AGRON GJEKMARKAJ/Kthehu Sali Berisha!

AGRON GJEKMARKAJ/Kthehu Sali Berisha!

381
0
Shares
Agron Gjekmarkaj

Nuk do të ishte as normale, as humane e as e drejtë, ta gzhasesh pa fund një individ për të ndërruar mendje në lidhje me vendimet mbi jetën e tij të jetuar paq, plot suksese e beteja, rënie e ngritje. Por, ndonëse të barabartë para ligjit, jo të gjithë individët kanë të njëjtat detyrime etike përballë shoqërisë. E gabuar duket në ajkë ta kritikosh për mënyrën se si ka vendosur ai ta konsumojë moshën e tretë. Prej disa ditësh, Sali Berisha mbi 70 vjeç është i rrethuar me rënkime e psherëtima, thirrje e akuza, lutje e shantazhe, siç shprehen disa kolegë. Heshtja dhe fjala e tij më shumë se kurrë janë bërë të interpretueshme deri në kufijtë e absurdit. Nuk janë të paktë ata që i kërkojnë “fjalë imzot fjalë” dhe ai po i zhgënjen.

 

Nuk janë të shumtë ata që shpresojnë në heshtjen e tij dhe ai po i mban me gajret. Atje, në kullën e lartë në të katërmbëdhjetin kat prej ku sheh metropolin që i rrëshqet nën këmbë së bashku me personazhet që i serviloseshin deri në lëbyrje, ekuacionit nuk i gjen zgjidhje. Si Napoleoni në Fontemblo pas Vaterlosë mbase sheh pazhin e tij të gjetur diku mes robërve të Egjiptit tek ikën duke dihatur me gjuhën përjashta nga rendja drejt padronit të ri.

 

Ose kështu na duket ne së largu. Përtej fjalës dhe heshtjes së tij, Partia që ai së bashku me elitën e kohës themeloi, rrezikon të shndërrohet në një sigël private që përfaqëson gjithnjë e më pak e që “shërben” gjithnjë e më tepër. Sa më shumë PD shkon drejt pikës së vdekjes, aq më tepër zgjerohet nostalgjia për Sali Berishën dhe gabimet e tij  duken si një vijë e largët në horizont.

 

Grupi drejtues me Lulzim Bashën në krye dhe tre a katër personazhet burlesk poshtë tij janë gjetje të tijat,  pse jo vullnetmira, ku për suksesin e tyre me të drejtë një rrahje gjoksi nuk ia merrte askush për keq, siç disfata e tyre groteske  ndonjë rrudhë a brengë ia ka shtuar të mbështjelle me heshtje si qefin. Berisha ka pjesë në dështim, në origjinën e problemit, por pas katër vitesh jo më në fajin dhe turpin e këtij Kryetari apo grupi rreth tij.

 

Sali Berisha ka vepruar siç i është dukur e arsyeshme në përputhje me bindjet dhe interesat e tij qysh kur mori rrëpirën e Qytetit Studenti atij dhjetori të largët. Ne e kemi jetuar gjatë këtij 27-vjeçari historinë e partive politike dhe mund të themi se PD nuk ka qenë kampione e demokracisë dhe garës. Sali Berisha ka qenë një lider autoritar, term ky në këtë rast i përdorur pa konotacion negativ. Një autoritet ky që ka kompleksuar shumëkënd brenda atij formacioni politik, aq sa i ka trumhasur garat. Mjaft të kujtojmë të dashurin Pjetër Arbnori, kandidat përballë Berishës, ku bënte thirrje të votohej Berisha. Arbnori nuk ishte nga ata që shtirej.

 

Po ashtu, duhet pohuar se Berisha ishte një hap para kundërshtarëve të tij mes të të njëjtëve. I ka mundur në mënyrë rituale që në shkurt 1991 dhe pikërisht për faktin se dinte ta mbronte me çdo mjet karrigen e tij nga metonjesit, që me pathos e ëndërronin, por që nuk gjenin aq mjete sa ai. Kështu etiketohej pa mëshirë prej tyre si vetë gazepi. Ai nuk ishte aq delikat sa t’i zhveshte ata nga kostumi i viktimës. Kur i duheshin, i thërriste dhe vinin të gëzuar e harrestarë për ç’kishin thënë qëmoti, teksa u ndezeshin sytë nga ndonjë post.

 

Përtej shenjës tepër të fortë të njëshit, në PD s’ka munguar as debati e as shpërndarja e përgjegjësisë, as dialektika e përfaqësimit së paku deri në vitin 2005, dhe kur ato kanë prekur majën prej saj pjellorisht kanë lindur boll parti të tjera. Shpesh, sikur po zbulonim kërthizën e botës, kemi shkruar e thënë se ai duhet të largohet, se ai kështu e ashtu…! Ndonjëherë kishim edhe të drejtë, por nuk e dinim çfarë na priste nga qeveria dhe nga opozita e re!

 

Sali Berisha për 13 vjet e mbajti PD-në në pushtet dhe për 10 vjet të tjera u soll si shtet më vete pa e negociuar kurrë pozicionin e vet diktues. I bëri shumë të mira madhore Shqipërisë, sigurisht edhe dëme nga ato që nuk dalin dot kujtese sa do që t’i shtysh. Më i fundit po fillojmë të dyshojmë se është  dhurimi i trashigimisë L. Bashës. Ai i thau të gjitha bimët përreth “lules” sa të shkëlqente veç ajo, si “manushaqja” e Naim Frashërit.

 

Kësaj radhe PD-ja e Bashës ka shënuar risi të plotë. Ajo, në asgjë nuk përputhet me historinë e vet tradicionale, madje as me veset, ndonëse s’kemi të bëjmë as me inovacion apo modernizim,  por thjesht me ndërrim letrash në hipotekë, si për të përvetësuar një pronë. Listat për të cilat u tha se dhanë kontribut, veë Bashës edhe persona të familjes, biznesmenë etj. (kjo mbetet ende për t’u vërtetuar), fushata romantike ndaj Ramës e, mbi të gjitha, menaxhimi i humbjes, shfaqen para nesh një Lulzim Bashë të panjohur më parë, një tjetër që na nuk dihet kë bën me faj, ne që nuk e njohëm, apo atë që aktroi kaq bukur duke alternuar zotin  Xhek dhe doktor Haidin.

 

Kjo nuk i përligj në hakërrim as një pjesë të grupit të  kundërshtarëve të Bashës, të cilët luajnë karta puritanësh, sepse atë ndjesi e kanë humbur që kur morën postet e para. Disa syresh s’kanë asnjë kredo morale për të ofruar pos vetes për ta fshehur. Sa mirë do të bënin.

 

Personalisht e kam mbështetur Bashën për një kohë të gjatë, pa hezitim e pendim përballë një Kryeministri e pushteti tejet arrogant e kërcënues, deri sa Basha bëri marrëveshje me Ramën, jo pse bëri marrëveshje, por për pjesën e saj të parrëfyer që e shndërroi në subjekt qyfyresh, për listat si triumf i banalitetit, për goditjet ad personam, për fushatën pa shpirt, pa tharm, pa ide racionale, për arrogancën e përditshme pas  katastrofës elektorale, për ligjërimin bosh e fyes në garën teatrale të këtyre ditëve, ngjarje këto, të cilat krijuan portretin e tij befasues e shqetësues. Një portret rrethuar me kukulla që mund të na bezdise, mund të na trishtojë, mund të na shkaktojë gaz,  por që nuk ngjall më mëshirë.

 

Të kritikosh sot Bashën nuk është majtizëm, siç shprehen disa personazhe mediatike të dorës së tretë, por një përpjekje plot kokëçarje për të mos e parë opozitën e këtij vendi të administruar nga Engjëll Agaçi apo Taulant Balla, se Rama e quan punë të kryer. Këtë trazim e kanë të gjithë ata që me kujtesën historike një lidhje e kanë.

 

Sa më shumë që kori ndaj Sali Berishës i intensifikon zërat rreth tij, kuptojmë se damarët e krizës që ka përfshirë PD-në kanë dalë mbi sipërfaqen e dheut, aq sa çdo erë ia hepon trupin gati rrafsh me tokën. Por Sali Berisha nuk ka ikur siç ikin të gjithë politikanët e as ka ndenjur si ndo zot rrinë ata. Ai ka zgjedhur purgatorin, kujdestarin e heshtur e këshilluesin kur pyetet. Në thelb, pozicion mediokër, i sulmueshëm dhe i pafat. Këtu ai ka tradhtuar natyrën e tij.

 

Sot partia që e mbrojti edhe në ditë tragjike, opozita kryesore e  vendit, ecën tehut të rreziqeve asgjësuese, derte këto që kanë të bëjnë me identitetin e saj, por më e rënda gjë që mund t’i ndodhë asaj është marrja nën kontroll nga Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama. Opozita mund “të blihet” si në Gjeorgji.

 

Enigmat mbi marrëveshjen mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, mosdenoncimi nga PD të paktën deri në nivelin e OSBE-së i rasteve të shitblerjes së votës, përkrahja e hapur dhe okulte që dashamirsit e pushtetit po i bëjnë Bashës në fushatën e tij uzurpuese për të rimarrë PD-në pas humbjes katastrofike, shiharetet masturbuese që në fushatë i dërgonin njëri-tjetrit dy liderët, të bën të mendosh se “djali i mirë” Lulzim Basha po i ofron vendit pas “Shqipërisë që duam”, pikërisht atë më të rëndën gjë, “opozitën që duam”.

 

Në këtë pikë, Sali Berisha, i cili dukshëm do që të ketë një marrëdhënie me historinë, ka një detyrim. Ai me personalitetin e tij të fortë duhet t’ia marrë opozitën qeverisë dhe t’ia kthejë vendit, jo si kryetar, jo si i pavdekshëm, por si figurë karizmatike që mund ta bëjë këtë.

 

Një fjalë goje kjo! Punë e vështirë. Rrezikon të mbetet i vetëm në atë grup parlamentar. Ani, Berisha ka detyrimin etik para kombit, të thyejë heshtjen, t’u japë atyre mundësinë ta tradhtojnë publikisht, nën sytë e të gjithëve dhe këtu s’bëhet fjalë për deputetët rishtarë të zgjedhur nga  Basha, me ata s’ka pse harxhon kohë për arsye pragmatike, por për ata të mbeturit, që dikur i kishte ministra, i caktonte për komisione veshi e për  dërdëllitje gjithë farësoj, punë që e kryenin gjithë shend.

 

Ikja e tyre kokulur e me mollëza plot bulëza djerse, sikur vë në dukje gabimet e hershme të Berishës, por ku e ku më tepër reflektimin e tij, i cili kësaj here po që do të ishte historik. Basha mund t’i mbajë ato duzina deputetësh, veç ata ka. Berisha sot e kësaj dite i ka demokratët edhe ata 200 mijë që munguan në votime të mjaftueshëm për të bërë një opozitë të fortë dhe për t’u ringritur. Berisha mund të mbetet vetëm në sallë, por vetmia nuk e turpëron atë, aspak. Imagjinojeni atë të vetëm në Parlament dhe puthadorët e tij të deridjeshëm, duke e sulmuar në emër të koalicionit “Për Shqipërine Europiane”!?

 

Berisha thotë që është tërhequr. Kështu pat thënë edhe De Goli, por kur nevojat e Francës e thirrën, ai u kthye e mposhti egoizmin e tij. Berisha pat bërë thirrje për revolucion demokratik ndaj Ramës, por Basha i tij nuk e bëri kurrë.

 

Tani është koha që Berisha këtë revolucion demokratik ta bëjë në Partinë Demokratike për të shpëtuar pluralizmin dhe kthyer opozitën së djathtës e Shqipërisë njëkohshëm dhe menjëherë asaj një garë të vërtetë. Nëse një ditë Basha kthehet kokulur e me lot në sy si plangprishës të cilët i dalin pa vështirësi, pse jo…ta pranojë! Basha si vartës nuk duket keq.

 

Ky akt i mbramë shumë më tepër se ato që ia njohim Berishës si vlera do t’i kujtohej gjatë nga historia dhe historianët. Me kaq sa thamë, Sali Berisha nuk bëhet as më shenjtor e as më djall. Ai mbetet Sali Berisha me virtyte e cene, por gjithsesi një politikan me të cilin Edi Rama nuk luan dot, një politikan që mund të humbasë partinë dhe të fitojë mbështetësit e saj. Një politikan që di të bëjë opozitë si askush tjetër. Na mungon ky ekzotizëm. Ai ka punuar që të mbetet i vetëm, i pa krahasueshëm, dhe ia ka dalë. Ndaj sot i kërkohet të luajë atë rol që të tjerët afër skenës nuk kanë shpatulla ta mbajnë.

 

Nëse gjithçka luhet me dashjen e tij, atëherë thjesht kemi të bëjmë me një tepsi plot me mbeturina ….Kush të dojë le ta hajë. Hamleti thotë “diçka është kalbur në Danimarkë”, këtu mund ta përshtasnim gjithçka është kalbur. Të shpresosh nuk është mëkat. Come back (kthehu) Sali Berisha për të fundit herë, për pak kohë! Të presë mëshirën e Bashës apo të metaforës së Kunatit për herën tjetër nuk duhet të ketë qenë qëllimi i jetës së tij. Në këtë pikë duhet t’ia ketë zili Ibrahim Rugovës, i cili iku këso bote pa e parë krijesën e vet (LDK) të bastardhuar, forcë e tretë, të nëpërkëmbur nga “partizanët e rinj”!

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY