EMRI & FOTO/ Polici në luftë me kancerin: Shteti më ka harruar....

EMRI & FOTO/ Polici në luftë me kancerin: Shteti më ka harruar. Ku të mbytem? T’i vë flakën vetes?!

119
0
Shares

“Çfarë duan këta, që të më dëgjojnë? Të hipi në majë të vinçit? T’i vë flakën vetes? Ku të shkoj të mbytem? Jam i harruar. I shkelur me këmbë. Jam i persekutuar”.
I kapluar nga dëshpërimi dhe pafuqia për të ndryshuar rrethanat në të cilat ndodhet, Petrit Nelaj bën thirrje publike për ndihmë.
Është nga Vlora, 60 vjeç, dhe prej 10 vitesh punon në Policinë e Burgjeve, si inspektor në togën e shoqërimit të paraburgimit të këtij qyteti. Një vit e gjysmë më parë, Petriti është operuar nga një tumor në fshikëzën e urinës.
Tashmë ai e ka të pamundur të përballojë shpenzimet e kimioterapisë. Medikamenti që duhet të injektojë në trup, katër herë në muaj, kushton 120 euro për çdo seancë. Petritin e takuam pak orë pasi kishte bërë seancën e radhës në repartin e Urologjisë te spitali “Nënë Tereza”. Këtë radhë, ardhja e tij në Tiranë dhe shpenzimet e seancës janë mbuluar nga një biznesmen nga Vlora.
“Një njeri me zemër të madhe”, thotë Petriti dhe sakaq shpreh shqetësimin se ku do të gjejë paratë për seancën e radhës.
“Është një mjekim që zgjat gjithë jetën. Duhet ta vazhdoj se në të kundërt më shfaqet kanceri prapë”.
Ai thotë se medikamentin e ka siguruar privatisht dhe se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti, ndonëse prej vitesh paguan kontribute shëndetësore.
Gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, 60-vjeçari rrëfen gjithë peripecitë e sigurimit të parave për kimioterapinë, nga overdraftet dhe kredia në bankë e deri te nxjerrja e shtëpisë në shitje dhe në përfundim, apelin e tij për ndihmë.

Z. Petrit, kur nisën problemet tuaja me shëndetin?
Kam një vit e gjysmë që jam operuar. Kam bërë operacion kirurgjikal për një tumor në fshikëzën e urinës. Nga analizat, skanerët që kam bërë, më ka dalë problem edhe në prostatë. Sipas biopsisë, problemi im është i gradës së lartë. Gjatë kësaj kohe u përpoqa për të bërë gjilpërën kimio, siç më është dhënë nga doktorët. Mjekët Mustafa Xhanin dhe kirurgun Rezart Xhani i falënderoj me gjithë shpirt, por te reparti i Urologjisë te “Nënë Tereza”, gjilpëra që më duhet mua nuk mbulohet nga spitali. Nuk rimbursohet nga spitali. Në farmacitë e lira është një variant tjetër, por jo fiks gjilpëra që dua unë. Unë munda ta gjej përmes vëllait në Greqi, në spitalin e Athinës, në Greqi. Deri tani kam bërë 13 copë. I kam mbuluar me shpenzimet e mia të gjitha. Shteti mua nuk më ka garantuar asnjë gjë. As spitali, asnjë gjë. As institucionet shtetërore nga të cilat unë varem, që nga Ministria e Drejtësisë, që duhet të më mbulojë me fond ekstra për sëmundjet e rënda. As nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila nuk më ka dhënë as një gjilpërë të vetme.

Ku keni trokitur për shqetësimin tuaj dhe ç’përgjigje keni marrë?
Kam trokitur në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, që kur ishte Artur Zoto, i cili sot është i proceduar penalisht për abuzime. Kam vajtur në Ministrinë e Drejtësisë, jam përballur me ministrin Vasili. Ma ka lënë përgjigjen në dilemë edhe në një program televiziv “Njerëz në fokus” në TV News24. Tha që ka të drejtë, është shumë e drejtë, do përpiqemi t’i sigurojmë gjilpërën. Edhe nëse nuk sigurojmë dot gjilpërën, do të përpiqemi të sigurojmë një fond ekstra për këto sëmundje. Të mbulohet dhe jashtë shtetit. Të gjitha këto ranë në vesh të shurdhër. Nuk më ndihmuan dhe nuk më kthyen asnjë lloj përgjigjeje. Kjo është çudia, pse nuk më përgjigjen? Unë jam me kontribute të rregullta shëndetësore. Duhet përfituar rimbursim. Ose të më japin para, ose të më gjejnë gjilpërën. Drejtori i tanishëm i Burgjeve, Arjan Hoxha, më ka pritur. Më ka dhënë shpresë, por deri tani nuk kam marrë gjë. Falënderoj dhe kryetarin e Sindikatës së Policisë së Burgjeve, i cili më ka premtuar ndihmë.

Sa është kostoja e medikamentit që ju duhet të injektoni?
Në muaj duhet të bëj katër gjilpëra, që në total bëjnë 520 euro. Një gjilpërë bën 120 euro. Po heq bukën e fëmijëve. Vajzës i humbi viti. Nuk kisha para t’i paguaja tarifën e shkollës. Iu dogjën provimet. Përveç gjilpërës, kam edhe 50 euro kosto për vizita dhe ilaçe të tjera në muaj. Nga ana tjetër, 220 euro në muaj i paguaj kredi.

Si e keni përballuar deri tani blerjen e këtij medikamenti?
Unë po lyp. E kam përballuar me overdrafte në bankë. Kam dy overdrafte dhe një kredi. Sot që erdha në Tiranë, më është mundësuar gjilpëra, analizat dhe të tjerat nga një biznesmen i Vlorës. Një njeri me zemër dhe shpirt të madh. Edhe Avokatin e Popullit e kam lajmëruar. Kam dhe katër gjilpëra. Nuk e di kush do m’i sigurojë mua këto katër gjilpëra. Bëj dy muaj pushim dhe marr katër të tjera. Pastaj marr nga dy vit për vit. Është një mjekim që zgjat gjithë jetën. Duhet ta vazhdoj gjithë jetën, se në të kundërt më shfaqet kanceri prapë. Shteti nuk më ka dhënë asgjë. Institucioni më ka dhënë vetëm 500 mijë lekë të vjetra në fillim të vitit. Fond tjetër nuk kanë ata. Më shumë mundet të bëjë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë.

Sa vjet keni i punësuar?
Kam 14 vjet me uniformë veshur. Katër vjet në Polici të Shtetit. Jam plagosur dy heë në krye të detyrës. Një herë jam plagosur në vitin 1998. Kam qenë bodigard i shefit të krimeve të asaj kohe, Ilir Ngresi. U largova nga detyra se isha i kërcënuar nga bandat e kohës, ndërkohë që Ngresi u vra nga bandat. Pas njëfarë kohe kam qenë polic sigurie në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe më pas kam kaluar në Drejtorinë e Burgjeve. Plagosja e dytë ka qenë në vitin 2002, në gusht, mora dy plumba në trup gjatë një vjedhjeje të armatosur të një banke në Vlorë.

A jeni ndihmuar në atë kohë?
Asnjë gjë nga shteti. Gjithçka e kam mbuluar vetë. Pas plagosjes kam ndenjur nga 8-9 ditë në spital. Më tej kalova në Policinë e Burgjeve, në vitin 2008 dhe deri më tani. Jam inspektor në Policinë e Vlorës. Institucioni mbase nuk e ka mundësinë direkt të më garantojë mua një fond, por e ka Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. E ka Ministria e Drejtësisë. Këtu ka munguar dëshira. Ka munguar kërkesa zyrtare. Nëse nuk më sigurohet gjilpëra, më jep ta blej. Kam një muaj që kam nxjerrë shtëpinë në shitje. Nuk kam si ta përballoj. Të gjitha ilaçet, medikamentet i blej privatisht. Shteti nuk më ka rimbursuar asnjë gjë fare. Jam i harruar. I shkelur me këmbë. Jam i persekutuar në detyrë. Kam skaner në punë. Mua ai skaneri më bën gropën. Nuk më lënë ta shmang. Jam i detyruar të kaloj, për shkak të rregullores së institucionit të burgut.

Cilat janë të ardhurat e familjes suaj?
Të ardhurat janë vetëm paga ime. 420 mijë lekë të vjetër. Çfarë të bëj me ato lekë? Do mbaj fëmijët, do paguaj kredinë në bankë, do blej gjilpërën, apo do vij në Tiranë? Unë blej dhe rrobat e uniformës, stemat e emblemat. I blejmë vetë me lekë. Më ka mbetur që të vetëflijohem. Jam në një depresion të paparë. Kam arritur në një stres që them “ku të vete”. Unë nuk pushoj derisa të më jepet e drejta. Kontributet që më mbajnë mua ku shkojë? Ku shkojnë paratë e mia? Unë për këtë rast e dua. Nuk më duhen kur të vdes. Unë i vdekur jam. Të kap ndonjë vinç apo të blej ndonjë litër benzinë? E di që nuk do dëmtoj njeri, dënim do t’ia bëj vetes dhe fëmijëve të mi, po nuk kam ç’bëj.

E përballoni dot punën në gjendjen shëndetësore në të cilën jeni?
Dua s’dua do ta përballoj sepse ku do vete? Po s’vajta dhe në punë, ku do vete? Unë punoj 12-orarësh. Ndihmën më të madhe në orarin e punës ma japin kolegët, që ma lehtësojnë dhe për këtë i falënderoj.

Cili është apeli juaj?
Çfarë duan këta që të më dëgjojnë? Të hipi në majë të vinçit? T’i vë flakën vetes? Ku të shkoj të mbytem? Unë dua që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë të më japë një fond, tre deri në katër paga, që të mbuloj gjilpërat. Apelin më të fortë e kam për Kryeministrin Edi Rama. Meqë po bën këtë koalicionin me popullin. Ja, unë jam këtu, katërmbëdhjetë vjet i veshur dhe s’po përfitoj asnjë gjë. I bën thirrje kryeministrit të vendit, Edi Rama, me shpresë të madhe te Zoti, që pasi të dëgjojë historinë time, do vërë diçka në lëvizje. Unë jam konsumuar në të gjitha institucionet. Nuk kam ku vete më. Vetëm kryeministri më ka mbetur dhe fati i Zotit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY