të Mbrojtura. Shërbimi vendor i MZSH Pogradec ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me forca zjarrfikëse dhe bashkiake, të cilat kanë punuar me mjete rrethanore për të shuar zjarrin, por për shkak të terrenit dhe erës këto forca nuk kanë patur mundësi të izolojnë dhe shuajnë zjarrin. Gjatë punës së forcave ka ndodhur shpërthim i municioneve nga zjarri që ka plagosur 1 punonjës të bashkisë, i cili është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal Pogradec, ku i është dhënë ndihma mjekësore. Për arsyet e mësipërme forcat kanë ndërprerë punën dhe kanë kërkuar mjet ajror për të shuar zjarrin. Një helikopter ka shkuar dhe ka shuar zjarrin në Kurorën e Pogradecit.
Në fshatin Vidohovë, Njësia Administrative Miras, bashkia Devoll, ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre, dushk dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Devoll ka dërguar në vendngjarje 1 makinë transporti me forca zjarrfikëse dhe forca të pyjores, të cilat me mjete rrethanore kanë izoluar zjarrin deri në orët e natës, pa mundur ta shuajnë zjarrin për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës. Në vendngjarje kanë qendruar disa punonjës të pyjores për të mbajtur nën ruajtje vatrat e zjarrit.

Qarku Dibër
Në fshatin Tërnovë e Madhe, Njësia Administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, ka rënë zjarr në 1 banesë të pabanuar. Zjarri ka rrezikuar të përhapej në drejtim të shkollës 9-vjeçare të fshatit, por është shuar nga forca vullnetare. Si pasojë e zjarrit u dogj vetëm banesa e pabanuar.
Në fshatin Kastriot, Njësia Administrative Kastriot, bashkia Dibër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pemë gështenje dhe dushku, si dhe kullotë, tek vendi i quajtur “Kodra e Gështenjave”. Shërbimi vendor i MZSH Dibër ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me forca zjarrfikëse, të cilat së bashku me forca vullnetare, kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.3 ha me pemë gështenje dhe dushku, si dhe rreth 2 ha kullotë.
Në fshatin Pollozhan, Njësia Administrative Tomin, bashkia Dibër, ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra pranë disa banesave. Shërbimi vendor i MZSH Dibër ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me forca zjarrfikëse, të cilat kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.1 ha me shkurre dhe ferra.

Qarku Durrës
Në fshatin Lalëz, Njësia Administrative Ishëm, bashkia Durrës, ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra në një faqe kodre të Gjirit të Lalëzit. Shërbimi vendor i MZSH Durrës ka dërguar për ndihmë në vendngjarje 3 automjete zjarrfikëse me forca zjarrfikëse. Shërbimi vendor i MZSH Shijak ka dërguar 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues. Forcat dhe mjetet zjarrfikëse të dy shërbimeve kanë punuar deri në orën 23:30 dhe kanë izoluar zjarrin por pa mundur ta shuajnë atë. Në vendngjarje ka qendruar 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues të Shërbimit vendor të MZSH Durrës për të mbajtur nën kontroll vatrat e zjarrit. Forcat dhe mjetet zjarrfikëse do të punojnë sot për të shuar plotësisht vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 3 ha me shkurre dhe ferra.

Qarku Elbasan
Në fshatin Kukuçovë, Njësia Administrative Sult, bashkia Gramsh ka rënë zjarr në 2 vatra me pemë mare, dushk dhe dëllinjë,. Shërbimi vendor i MZSH Gramsh ka dërguar në vendngjarje 1 automjet transporti me forca zjarrfikëse, të cilat me mjete rrethanore kanë shuar 1 vatër zjarri, kurse vatra tjetër nuk u bë e mundur të izolohej dhe shuhej deri në orët e vona të natës për shkak të sipërfaqes së madhe dhe errësirës. Si pasojë e zjarrit në vatrën e parë u dogj rreth 1 ha me pemë mare, dushk dhe dëllinjë, kurse në vatrën e dytë u dogj rreth 4 ha me pemë mare, dushk dhe dëllinjë.
Në fshatin Stanaj dhe në një pjesë të fshatit Seferan, Njësia Administrative Belsh, bashkia Belsh, ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte. Shërbimi vendor i MZSH Elbasan ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me forca zjarrfikëse, të cilat kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 35 ha me shkurre dhe ullishte.

Qarku Berat
Në fshatin Mbjeshovë, Njësia Administrative Sinjë, bashkia Berat, ka rënë zjarr në shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Berat ka dërguar në vendngjarje 1 automjet transporti me forca zjarrfikëse dhe forca të bashkisë, të cilat kanë shuar zjarrin me mjete rrethanore për shkak të terrenit të thyer. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 2 ha me shkurre dhe pisha.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY