Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka përshkallëzuar masat ndaj punonjësve të administratës të cilët në kundërshtim me ligjet dhe vendimin e Këshillit të Ministrave, kanë marrë pjesë në aktivitete të fushatës zgjedhore, gjatë orarit zyrtar të punës. Në kuadër të këtyre masave, Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Xhulieta Kërtusha ka firmosur sot shkresat për informimin e prokurorive të rrethit gjyqësor Tiranë, Korçë, Elbasan dhe Kukës, si dhe për dijeni Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Lalla mbi shkeljet e kryera nga katër drejtues rajonale të institucioneve në varësi të këtij dikasteri.
Më konkretisht është informuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë mbi përfshirjen në fushatë të Marisa Kaçori, me funksion Drejtor në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Tiranë.
Po kështu më anë të një shkrese të posaçme është informuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan mbi përfshirjen në fushatë të Ervis Xhelo me funksion Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, Elbasan.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës është informuar mbi përfshirjen në fushatë të Gent Halili, me funksion Drejtor në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Kukës.
Gjithashtu Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë është informuar mbi përfshirjen në fushatë të Luiza Qipo, me funksion Përgjegjëse e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore, Ersekë.
Për të katra rastet e lartpërmendura, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka vënë në dispozicion të prokurorisë provat e dopozituara që vërtetojnë pjesëmarrjen aktive në fushatën zgjedhore. Në shkresat e dërguara prokurorive të rrethit Tiranë, Korçë, Elbasan dhe Kukës, është nënvizuar pozicioni drejtues i personave të lartpërmendur, për të cilët krijohet dyshimi i arsyeshëm për keqpërdorimin e burimeve njerëzore si dhe të ndikimit të drejtpërdrejtë apo indirekt tek banorët e këtyre qyteteve që përfitojnë shërbime nga këto institucione apo punonjësve të administratës, duke tjetërsuar vullnetin e votës së lirë në favor të një subjekti të caktuar elektoral.
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, i ka përcjellë prokurorisë dyshimin se drejtuesit në fjalë kanë konsumuar veprën penale të “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” e parashikuar nga neni 328/a i Kodit Penal, i ndryshuar, në të cilën përcaktohet se “Pjesëmarrja e një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore në shërbimin civil ose një funksion jopolitik në administratën shtetërore, në kundërshtim me ligjin, në aktivitetet ose fushatën zgjedhore, të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.”
MMRS kërkon nga organi i prokurorisë që të kryejë veprimet e nevojshme për hetimin e këtyre rasteve.
Ndërkohë Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë shpreh bindjen e plotë se organi i prokurorisë do të veprojë me shpejtësi dhe profesionalizëm në trajtimin e këtyre rasteve duke kontribuar kështu në ruajtjen e standardeve më të larta zgjedhore.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/