Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo i ka dalë në krah kryetarit Lulzim Basha, pas akuzave të bëra ndaj tij nga anëtarë të tjerë të kësaj force politike. Ndonëse ai pranon se Basha ka përgjegjësinë kryesore për humbjen e PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit, shton se çdo kush ka pjesën e tij të fajit.
Në emisionin “Natë me Xhaxhiun” në “News24”, deputeti demokrat u ka përcjellë një mesazh kolegëve të tij demokratë, që të mos bëjnë sulme personale.
“Doja t’i lutesha kolegëve të mi, shumicën i kam shokë e miq, që të paktën këtej e tutje të mos përdorin gjuhën e Taulantit, dhe të mos bëjnë sulme personale. Mendoj se jo vetëm demokratët, por edhe qytetarët e kuptojnë se kemi të bëjmë me një mllef personal. Nga pikëpamja e leverdisë politike nuk sjellin asgjë, përveçse dëmtojnë çdo urë komunikimi”, tha Pollo.
Sakaq, deputeti demokrat ka kritikuar kolegët e tij që për shkak të “mllefit personal”, kanë dëmtuar PD-në gjatë fushatës elektorale, përmes sulmeve.
“Po t’i faturojmë këtë edhe sulmin gjatë fushatës elektorale, që është tabu edhe në Europë, nëse nuk flet dot por partisë tënde gjatë fushatës, nëse nuk kontribuon dot, të paktën rri në shtëpi, mbyll gojën. Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur. Tani jemi në një fazë, që vendit i duhet një opozitë. Kemi një ramë me 73 deputetë”, tha Pollo.
Deputeti demokrat thotë se zgjedhjet e 25 qershorit kanë qenë në ndikuara edhe nga probleme tashmë të njohura siç është blerja e votës.
“Nuk e kisha pritur një rezultat të tillë, nuk e kisha imagjinuar. Ne dolëm forcë e dytë, por rezultati nuk ishte ai që prisnim. Për rezultatin duhet analizë”, u shpreh Pollo.
Ai tha se “edhe në raportin e OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve përmendet disa herë fenomeni i blerjes së votës.
Edhe PD e ka ngritur shqetësimin për këtë fenomen. Sakaq, edhe brenda PD duhet të bëhet një analizë për faktorët që kanë ndikuar në këtë rezultat”, tha Pollo.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/