Dëshmitari i mbrojtur, Ylvi Beqja, ka pasur një përballje të vështirë në sallën e gjyqit me Emiljano Shullazin dhe katër të bashkëpandehurit e tij, të cilët i ka kallëzuar për “gjobëvënie”. Ndryshe nga seanca e kaluar kur rrëfeu detaje të hollësishme për Gjykatën, dje, Beqja “qepi gojën” duke iu shmangur pjesës dërrmuese të pyetjeve.
Përgjatë dy orëve të seancës, dëshmitari i pyetur në cilësinë e të bashkëpandehurit në një procedim të lidhur dha më së shumti përgjigjen “nuk më kujtohet”. Nga ana tjetër theksoi se u qëndronte deklarimeve të tij të mëparshme. “Humbja e kujtesës” së dëshmitarit solli nervozizëm te të pandehurit.
“Ky vjen e na akuzon. Ne po bëjmë burg dhe ky thotë ‘s’më kujtohet’?! Do bëjmë gjyq, a ta lemë fare”, tha herë pas here i revoltuar i pandehuri Shullazi.
DEBATI I PLOTE
Ylvi Beqja: Në seancën e kaluar, në një moment që trupi gjykues u largua nga salla, unë u fyeva nga ana e të pandehurit Emiliano Shullazi. Kërkoj ndjekje penale për fyerje në publik, nga ana e tij.
Gjykata: Për të bërë një kallëzim duhet të drejtoheni në organet kompetente. Ju lutem, avokat Meci të vijojmë me pyetjet.
Avokati Vladimir Meçi: Me çfarë biznesi jeni marrë?
Beqja: Është gjë personale. Refuzoj t’i përgjigjem pyetjes.
Avokati: Shitjen e ish-hotel “Vollga”-s me çfarë akti e keni bërë?
Beqja: Bazuar në një prokurë të ardhur nga Arabia Saudite.
Avokati: Në kontratat e shitjes është përmendur kjo prokurë?
Beqja: Nuk më kujtohet.
REVOLTA E SHULLAZIT
Shullazi, gjykatës: Zoti kryetar, do të bëjmë gjyq këtu, apo më kujtohet, s’më kujtohet? Do marrim përgjigje ne? Ky vjen këtu dhe më akuzon mua dhe pastaj ‘më kujtohet, s’më kujtohet’. Mirë Prokuroria që e hapi krahun, por edhe ju tani, kështu do të bëni? Nuk po e pyesim a ka pirë kafe mëngjesi, por sa lekë më paska dhënë si gjobë.
Beqja, gjykatës: Zoti kryetar, mos e lejoni të më intimidojë. Keni faj ju zoti kryetar që e lejoni të më pyesë për koburen e nxehtë apo të ftohtë. Nëse i ka t’i tregojë ai koburet.
Shullazi, Beqjes: Ato që t’i thashë unë, t’i them prapë. T’i them edhe me noteri po deshe. Nuk po i përsëris tani, se janë ca zonja këtu, por po deshe, t’i them.
“NUK ME KUJTOHET”
Avokati: Keni rënë dakord me Emiliano Shyllazin para, apo pas shitjes së një pjese të ish-hotel “Vollgës” te Fejzi Kodra?
Beqja: Nuk më kujtohet.
Avokati: Ka ekzistuar ndonjë prokurë e vitit 2009 të “Saudi Brother”?
Beqja: S’më kujtohet. Duhet të shoh letrat.
Avokati: Në këtë prokurë i jepen të drejta Romeo Tarës?
Beqja: Po.
Avokati: Është anuluar ndonjëherë kjo prokurë?
Beqja: S’më kujtohet.
Avokati: Prona ka qenë aset i shoqërisë “Saudi Brothers”. Është pasqyruar në bilancin e shoqërisë shitja te Fejsi Kodra?
Beqja: S’më kujtohet.
Avokati: Kohëzgjatja e shoqërisë a është nga 18. 08. 1994 deri në 08. 08. 2014?
Beqja: S’më kujtohet. Është bërë zgjatja e afatit sipas procedurës. E kam bërë unë.
Avokati: Ç’lidhje keni me shtetasin Agron Muça?
Beqja: E njoh.
Avokati: Keni pasur marrëdhënie kontraktuale me të?
Beqja: Nuk i përgjigjem pyetjes. (Përgjigjet pozitivisht pas ndërhyrjes së Gjykatës)
Avokati: Cili ka qenë objekti i kontratës?
Beqja: Huamarrje nga unë. Nuk më kujtohet shifra.
Avokati: E njihni Rexhep Sufin?
Beqja: Po, e njoh.
Avokati: Keni pasur ndonjë marrëdhënie? Nëse po, jeni shlyer me të?
Beqja: Marrëdhënie huamarrje dhe huadhënie. Nuk më kujtohet shifra. Akoma nuk jam shlyer, po s’kujtoj shifër.
Avokati: Po me shtetasin Sinan Topi? Sa para i ke marrë?
Beqja: E sqarova herën e kaluar. S’i kam marrë asnjë lek Sinan Topit. Unë e kam çuar në Prokurori atë.
Avokati: Paulin Ndreun e njihni?
Beqja: S’më kujtohet.
Avokati: Po Hamit Vorfin?
Beqja: E njoh. Nuk kam pasur marrëdhënie kontraktore me të.
Avokati: Keni shkuar te noterja Alida Spahiu për të bërë aneks të një kontrate?
Beqja: Nuk më kujtohet, kam qenë i terrorizuar.
“U QENDROJ THENIEVE TE MIA”
Avokati: Çfarë bëtë te kjo notere?
Beqja: I thashë të gjitha herën e parë unë. Ia kam thënë dhe Prokurorisë. I ka të gjitha aty. Unë shkova që në mëngjes, pasi isha kërcënuar në darkë. Ajo më tha që ti ke kontratë me kushte. I thashë fshije të gjithë, s’më intereson. Më interesonte jeta ime. E kam treguar se ç’ndodhi kur erdhën këta. Mbyllen qepenat.
Avokati: Sa qëndruat aty?
Beqja: Sa kemi hyrë Aida më ka përmendur shumën e lekëve, që ende nuk kishin kaluar lekët e shitjes së Fejzi Kodrës. Ai që mbron ti avokat tha “Dale, dale, ça lekësh janë këto?”. Kur më nxori jashtë kërkoi 30 për qind të pronës duke më kërcënuar. U kthyem në zyrë dhe e bëmë.
Avokati: E dini që Regjistruesi ka kërkuar plotësimin e kontratës?
Beqja: Nuk më kujtohet.
Avokati: Si keni komunikuar me pronarin e kompanisë?
Beqja: S’më kujtohet.
Avokati: Cila është adresa juaj e-mailit? Beqja: I kam mbyllur të gjitha. Ia kam dhënë Prokurorisë sepse më kanë kërcënuar nga të gjitha anët, në telefon, në adresa e-maili.
Avokati: Te marrëveshja e bërë te noterja Drita Pepi ishte parashikuar shitja?
Beqja: S’më kujtohet.
Avokati: Çfarë përfaqësojnë 20 për qind e sipërfaqes së pronës?
Beqja: 10 për qindëshi i parë i sipërfaqes prej 2500 metër katrorë të pronës, ndërsa 10 për qind tjetër ishte pas përfundimit të gjyqit në Gjykatën e Lartë.
Avokati: Keni dhënë intervistë në media?
Beqja: S’më kujtohet. Avokati: I keni bërë letër Prokurorit të Përgjithshëm në lidhje me Shullazin?
Beqja: Absolutisht jo.
Avokati: Në një rast, që të është prishur makina në Rrogozhinë, të ka ndihmuar Emiliano Shullazi?
Beqja: Nuk më kujtohet.
Avokati Denion Ndrenika: Unë nuk mund të pyes dëshmitarin, pasi ne jemi fqinjë. Dyert tona janë 5 metër larg njëra-tjetrës. Unë dua vetëm të them që çështja mes Shullazit dhe Ylvi Beqjes për përqindjen e ish-hotel “Vollgës” është një mosmarrëveshje civile, derisa kemi të bëjmë me një marrëveshje kontraktore.
Endrit Qyqja: Pas arrestimit të Shullazit, jemi takuar ndonjëherë ne?
Beqja: Vetëm një herë. Ke ardhur te lagjja. Të kam marrë vetë në telefon.
Qyqja: Çfarë më kërkove?
Beqja: Të thashë t’ua plotësoj 700 mijë euro dhe të tërhiqeshit nga prona dhe t’i thoshe Shullazit se ma ka bllokuar pronën Prokuroria.
Qyqja: Ne kemi folur me SMS mbi 50 herë, jemi takuar mbi 10 herë.
Beqja: Janë fantazi.
Qyqja: E ke larguar familjen nga Shqipëria, pasi u arrestua Shullazi?
Beqja: Nuk përgjigjem. S’ka ç’të duhet familja ime ty.
Qyqja: Unë jam në burg për këtë, ky thotë s’përgjigjem e s’mbaj mend.
“IA KE PIRE LENGUN GJYKATES”
Shullazi, gjykatës: Po mirë, të na përgjigjet Prokuroria atëherë. A kemi ardhur të sqarohemi këtu? Si qenka kjo, ky akuzon dhe pastaj s’i kujtohet. E mbyllim gjyqin fare, pra. Se media u shqye duke thënë i penduari. Ça i penduari është ky. Kjo është pendesa, s’më kujtohet, s’më kujtohet?
Kryesuesi Prendi: Dëshmitari nuk është i detyruar të përgjigjet. Ai gëzon cilësi të veçanta, pasi nuk po pyetet si dëshmitar i thjeshtë, por si një person i bashkëpandehur në një procedim të lidhur. Është e drejta e tij të mos përgjigjet për pyetjet, për të cilat nuk do të përgjigjet.
Shullazi: Ky vjen dhe akuzon e tani nuk përgjigjet. Ça ligji është ky kështu?
Kryesuesi: Ju risqaroj që për shkak të cilësive të veçanta, ka të drejtën të mos përgjigjet.
Shullazi, Beqjes: The që me ke dhënë 400 mijë euro. Ku i ke marrë?
Beqja: Kam pasur lekë më vete, të miat. Kam marrë dhe nga një llogari në bankë.
Shullazi: Çfarë llogarie?
Beqja: Ky po intimidon. Unë nuk tregoj llogari të tjera bankare, se kam frikë se më vënë gjobë prapë.
Shullazi: Sa lekë më ke dhënë kesh?
Beqja: Rreth 400 e ca mijë euro. Ky vazhdonte kërkonte. Pastaj kam firmosur çek.
Shullazi: Kur çohem unë dhe prokurori në këmbë para gjykatës, duhet të çohet dhe ky në këmbë. Ky ia ka pirë lëngun gjykatës.
KERCENIMI I QYQES
Endrit Qyqja: Çfarë kam bërë unë?
Beqja: Unë gjykatës i vë në dispozicion çeqet që kam tërhequr. Endrit Qyqen e kam marrë në telefon dhe i thashë të më takojë. Ai më tha “vij për 10 minuta”. Erdhi bashkë me Endri Zelën. i thashë që Prokuroria më ka bllokuar pronën. i thashë që për 10 për qindëshin e parë jua kam dhënë 500 mijë euro. Do ju plotësoj 700 mijë euro dhe tërhiquni nga prona. Këta më thanë “Atë pronë do ta gëzojë vetëm Mili” dhe “Ne hedhim në tokë më të mirin”. Pasi u ndamë, ua thashë edhe njëherë në telefon të njëjtën gjë. U thashë tërhiquni nga prona se “do jem unë halli juaj”, pasi do u drejtohem organeve.
Endri Zela: Si jemi njohur bashkë?
Beqja: S’kemi pasur njohje.
Zela: Të kam bërë ndonjëherë presion unë ty?
Beqja: Atë ditë, kur ishin bashkë, ti e dëgjove ç’tha ky dhe më the “Po, ke ndonjë kundërshtim?”.
Zela: Më ke thënë ndonjëherë që ndihesh i kërcënuar, që të kanë kërcënuar?
Beqja: Këta (të pandehurit) ishin kërcënuesit.
Zela: Si qenkemi ne kërcënuesit? Ne ishim kërcënuesit dhe ti na merrje për të kërkuar ndihmë nga kërcënimet?! Jemi takuar ndonjëherë te “M…”? Nuk më ke thënë që ndihesh i kërcënuar nga një prokuror i Krimeve të Rënda?
Beqja: Nuk ka ndodhur. Është fantazi.
(Ndërhyn Qyqja nga vendi: T’i na çave telefonin, duke kërkuar ndihmë).
Zela: Çfarë i kam thënë unë gruas tënde?
Beqja: Nuk më kujtohet.
“KETA TE VRISNIN”
Avokati Elton Domi: Ke firmosur dy çeqe për Endrit Zelën. E mban mend ç’procedurë ke ndjekur?
Beqja: Nuk më kujtohet.
Gilmando Dani: Pse e bërë kallëzimin pas dy viteve?
Beqja, gjykatës: Këta nuk mund t’i denoncoje, se këta të vrisnin.
(Ndërhyn Shullazi nga vendi: Po ti më prezantoje gjithandej si vëllai i vogël, si paske pasur frikë).
Dani: Më ke marrë në telefon? Cila ka qenë biseda jonë e fundit?
Beqja: Biseda e fundit me ty ka qenë kur më the “gjethe, ke ndonjë gjethe nga ato jeshilet”. Të kam thënë që kam falimentuar. Pastaj ti ia kalove telefonin atij tjetrit, që më tha “Nuk kemi më nevojë për ty”.
Dani: Sa herë ke dhënë deklarime? Në një ditë, apo ditë të ndryshme?
Beqja: Më duket se kam dhënë dy herë, në ditë të ndryshme.
“PJESEN TIME S’E MERR KUSH”
Shullazi: The që prona është e Fejzi Kodrës dhe e imja.
Beqja: Kam thënë që prona përbehet nga pjesa e Fejzi Kodrës dhe pjesa që keni grabitur ju.
Shullazi: Pjesa ime, është pjesa ime. Nuk ma merr dot asnjeri atë. Për çfarë e ka fjalën ky kur thotë, prona vlen 7 milionë euro. Ky s’ka pronë më aty.
Beqja: Ka ardhur dhe më ka ofruar 7 milionë euro, 1 milion i kishte dhe 6 do i jepte më vonë.
Shullazi: Kush është ky?
Beqja: Elvis Martinaj.
Shullazi: Kush është ky, përfaqësuesi im? Unë s’e njoh fare. The që Romeo Tarës i ke dhënë një çek 26 mijë euro për ne.
Beqja: Nuk më kujtohet. Panorama
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/