Familjarët flasin për operacionin që i mori jetën 18-vjeçares në spital: Mjekët...

Familjarët flasin për operacionin që i mori jetën 18-vjeçares në spital: Mjekët na sorollatën

88
0
Shares

Detaje të reja zbardhen nga vdekja e vajzës 18 vjeçe në Spitalin Rajonal të Elbasanit në rrethana ende të paqarta pas operacionit. Pas denoncimit të familjarëve, ka nisur ndjekja penale ndaj mjekes kirurge, Juli Maksuti me akuzën “Mjekim i pakujdesshëm”, shkruan “Panorama”.
Ketjona Ibrahimi është paraqitur në spital, mëngjesin e së shtunës, me dhimbje të forta barku dhe të vjella, e shoqëruar nga të afërmit e saj. Pasi mjekët e spitalit nuk kanë arritur në një përfundim për shkakun e shqetësimeve të vajzës, kanë vendosur që të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale nisur nga dyshimet se mund të kishte probleme me vezoren.
Disa orë pas një ndërhyrjes, 18-vjeçarja ndërroi jetë për shkak të një komplikacioni në mushkëri. Familjarët e vajzës akuzuan mjekët kundrejt të cilëve tashmë ka nisur hetimi për “mjekim të pakujdesshëm”.
Ndërsa nga ana e tyre, mjekët e pohojnë se ndaj vajzës u kryen të gjitha ekzaminimet e duhura, madje u krye edhe ndërhyrja kirurgjikale, por vdekja e saj është shkaktuar nga një trompo emboli pulmonare, ose thënë ndryshe trompozë në mushkëri. Sipas tyre, vdekja ishte e pashmangshme për vajzën e re.
Për zbulimin e shkakut të vërtetë që çoi në vdekjen e 18-vjeçares do të pritet përfundimi i analizave mjeko-ligjore që do të kryen nga ekspertiza në Tiranë.

Dëshmia
Kunati i 18-vjeçares, i cili ka qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës nga momenti kur ajo është paraqitur në urgjencën e spitalit dhe deri në momentet kur ajo ka ndërruar jetë, bëjnë fajtorë mjekët për neglizhencë, në ndërhyrjen kirurgjikale që i bënë Ketjonës.
Gjatë një komunikimi nëpërmjet telefonit, Renato, tregon për “Panorama” të gjithë kalvarin e ndjekur deri në kryerjen e operacionit, i cili u realizua mbi bazën e dyshimeve, pasi mjekët nuk arritën të gjenin shkakun e dhimbjeve.
Ai thotë se fillimisht kanë shkuar në spitalin e Gramshit, ku prej andej janë dërguar në Elbasan për mjekim të specializuar. Më pas vajza bashkë me familjarët janë paraqitur në urgjencë, prej andej në kirurgji dhe në fund te Pavijoni i Gjinekologjisë.
Pas kontrollit, mjekët kanë dyshuar për komplikacion në vezore dhe për këtë arsye kanë ndërhyrë duke e operuar. Pavarësisht ndërhyrjes, sërish mjekët nuk kanë arritur të përcaktojnë shkaktarin e të gjithë shqetësimeve që vajza 18-vjeçare kishte. Ajo ka ndërruar jetë rreth 10 orë pas operacionit.
“Ketjona kishte dhimbje të forta në pjesën e barkut si edhe të vjella. Mjekët e Gramshit na dërguan për në Elbasan për një mjekim më të specializuar. Fillimisht shkuam në urgjencën e spitalit dhe më pas në kirurgji dhe përfunduam në Pavijonin e Gjinekologjisë, ku edhe u dyshua për ndonjë komplikacion në vezore. Pas shumë sorollatjesh, më në fund vajza u operua. Dhe vetëm 10 orë më pas ajo vdiq. Ky është edhe shkaku se pse kemi ngritur padi ndaj mjekëve, pasi dyshojmë se vdekja e saj është shkaktuar si pasojë e neglizhencës së mjekëve të të dy pavijoneve”, pohon kunati i të ndjerës, Ketjona Ibrahimi.
Dy ditë pasi Ketjona ndërroi jetë, madje u përcoll edhe për në banesën e fundit, Policia e Elbasanit ka nisur procedimin penal për mjeken që ka kryer operacionin.

Hetimet
Specialistët për Krimet, në Komisariatin e Policisë Elbasan, referuan materialet në Prokurori për procedim penal në gjendje të lirë për veprën penale ‘Mjekimi i pakujdesshëm’ në ngarkim të shtetases Juli Maksuti, 43 vjeçe, banuese në Elbasan, me profesion mjeke e përgjithshme kirurge, që sipas Policisë më datë 8 korrik 2017, kreu një ndërhyrje kirurgjikale te pacientja Ketjona Ibrahimi, e cila më pas ndërroi jetë.
Sipas kallëzimeve të familjarëve dyshohet se 18-vjeçarja ka humbur jetën si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm. Grupi hetimor po kryen veprime të mëtejshme në bashkëpunim me ekspertët mjeko–ligjorë për përcaktimin e shkakut të vdekjes.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY