Sa media bleu Rusia në Tiranë

Sa media bleu Rusia në Tiranë

201
0
Shares

Kohët e fundit kemi lexuar shumë artikujt nga media ndërkombëtare prestigjioze për rritjen e pranisë së Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe shpesh herë kemi parë reagime të ndryshme për vërtetësinë apo të këtyre lajmeve.
Mirëpo një studim i Qendrës së Studimeve Gjeopolitike Ndërkombëtare dhe shkrimit të profesorit amerikan Dev Injatus del në pah së Shërbimet sekrete ruse (SVR) dhe shërbimi i Ushtrisë (GRU) kanë ndërtuar strategji të sofistikuara të luftës mediatike. Përmendet në studim jo pa rëndësi projekti i ashtuquajtur “NEË-Alb-TransfertMedia Contract”, për të ndikuar në opinione publike përmes blerjes dhe përdorimi të mediave. Kanale mediatike jo dhe aq periferike janë ofruar të transmetojnë edhe në të gjithë Shqipërinë, kundrejt pagesave apo shitjes 100% të aksioneve, të produkteve televizive ruse apo sllave. Flasim për shifra që shkojnë nga 1 euro në e 1 milion e 400 mijë euro. Shuma e përcaktuar në kontratë pritet të përfshijë edhe implementin e procedurave për kalimin e pronësisë edhe të 1 gazete shqiptare me tirazh jo të vogël si dhe të 3 portaleve elektronike.
Me qëllim përfundimin e marrëveshjes së nënshkruar kanë mbërritur në Tiranë nga Moska sipërmarrës, gazetarë, analistë, studiues dhe diplomatë, të cilët fare mirë mund të jenë punonjës së shtetit rus. Ata kanë vizituar ambientet e këtij televizioni kanë diskutuar për instalimin e aparaturave të reja Satelitore për transmetim në HD.
Shtimi i numrit të“atasheve kulturorë”, “atasheve tregtarë”, pranë përfaqësive diplomatike ruse në Tiranë, Podgoricë, Shkup, Beograd dhe Prishtinë ka si qëllim krijimin e kushteve për hapjen e një qendre të njëjtë homologe të Nishit të Serbisë, por tani me seli në Tiranë. Kjo qendër së bashku me një grup gazetarësh-ekspertë të IT pritet të punojnë në Tiranë, ku dhe do të synohet shpërndarja e materialeve “kulturore” duke përdorur televizionin dhe median e sapo blerë.
Ndërkohë Televizioni në fjalë ka filluar të transmetojë filma-dokumentarë të prodhuara nga autoritet ruse, të cilat kanë si qëllim rritjen e influencës ruse në Ballkan dhe në Shqipëri.
Ndërsa përdorimi i gazetës tashmë për mbarë opinionin publik shqiptar dhe 3 portalet online po përdoren që prej vitit 2015 për shpërndarjen e materialeve të prodhuara nga Qendra e Emergjencave Civile në Nish të Sërbisë dhe nga një qendër në Sofie të Bullgarisë.
Shitja e pronësisë së një pjese të medias shqiptare cënon rëndë konkurrencën e medias në Shqipëri dhe hap kapitullin e luftës së ashtuquajtur “Soft-War” edhe në Shqipëri. Objektivi kryesor i marrëveshjes nuk është thjesht përdorimi i këaj media për qëllime të Moskës, por ajo rezulton të ketë një objektiv madhor: Kapjen e mediave dhe realizimin e shantazheve kundrejt konkurrencës së lirë me synimin e krijimit të kushteve për t’i falimentuar brenda dy vjeçarit 2017-2019.
Ndërsa blerja e 3 portaleve online është realizuar nga një kompani ruse me qendër në Serbi dhe kontrata është nënshkruar jashtë territorit shqiptar. Nuk dihen shkaqet e mos shpalljes publike të këtyre lloj marrëveshjeve që cënojnë rëndë lirinë e medias së shkruar dhe elektronike shqiptare.
Mos pasqyrimi i kësaj marrëveshje nga mediat shqiptare lidhet ngushtësisht me interesat e disa prej gazetarëve/analistëve/studiuesve dhe mediave shqiptare të caktuara, të cilat kanë lidhur “kontratë bashkëpunimi” me ambasadën ruse në Tiranë. Këta individë përdoren për të përhapur/realizuar qëllimet e ngushta të Moskës për të rritur influencën e te në opinion publik shqiptarë dhe me gjerë. Këto forma e metoda që po përdoren në Tiranë janë të njohura në shumë vende perëndimore.
Nga analiza e përdorimit të mediave rezulton që në vendet perëndimore i kushtohet një rëndësi e madhe përdorimit të mediave dhe lirisë së shtypit nga ana e Rusisë, me qëllimin e realizimit të interesave të saj në këto shtete. Dy rastet më flagrante kanë qenë zgjedhjet e fundit presidenciale, të mbajtura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Francë.
Në të dyja rastet, furtunat mediatike filluan pas hakerimit të informacioneve konfidenciale, nga ana e shërbimeve të inteligjencës ruse, të Partisë Demokratike në SHBA dhe të Emmanuel Macron, kandidatit për president në Francë. Bombardimi i përditshëm i publikut nga media të financuara nga Moska, për të influencuar votën e tyre në favor të kandidatëve të preferuar të saj, ishte aq i madh saqë presidenti francez i sapo zgjedhur Macron, në një konferencë për shtyp me presidentin rus Putin, akuzoi televizionin Russia Today dhe agjencinë e lajmeve Sputnik si “agjent influence dhe propagande që shpërdanin lajme të rreme për të”.
Fushata mediatike që Moska ka filluar në Shqipëri është e përqendruar te opinioni publlik dhe perceptimi i tyre se Shtetet e Bashkuara kanë një farë tërheqje nga angazhimi i tyre në rajon dhe BE ndodhet në krizë identiteti. Synimi, qartazi, është ofrimi për shqiptarët i një modeli tjetër nga ai perëndimor dhe përshkrimin e Rusisë si një fuqi benjine që i është rikthyer lavdisë së dikurshme.
Me gjithë përpjekjet që administrata ruse po zhvillon, është shumë e vështirë që orientimi euro – atlantik i Shqipërisë të ndryshojë, për vetë faktin sepse modeli alternativ që po na serviret është një model politik autoritar. Mbi të gjitha na kërkohet që t’i kthejmë shpinën dy ekonomive më të mëdha në botë, SHBA dhe BE, për një shtet, ekonomia e të cilit është shumë e vogël për të mbajtur mbi shpatulla aspiratat globale.
Elitat politike shqiptare, sado pa eksperiencë qofshin, e dinë mirë këtë fakt se kontrolli i padrejtë i medias dëmton rëndë imazhin e profesionistëve, gazetarëve, studiuesve dhe të vetë Shqipërisë.

Reagimi i Ambasadës ruse në Tiranë:
“Megjithëse Ambasada është mësuar tashmë me botime të herëpashershme trillimesh antiruse në hapësirën mediatike shqiptare, është e detyruar të pranojë që në këtë “garë trendi” për demonizimin e Rusisë është shfaqur një lider i ri, i cili i ka tejkaluar të gjithë konkurrentët e tij për nga mungesa e kompetencës, absurditeti i gjykimeve dhe pasioni për teorinë e konspiracionit. Këtu bëhet fjalë për një anëtar të Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut në SHBA z. Mark Gjoni, artikulli i të cilit me titull “Pse Rusia kërkon të ndikojë rajonin duke blerë media” sot është përhapur në mediat shqiptare, përfshirë këtu edhe në gazetën shumë të njohur “Dita”.
Materiali i z. Gjoni tregon për një projekt sekret të hartuar gjoja nga shërbimet speciale të Rusisë për të ndikuar në opinionin publik shqiptar nëpërmjet blerjes dhe përdorimit të mëtejshëm të medias vendase. Për më tepër, autori pohon se Rusia ka blerë tashmë një gazetë shqiptare, një televizion dhe tre portale elektronike. Madje, për zhvillimin e bisedimeve përkatëse, në Tiranë gjoja ka qenë një delegacion i madh nga Moska, që ka vizituar ambientet e televizionit të blerë.
Më tej, duke u shkëputur përfundimisht nga ndonjë logjikë, z. Gjoni bën të ditur që mediat e “blera” nga Rusia që nga viti 2015 po përhapin materiale të prodhuara nga Qendra Humanitare Ruso-Serbe në Nish, si edhe nga njëfarë qendre të paspecifikuar, e cila ndodhet në Sofje. Dhe që ta trembë një herë e mirë lexuesin e vet, z. Gjoni paralajmëron për planet e Moskës për të hapur në Tiranë “një qendër të njëjtë homologe të Nishit” për ta përdorur edhe atë për qëllime propagandistike. Autorin, ka të ngjarë, nuk e ngacmon fare fakti që Qendra Ruso-Serbe merret me kapërcimin e pasojave të emergjencave civile dhe aspak me publikimin e materialeve në media.
Në dëshirën e tij për ta paraqitur Rusinë si një armik, z. Gjoni arrin deri atje sa që e akuzon atë për cenimin e lirisë së medias në Shqipëri (!), si edhe për lidhjen e disa “kontratave bashkëpunimi” me një sërë gazetarësh shqiptarë, që “përdoren” për zgjerimin e ndikimit rus në vend. Dhe më e çuditshmja është që autori e sheh si një kërcënim më vete promovimin e kulturës ruse në Shqipëri, edhe pse dihet që bashkëpunimi humanitar Rusi-Shqipëri qëndron jashtë kornizave të politikës dhe i shërben ndjeshëm afrimit të vendeve tona. Meqenëse z. Gjoni jeton në SHBA, do t’i rekomandonim që ndonjëherë të vinte në Tiranë dhe të vizitonte ndonjë event kulturor të organizuar nga Ambasada për të parë me sytë e tij se me çfarë entuziazmi e pret artin rus publiku shqiptar.
E gjendur nën një mbresë të fuqishme nga leximi i artikullit të z. Gjoni, Ambasada nuk mund të mos i drejtohet me një kërkesë si më poshtë. Duke marrë parasysh që Ambasada nuk ka të dhëna për blerje të mediave shqiptare nga Rusia dhe nuk është në dijeni të ndonjë “marrëveshjeje të nënshkruar” lidhur me këtë, do t’i ishte shumë mirënjohëse z. Gjoni për informacione më të detajuara, përfshirë këtu emërtimet e gazetave, televizioneve dhe portaleve elektronike shqiptare të “blera” nga Rusia, titujt e artikujve të “përhapura” në Shqipëri nga Qendra Humanitare Ruso-Serbe dhe prova të tjera konkrete të “luftës mediatike” gjoja të drejtuar nga Rusia. Të dhëna të tilla do të përbënin interes të jashtëzakonshëm jo vetëm për Ambasadën, por edhe për të gjithë lexuesit shqiptarë.
Ndërsa momentalisht artikulli i z. Gjoni është një shembull krejt i qartë i një histerie antiruse të pabazë, të pathemeltë dhe të motivuar politikisht. Ambasada shpreh keqardhjen për qytetarët e Nju Jorkut, interesat e të cilëve i mbron një njeri i aftë për të tilla spekulime mashtruese, pa logjikë dhe krejtësisht trashanike. Gjithashtu, Ambasada është e befasuar nga vendimi i redaksisë së gazetës “Dita” për ta publikuar këtë “vepër”, e cila në asnjë moment nuk pasqyron situatën reale dhe nuk i afrohet fare një analize profesionale”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY