Artan Fuga: Nuk e kuptova fare zotin Alizoti!

Artan Fuga: Nuk e kuptova fare zotin Alizoti!

141
0
Shares

Akademiku Artan Fuga ka komentuar largimin nga PD të anëtarit të kryesisë, Tomor Alizoti duke theksuar se nuk mund të bëhet opozitë opozitës.

Në një koment të postuar në rrjetet sociale ai sugjeron se kushdo kërkon transformimin e PD duhet ta bëjë këtë duke qëndruar brenda saj.

 

 

Më poshtë vijon komenti i plotë i Fugës:

 

Opozita e opozitës të opozitës

 

Aty nga korriku i vitit 1997, nëse nuk më gënjen kujtesa, zgjidhet presidenti i ri i republikes, nga e majta.

Zoti Mejdani bën një takim të gjerë në Presidencë me këtë rast dhe fton atje anëtarë të organizatave të shoqërisë civile. Një zonjë e nderuar që tani nuk jeton më, më ftoi të shkoja edhe unë atje.

Kisha thjesht kuriozitet të shihja një President.

Mes të tjerash, folën edhe kryetarë organizatash dhe nja dy, si me zell pak të tepruar, u shprehën se ata do të ishin opozitë me qeverinë dhe me pushtetin.

Kjo nuk më pëlqeu. Një ojf nuk mund ta zëvendësonte dot opozitën politike që i binte të ishte partia demokratike e asaj kohe.

Prandaj ndërhyra shkurt dhe thashë se po qe se kjo është opozita, atëhere unë jam opozitë e kësaj opozite.

Gazetari i RD që ishte në takim e keqkuptoi gjithçka thashë. Të nesërmen ai kishte qëndisur një shkrim sa një faqe gazete ku më denonconte sepse sipas tij kisha treguar vullnet që në vend të isha kritik me qeverinë, doja një opozitë kundër opozitës. Dhe sharjet pastaj vinin rradhazi: servil, manipulues e nuk mbaj mend se cfarë tjetër!

Sigurisht që më erdhi keq nga ai keqkuptim krejt i pabazë. Ku e kisha pasur fjalën unë, e ku i binte fyellit gazetari.

Në darkë shkova ta takoja në redaksinë e RD. Nuk mund ta mbaja mbi supe që publikisht të shfaqesha sikur sapo kisha pritur që partia demokratike të binte nga pushteti, që edhe unë t’i hidhja gurë në kurriz.

Kryeredaktori i gazetës më priti mirë dhe shoqërisht. Gazetari nuk qëlloi aty, sikurse më tha, por ai vetë u shpreh se e mirëkuptonte sqarimin tim. Propozimin tim që të bëja një replikë të nesërmen e pranoi me mirësjellje.

Ishte fjala për opozitën e opozitës, por të një opozite me ojf, që e kishte hak opozitën.

Dhe ky ish kryeredaktori që bashkëbisedoi me mua për opozitën e opozitës atë mbrëmje vere të vitit të nxehtë 1997, është vetë kush do të thoni ju?

Vetë zoti Astrit Patozi.

Ai dhe miq të tjerë të tij besoj se tani e kuptojnë se edhe në kuptimin literal të fjalës, jeta e sjell që edhe ndaj drejtuesve të opozitës mund dhe ka vend të bëhet opozitë.

Këto mu kujtuan sot kur lexova se zoti Alizoti paska dhënë dorëheqjen nga kryesia e partisë demokratike.

Habia ime ishte pa anë e pa fund.

Pse iku? Ai edhe të tjerët që konsiderojnë se pozicioni dhe funksionimi i partisë demokratike duhet të jetë tjetër, opozitarizmin e tyre ndaj drejtuesve të opozitës mund ta bëjnë fare mirë brenda partisë dhe jo duke ikur.

Pse e braktisin “frontin” e politikës me dorëheqje patetike, sigurisht të siqnerta, por pa asnjë dobi politike?

Në vend të bashkojnë të gjitha forcat që veprojnë dhe mendojnë si ata për të krijuar rryma dhe korrente alternative brenda partisë.

Cfarë do t’u thotë kryetari i sapodalë nga procedura elektorale? Asgjë. A po thotë ai se vendimmarrja do të jetë në duart e demokratëve. Shumë mirë. Patozi, Topalli, Mustafaj, Imami, Bregu, etj., por shumë më tepër se ata, qindra e qindra të rinj të talentuar dhe plot energji mund të militojnë brenda partisë për të konkuruar dhe lënë vulën e vullnetit të tyre në parti.

Përndryshe do të përsërisin gabimet e para. Nuk folën katër vjet dhe nuk u mobilizuan për demokratizimin e partisë, nuk u aktivizuan në çadër si një event politik i partisë, u treguan të distancuar në zgjedhje, dhe tani a thua do të bëjmë gabimin e radhës??? Pra, të largohen nga partia dhe funksionet e tyre në vend të qendrojnë atje dhe të imponohen me fraksione vertikale që shtrihen deri në bazën e militantëve dhe të elektoratit?

A është demokratike partia demokratike? Kryetari i saj thotë se po. Atëhere rruga për opozitë ndaj kryetarit brenda partisë është e hapur.

Se mos u shkon mendja të krijojnë një parti të re se do të përfundojnë si të gjitha sythet e paçelura të partive që u ndanë nga trupi i partisë demokratike.

Fusha për ta është e hapur dhe ka plot mundësira për art politik, për fantazi politike, për veprim dhe mendim politik.

Ndofta më shumë se te çdo parti tjetër, te partia demokratike sot ka mundësi të goditet autoritarizmi arkaik i vertikalitetit dhe të ketë një konkurrim idesh dhe alternativash.

Nuk e kuptova fare zotin Alizoti që ikën nga një forum drejtues vetëm pse kryetari i tij nuk mendon si ai, ose sepse ai mendon ndryshe nga kryetari!!!

E çfarë pastaj! Kryetari ka punën e vet, zoti Alizoti do të kishte kokën, mendjen dhe idetë e veta!

Kështuqë urojmë mos e bëjnë këtë gabim të tjerët sepse kjo të nënkuptonte që vërtet këta politikanë bartin mentalitetin autoritar por si viktima të tij, me një fjalë kur kryetari nuk mendon si ata, vetëflijohen, ikin, zhbëhen, dhe këtë e quajnë akt fisnik?

Kjo është braktisje e politikës si emancipim demokratik.

E nëse kjo ndodh një ditë nuk do të kemi vetëm opozitën e opozitës, si në atë natë vere të nxehtë të 1997,por edhe opozitën e opozitës të opozitës në 2017.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY