Mbeten ende mister autorët e atentatit të biznesmenit Tofik Hyka, qe mbeti i plagosur të mërkurën në një atentat, teksa po pinte kafe në zonën e Tiranës së Re.
Autorët qëlluan 4 herë me armë zjarri në drejtim të tij, por dy plumba e goditën në kokë e pranë zemrës, duke e lënë të plagosur rëndë, shkruan “Panorama”.
Ngjarja ndodhi në verandën e një hoteli që ndodhet pranë Stadiumit “Selman Stermasi”, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, në Tiranë. Burimet thanë se biznesmeni 56-vjeçar, pavarë sisht se ishte goditur me dy plumba, nuk e kishte humbur vetëdijen deri në momentin që në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë.
Nisur nga deklarimet e dëshmitarëve, Policia e Tiranës ngriti pika kontrolli për ndalimin e një motori, me karakteristikat e atij të përdorur nga atentatorët. Megjithatë, deri tani ende nuk është gjetur motori i përdorur nga autorët.
Burimet thanë se sipas dëshmitarëve, autorët janë afruar me motor deri pranë lokalit, por nuk kanë zbritur, duke qëlluar 4 herë në drejtim të tavolinës ku ishte ulur Hyka bashkë me shoferin e tij. Sipas dëshmitarëve autorët janë larguar menjëherë, ndërsa kanë parë që personi ndaj të cilit u qëllua, mbante dorën në kokë dhe ishte i gjakosur.
Ai nuk e kishte humbur vetëdijen për asnjë moment, derisa iu dha ndihma e parë. Ndërsa, sa u përket autorëve, dëshmitarët kanë deklaruar se ata mbanin skafandra në kokë.
Policia e Tiranës tha se, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për sigurimin dhe sekuestrimin e çdo prove që do shërbejnë për identifikimin e autorëve.
Në vendin ku ndodhi plagosja e biznesmenit Tofik Hyka, Policia tha se ka sekuestruar 4 gëzhoja të kalibrit 6.5 milimetër, si dhe dy predha që po analizohen. Deri tani nuk janë gjetur prova të tjera që mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve. Në Polici janë shoqëruar edhe dje disa persona të dyshuar për ngjarjen, por janë liruar pas disa orësh.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/