Procesverbali i themelimit të PKSH-së, Dervishi rrëzon alibinë e Ngjelës

Procesverbali i themelimit të PKSH-së, Dervishi rrëzon alibinë e Ngjelës

289
0
Shares

Kërkuesi i arkivave, Kastriot Dervishi ka rrëzuar alibinë e Spartak Ngjelës se procesverbali i themelimit të PKSH është zhdukur në Itali.

“Lexova sot në të përditshmen “Panorama” një intervistë në të cilën z.Ngjela (si dhe herë të tjera të mëparshme) deklaronte se procesverbali i themelimit të PKSH-së ndodhet në Itali dhe se këtë e ka mësuar nga i ndjeri Zef Mala gjatë kohës që ka qenë në burg me të. Duket e çuditshme që italianët lanë në Shqipëri fondet bazë arkivore si Mëkëmbësia apo Legata dhe paskan pasur mendjen te disa fletore komunistësh. Nisur nga fakti se e kam hetuar për shumë vite këtë çështje, aq shumë të lidhur me procesin e dëmtimit të arkivave, kam krijuar bindjen se procesverbali i mbledhjes themeluese nuk ka qenë kurrë në Itali, porse është asgjësuar pikërisht në kohën e shkatërrimit të shtetit shqiptar në fund të vitit 1944. Nuk ka pasur asnjë mundësi që procesverbali në fjalë të udhëtonte në Itali. Z.Ngjela ose ka keqkuptuar Zef Malën, ose ky i fundit ka krijuar një perceptim të gabuar për ngjarje që nuk kanë lidhje me të. Historia është kjo vijuesja:

Zef Mala u arrestua ditët e para të regjimit fashist. Në fund të vitit 1939 ai u arratis nga burgu, e për këtë shkak, autoritetet fashiste e dërguan për të vuajtur dënimin në Itali (Ventotene). Në këtë mënyrë, Mala nuk ishte i pranishëm kur u formua PKSH-ja. Në korrik 1943 fashistët e sollën në Shqipëri dhe e dënuan me 14 vjet burg. Me kapitullimin e Italisë, në shtator 1943, Mala doli nga burgu dhe shkoi në çetën e Pezës, ku për shkak të sëmundjes së syve, nuk luftoi por për pak kohë u mor me punë administrative. Në dhjetor 1944 u dërgua për mjekim të syrit në Bari të Italisë. Në prill 1945 erdhi në Shqipëri. U emërua shef seksioni në Bibliotekën Kombëtare dhe më vonë drejtor i saj. Në vitet 1947-1949 u burgos. Më 1949 – 1952 është drejtor i Arkivit të Shtetit. Më 1955-1959 burgoset përsëri. Për herë të fundit Zef Mala u arrestua më 7 nëntor 1978. U dënua përsëri me 10 vjet burgim se i shkroi një letër kryeministrit për të kundërshtuar internimin e tij. Vdiq në spitalin e burgut në Tiranë më 27 dhjetor 1979.

Fletoret e themelimit të PKSH-së kanë qenë gjithë kohën në Tiranë. Ato u përfshinë si prova hetimore të një procesi të madh politik që është zhvilluar për pjesën më të madhe të komunistëve në mungesë. Arkivi i Partisë Komuniste dhe materiale të tjera u gjetën më 4 maj 1942 në shtëpinë e marrë me qira nga Zef Ndoja në Tiranë. Përveç dokumenteve në këtë bazë u gjetën: 6 kaseta hekuri pjesërisht të mbushura me plumb të organizuara për eksploziv, 37 karikatorë komplet për armë “model 91”, 20 metra fitil për ndezje të ngadaltë, 12 bomba dore të fuqishme, 4 karikatorë me nga 20 fishekë mitralozi, 9 pako me nga 3 karikatorë me fishekë të kalibrit 7.92, 103 fishekë për revolverë, 1 mitraloz kundërajror, 3 pushkë, 30 fishekë për shpërthim minash, etj. Po ashtu u kapën dokumente të panumërta, një farmaci e vogël, stofra, lejeqarkullimi, vula false, etj.

Këto prova i kam gjetur lehtësisht në një praktikë dokumentare të çmuar prej 121 faqesh të datës 19.4.1943 të nënshkruar nga gjyqtari hetues, major Sartorio Gresertenti, i cili i përcolli Gjykatës Speciale të Shtetit në Tiranë akuzën ndaj 203 komunistëve. Në këtë listë, në numrin 63 është edhe emri i Zef Gjon Malës (atë çast i ndodhur në Ventotene Itali).

Sipas kësaj akuze ishin gjithsej tre fletore në lidhje me themelimin e PKSH-së. Akuza fashiste ka referuar përmbajtjen e tekstit të fletoreve dhe për mua mbetet dokumenti i vetëm shkresor për themelimin e 8 nëntorit. Në fletoren e parë janë shënuar emrat e datës themeluese, 8 nëntor 1941 si dhe diskutimet. Fletoret e tjera nuk komentohen me interes të veçantë, por është e qartë se janë zënë shumë dokumente në gjuhën serbe dhe se emrat e Miladinit e Dushanit përmenden dendësisht në këtë material si organizatorë e drejtues të Partisë Komuniste.

Në justifikimin e aktakuzës, prokuroria cilësonte se organizata komuniste do vendoste një diktaturë të një klase në dëm të klasave të tjera, nëpërmjet kryerjes së akteve subversive, organizimit të kryengritjes, sabotimit të puseve të naftës në Kuçovë, etj.

Zef Mala është burgosur në Itali, por dënimin e mori në Shqipëri rreth korrikut 1943 dhe këtu u vendos dënimi i tij. Edhe nëse pranojmë faktin se Zefi i ka parë fletoret, këto i ka parë vetëm në Shqipëri kur është dënuar dhe hetuar dhe jo në Itali. Fletoret nuk mund të ishin pjesë e një procesi të veçantë në ngarkim të Zefit pasi ai nuk ishte themelues i PKSH-së, madje ndodhej në Itali. Përfundimisht e them me bindje se fletoret mbi themelimin e PKSH-së nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë në Itali. Ato kanë humbur në kohën kur komunistët morët pushtetin në fund të vitit 1944. Në këtë kohë, komunistët, pasi hoqën nga puna të gjithë arkivistët “e shtetit borgjez”, përveç katastrofave të shumta që i shkaktuan vendit, shkatërruan, dëmtuan dhe asgjësuan shumë dokumente me vlerë të jashtëzakonshme historike. Kësisoj humbja e procesverbalit në fjalë duhet kuptuar e lidhur ngushtë me shkatërrimet e komunistëve dhe e mungesës së dijeve shtetfirmuese të tyre. Se normalisht shtetbërja është së pari mënyra si ndërton, administron e mbron arkivat, çfarë kujdesi ke ndaj arkivistëve, etj”, shkruan Dervishi.

Fotografia e Kastriot Dervishi

-Foto e Zef Malës i burgosur në Bari më 26.2.1940.

-Faksimile të aktakuzës së hetuesit të Gjykatës Speciale të Shtetit në Tiranë të datës 19.4.1943, në të cilën është bërë edhe konspekti i fletoreve të themelimit të PKSH-së.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY