EMRI & DETAJE/ Grabit kasafortën e kushëririt, me eurot e vjedhura tentoi...

EMRI & DETAJE/ Grabit kasafortën e kushëririt, me eurot e vjedhura tentoi të blinte drogë

128
0
Shares

Hetimi i nisur ndaj një 43-vjeçari të dyshuar për vjedhjen e një kasaforte me 24 mijë euro në banesën e kushëririt në Tiranë, ka nxjerrë në dritë të tjera “mëkate” të tij.
Pa ditur se ishte në përgjim, ai ka bërë biseda telefonike për blerjen e një sasie droge. Ai është mbajtur nën vëzhgim nga agjentët e policisë për t’u arrestuar më pas në flagrancë në një mjet ku u gjetën 16 kilogramë kanabis sativa, shkruan “Panorama”.
Sipas Gjykatës së Tiranës, 43-vjeçari Klodian Çela është deklaruar i fajshëm për akuzën e “vjedhjes” dhe të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Ai u dënua me 12 vjet burg, dënim i cili u ul në 8 vite për shkak se çështja u shqyrtua me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Për akuzën e dytë u shpall fajtor edhe i bashkëpandehuri i tij, Fadil Kushova, i cili u dënua përfundimisht me 4 vjet e 8 muaj burg.
Referuar vendimit të Gjykatës, i pandehuri Çela është njohur nga ana e pronarit të kasafortës së vjedhur gjatë analizimit të pamjeve filmike të një kamere sigurie.

Vjedhja e kasafortës
Sipas Gjykatës, në datën 28. 09. 2015 është vjedhur banesa e shtetasit S. K. I dëmtuari së bashku me bashkëshorten e tij kanë qenë në një dasmë jashtë kryeqytetit dhe kur janë kthyer, kanë gjetur të hapur derën e banesës e ndodhur në katin e 7-të të një pallati në rrugën “Luigj Gurakuqi”, në Tiranë.
S. K., ka konstatuar se i ishte vjedhur kasaforta, të cilën ai e kishte në dollapin e dhomës së gjumit. Në të kishte 23.000 euro, 100 mijë lekë, një varëse floriri dhe disa suvenire. Gjithashtu kanë vjedhur rreth 500 euro të ndodhura në një kasë sigurimi për fëmijët. Kasaforta është vjedhur dhe është futur në një valixhe që ishte në banesën e të dëmtuarit.
Pamjet filmike të vendit të ngjarjes si ato të ashensorit dhe ato të një biznesi pranë banesës tregojnë dy persona që përpiqen të mbulojnë fytyrat dhe tërheqin valixhen ku ndodhet kasaforta e vjedhur.
Sipas dëshmisë së shtetasit S. K., personi që duket në kamera është Klodian Çela, i cili është djali i kushërirës së tij të parë. Ai ka pretenduar se në lidhje me këtë vjedhje, daja i personit që dukej në video i ka thënë “mos e denonco në polici, pasi nëse e vërtetoj që është ai, do të dal unë garant që të kthejë pjesën e tij që ka marrë”.
Pas disa ditësh, ai e ka takuar përsëri dhe i ka thënë që të bëjnë një deklaratë noteriale me Klodianin, në mënyrë që të kthejë lekët brenda dy muajve. Më pas këto deklarime janë mohuar dhe në këto kushte janë vendosur në përgjim numrat e përdorimit të shtetasve S. K., T. K., dhe Klodian Çela.

Përgjimet
Nga përgjimet ka rezultuar se Klodian Çela ka folur me numrin 06…382 dhe nga biseda kuptohet që janë duke folur për të parë një mostër lënde narkotike, me qëllim blerjen e lëndës në fjalë. Më datë 30. 04. 2016, ka rezultuar se i pandehuri Klodian Çela ka dalë nga banesa e tij dhe ka hipur te një mjet tip “Toyota”.
Në dorë ka pasur një çantë të zezë, të cilën e ka futur në sediljen e pasme të makinës. Është ndërhyrë nga forcat e policisë dhe janë ndaluar të pandehurit Klodian Çela dhe Fadil Kushova, i cili ishte pronari e drejtuesi i mjetit.
Në sediljen e pasme të tij u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 6 qesesh me ngjyrë të zezë me lëndë narkotike të tipit kanabis sativa dhe një sasi prej 0.2 gramë lëndë narkotike e dyshuar si kokainë. Lënda narkotike, që ishte në çantë, pas peshimit rezultoi të ishte 15 kg e 954 gramë.
Në banesën e të pandehurit Klodian Çela u gjet një sasi prej 588.6 gramësh e të njëjtit lloj. Sipas raporteve të vëzhgimit, të pandehurit Klodian Çela dhe Fadil Kushova kanë lëvizur me automjetin tip “Audi”, që drejtohej nga i pandehuri Kushova, dhe në të ka qenë shpesh edhe shtetasi Fredi Isaraj, dosja ndaj të cilit është veçuar.
Nga akti i ekspertimit të gjurmëve të gishtërinjve ka rezultuar se gjurmët e fiksuara në letrën natriban të drogës që iu sekuestrua të pandehurve Çela e Kushova, i përkasin Isarajt.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY