E RRALLË/ Gramsh, Policia padit mushkën.., ja arsyeja

E RRALLË/ Gramsh, Policia padit mushkën.., ja arsyeja

848
0
Shares
Foto Ilustruese

Trysnia që ushtrohet vazhdimisht ndaj punonjësve të thjeshtë të Policisë për të marrë çdo kallëzim penal nga qytetarët krijon mbingarkesë artificiale në strukturat e rendit, por edhe te Prokuroria.
Veç kësaj, duke u marrë me disa raste që dukshëm nuk përbëjnë as interes dhe që nuk kanë as efekte në rendin publik, policia lë pas dore ngjarje të tjera më të rëndësishme, duke investuar kohën dhe burimet e saj në ngjarje që nuk përbëjnë krim.
I tillë duket një rast i ndodhur një ditë pas zgjedhjeve në Gramsh, ku Policia ka referuar në Prokurori ngjarjen ku një shtetas ka mbetur i plagosur pasi është rrëzuar nga mushka e tij në mal, shkruan “Panorama”.
Një kallëzim i rrallë dhe i pazakontë është bërë nga Policia në Prokurori më 26 qershor 2017. Referimi i Policisë për ndjekje penale në Prokurori bën fjalë për një ngjarje ku mushka ka plagosur një qytetar. Ngjarja sipas referimit të bërë nga ana e Policisë, ka ndodhur më 24 qershor 2017, në orë 11:30.
Në këtë kohë, sipas referimit të marrë nga Policia dhe që është përcjellë më pas në Prokurori, qytetari A. C., i datëlindjes 1980, është paraqitur në spitalin rajonal të Gramshit me dëmtime të lehta fizike në trup. “Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se ky shtetas në datën 24 qershor 2017, rreth orës 08:00, ka shkuar në mal për të prerë dru zjarri dhe është rrëzuar nga mushka duke u dëmtuar fizikisht dhe më pas është paraqitur për ndihmë mjekësore në spitalin e Gramshit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me këtë ngjarje, i është marrë deklarim babait të të plagosurit, shtetasit B. C., i cili ka shpjeguar se djali i tij u nis më parë në mal për të prerë dru për zjarr. Ai shkoi në mal me mushkën, por në një pjesë të rrugës është ndeshur me një gomar dhe si pasojë, është trembur mushka. Në këtë kohë, i dëmtuari nga kjo ngjarje ka zbritur nga mushka duke e mbajtur atë për litari, por ajo është rrëzuar dhe sëpata që ka qenë e vendosur në samar, ka prerë në kurriz Alfredin.
Babai më pas e ka hipur djalin në mushkë dhe e ka dërguar në fshat dhe më pas e ka përcjellë në spitalin rajonal në Gramsh, ku ka marrë ndihmën mjekësore. Në kallëzimin e marrë nga ana e Policisë, thuhet se po kryhen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, duke përgatitur edhe materialet hetimore që do t’i kalojnë më pas Prokurorisë së Elbasanit për këtë ngjarje aksidentale.
Kallëzime të tilla dukshëm pa autor dhe pa fajtor, bëhen vazhdimisht për shkak se efektivat e Policisë “mbajnë përgjegjësi” nëse nuk dokumentojnë çdo rast që u paraqitet nga ana e qytetarëve. Por, nga ana tjetër, në momentin që një material i tillë referohet në Prokurori, organi i akuzës është i detyruar të bëjë një vendimmarrje, e cila kërkon kohë dhe veprime procedurale.
Në këtë mënyrë mbingarkohet Policia dhe Prokuroria me ngjarje, hetimi i të cilave nuk çon në asnjë rezultat. Fenomeni i tillë i përcjelljes së materialeve që nuk përbëjnë vepër penale nga Policia në Prokurori është i përhapur në të gjithë vendin prej vitesh.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY