Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani thotë se opozita është e gatshme për të diskutuar një paketë “McAllister +”, duke u ndalur konkretisht edhe tek dy shtyllat e kërkesave gjatë protestës.
Në emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në “News24”, sekretari i Përgjithshëm i PD tha se e sheh të vështirë arritjen e një marrëveshje të hënën me mbërritjen në Tiranë të një zyrtari amerikan. Sipas Ristanit, çështja nuk është te ndërhyrja e ndërkombëtarëve, por te kryeministri Rama që sipas tij është edhe shkaktari i krizës.
Ristani tha se edhe pas takimeve mazhorancë-opozitë për të arritur negociata, kryeministri Rama ka mashtruar. Deputeti demokrat thotë se kreu i qeverisë bën pazare për poste politike.
“Ne kemi bërë të qartë se kemi dy shtylla kryesore: qeveria teknike pa Ramën kryeministër, dhe së dyti votimi dhe numërimi elektronik. Në negociatat që janë zhvilluar Basha ka lëshuar, duke kërkuar që të zbatohet të paktën njëra nga shtyllat në mënyrë të plotë, dhe tjetra të zbatohet pjesërisht. Oferta është shumë e ndershme dhe e sinqertë. Paketa McAllister realizonte një pjesë të gjësë, por nuk realizonte të plotë as qeverinë teknike pa Ramën, dhe as numërimin dhe votimin elektronik. Për një ‘McAllister +’ mund të diskutojmë. Rama përveçse është një shkaktar i krizës, është edhe një mashtrues ordiner. Nga paketa McAllister filloi të bënte numra, jo zv.ministra. E bënte si pazari i Roskovecit, të jap një rosë, me jep një bibë. I ka të gjitha mashtrimet me radhë, siç bëri edhe mashtrimin me 300 mijë vendet e punës”, tha deputeti Ristani.
Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka komentuar sot edhe zërat nëse ‘çadra e lirisë’ e opozitës do të hiqet apo jo nga Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ ku qëndron prej gati 3 muajsh.
Sekretari i Përgjithshëm selisë blu pohoi se deri më tani nuk është marrë asnjë vendim për heqjen e çadrës, që sipas tij është simbol i sakrificës.
“Taktikat e luftës opozitare, nëpërmjet të cilave është dhe çadra, simbol i luftës, janë në diskutim që të ndjekim këtë rrugë apo një tjetër. Por nuk kemi pasur asnjë vendimmarrje që të mbyllim çadrën. Ajo do të vazhdojë. Ka qenë në diskutim forca dhe mënyra se si mund të jetë më mirë. Çadra është kthyer në simbol të protestës, vullnetit. Vërtetë ka qenë simbol i sakrificës. Unë besoj se çadra do vazhdojë dhe nga ana tjetër do besoj tek një zgjidhje e shpejtë”, tha Ristani
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/