Flet vëllai i aktorit të plagosur në atentat: Arsyeja që donin ta...

Flet vëllai i aktorit të plagosur në atentat: Arsyeja që donin ta eliminonin Mishelin

175
0
Shares
Mishel Prela (Manoku)

Mbrëmjen e 20 korrikut, në një atentat kriminal të organizuar përballë shkollës “Partizani” mbeti i plagosur 31-vjecari Mishel Prela.
Pak orë pas ngjarjes policia lajmëroi se ka arrestuar Shkëlzen Buci i cili kishte rolin e ekzekutorit, Miklar Tolën, i cili ishte zgjedhur nga Buci për të ndjekur lëvizjet e Prelës, dhe Tim Hidrin, shoferi i cili do të largonte atentatorët nga vendi i ngjarjes.
Buci ka deklaruar në polici se atij i ishin premtuar 80 mijë euro në këmbim të kokës së Mishel Prelës, dhe porositësi ishte Ervin Zullumi i cili gjithashtu është arrestuar nga policia.
Por cilat janë shkaqet që çuan Ervin Zullumin të paguante 80 mijë euro për vrasjen e Mishelit?
Në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetarin e dritare.net Isa Myzyraj, vëllai i Mishel Prelës, Mino Manoku tregon konfliktin e vjetër që kishin Misheli dhe Ervini.
“E gjithë ngjarja fillon në qershor të 2010, kur Misheli dhe Ervini kanë pasur një konflikt për shkaqe banale me njëri-tjetrin, konflikt ky që ka përfunduar me rrahjen e Ervin Zullumit nga vëllai im Misheli”, rrëfen Mino.
“Pas një muaji Ervini i ka dalë në pritë Mishelit në afërsi të ‘Shkollës së Kuqe’ ku ai ka goditur Mishelin me thikë në krahun e majtë duke i shkaktuar një plagë prej 8 qepjesh e cila edhe sot është e dukshme”, shton më tej Mino.
Por kjo ngjarje sipas tij nuk është denoncuar kurrë në polici, dhe arsyeja mund të ketë qenë edhe një hakmarrje e mundshme e Mishelit ndaj Ervinit, gjë e cila ndodhi pas daljes së Mishelit nga spitali, ku në një rrugicë në lagjen e të dyve Misheli përballet me Ervinin dhe e godet me thikë.
Ky sulm ndaj Ervinit do t’i kushtonte Mishelit 5 vite e gjysmë burg, nga të cilat 3 vite e gjashtë muaj i kaloi në qeli, ndërsa pjesën tjetër ishte me shërbim prove për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai u operua pas një problemi me veshkat.
“Pasi Misheli plagosur Ervinin, dy familjet tona janë takuar së bashku, dhe nga familja e Ervinit na është kërkuar një shumë prej 20 mijë eurosh për ta mbyllur këtë histori, por ne kemi refuzuar duke u thënë se ne kemi mundësi vetëm 10 mijë euro”.
Shuma sipas tij është kërkuar nga daja i Ervin Zullumit, qe në atë kohë punonte në drejtorinë e burgjeve dhe ushtronte profesionin e avokatit.
Mino rrëfen më tej se Misheli dhe Ervini janë takuar edhe pasi Misheli ka dalë nga burgu por dukej se gjithçka kishte marrë fund, dhe se konfliktet tanimë ishin shuar.
Ishte mbrëmja e 20 korrikut që do të rikthente këtë histori duke bërë që Misheli të luftojë me jetën në spitalin “Ushtarak”.
Mino rrëfen se Misheli është plagosur nga 5 plumba, 2 në parakrahun e djathtë duke i shkaktuar thyerjen e krahut, 2 plumba e kanë goditur në kofshën e djathtë ku njëri nga to i ka prekur aortën kryesore, dhe një në pjesën e barkut i cili i ka prekur zorrën e trashë.
Vëllai i Mishelit shprehet se familja e tij ndihen të rrezikuar dhe i bëjnë apel shtetit që kjo histori të mbyllet një herë e mirë, duke vënë para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës. Dritare.net

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY