“Babi është konsumator i rregullt i pijeve alkoolike. Është i dhunshëm. Kur erdhi në shtëpi, na shau ne vajzave. Pastaj rrahu motrën dhe më pas e qëlloi me thikë në bark”.
Këto fraza kanë qenë pika e takimit e dëshmive të gjashtë anëtarëve të familjes Ibraj në lidhje me ngjarjen e 31 janarit 2016 në shtëpinë e tyre, raporton “Panorama”.
Atë natë, kryefamiljari Kujtim Ibraj, i sapo divorcuar nga bashkëshortja, vrau me thikë vajzën e tij 16-vjeçare, Elidona Ibraj, në sy të gjashtë anëtarëve të tjerë të familjes, si edhe plagosi një tjetër.
Dëshmitë e të pranishmëve në krimin makabër të kryefamiljarit kanë qenë prova kryesore e Prokurorisë në gjykimin e tij te Krimet e Rënda. Pak ditë më parë, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda përfundoi gjykimin e dosjes së Ibrajt, duke lënë të pandryshuar dënimin me 35 vjet burg, dhënë nga Shkalla e Parë.
Dëshmitë e familjarëve
Viktima, Elidona Ibraj
Dëshmitarja Es. Ibraj ka rrëfyer debatin mes kryefamiljarit Ibraj dhe vajzave të tij.
“Babai im, Kujtimi, ka filluar të debatojë fillimisht me motrën e vogël, Elidona Ibraj, së cilës i thoshte dil nga shtëpia. Babai ishte i pirë dhe fillimisht ai rrahu Elidonën”.
Vajza tjetër e familjes, dëshmitarja Ir. Ibraj, ka pohuar:
“…babai im, Kujtim Ibraj, ka filluar duke na sharë ne vajzave. Më pas ai ka filluar duke u zënë me motrën, së cilës i thoshte ‘juve nuk keni respekt për mua’ dhe ‘unë e kam ndërtuar këtë shtëpi’. Elidona me lot në sy tha se ‘babai ka armë’. Nëna kërkonte që t`i merrte qesen që kishte në dorë. Ai e hodhi qesen. E kam marrë qesen në të cilën kam parë se kishte një armë të vogël automatik, që ishte i ndryshkur.
Elidona ka marrë policinë në telefon. Siç duket e ka dëgjuar babai, i cili ka ardhur me një thikë në dorë dhe ka qëlluar fillimisht me këtë thikë në bark Elidonën dhe pas kësaj, ka goditur përsëri motrën tjetër. Babai bënte sherr shpesh me të gjithë ne”.
Bija tjetër e të pandehurit Ibraj, E. Ibraj, gjatë dëshmisë së saj është shprehur:
“Babai është konsumator i rregullt i pijeve alkoolike. Kohët e fundit është bërë gjithnjë e më i dhunshëm. Elidona ka telefonuar policinë dhe po u shpjegonte se kishim një problem familjar. Në këtë kohë, babai ka ardhur te dera e kuzhinës ku ishim neve.
Dy motrat e mia, Elidona dhe E., ishin afër derës dhe babai në këtë kohë e ka qëlluar atë me një thikë të madhe që mbante në dorë. Dhuna e ushtruar në vijimësi nga kryefamiljari është konfirmuar edhe nga një prej fëmijëve meshkuj të familjes.
Babi vjen shpeshherë i dehur dhe shpeshherë ka ushtruar dhunë ndaj të gjithëve ne si pjesëtarë të familjes. Ai ka ardhur drejt nesh me një armë në dorë. Babai e ka hedhur armën. Ka marrë një thikë në dorë dhe u është drejtuar motrave, duke qëlluar dy prej tyre”.
Si dëshmitare okulare ka rrëfyer edhe bashkëshortja e të pandehurit, Lutfije Duli.
“Vajza e madhe i ka thënë Kujtimit se çfarë do të bësh me këtë armë. Në këtë kohë e kemi marrë armën dhe e kemi futur te dhoma e gjumit. Pasi kemi marrë armën, vajza e vogël Elidona ka lajmëruar policinë për atë që kishte ndodhur. Elidona ka qenë duke folur me policinë në telefon, kur Kujtimi në këto momente e ka qëlluar me thikë në pjesën e barkut”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/