Ilir Meta hedh dyshimet e para për postin e Presidentit

Ilir Meta hedh dyshimet e para për postin e Presidentit

137
0
Shares

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, njëkohësisht President i zgjedhur i Republikës tha sot në  emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në televizionin “Neës 24” se ka marrë konsensusin e opozitës për të qenë President, dhe se kjo lidhet me konfirmimin e Berishës për të marrë pjesë në ceremoni. Por në vijim të intervistës ai ka thënë dicka tjetër që vë në dyhsim pikërisht ceremoninë.

 

“Kështu që ju mund të thoni se nuk e morët konsensusin e opozitës, mua më mjafton konfirmimi që ka bërë doktori se do të marrë pjesë në ceremoni, kështu që edhe këtu jemi në rregull”, tha Meta gjatë intervistës.

Në cilën ceremoni do të marrë pjesë?

Do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri, kështu që e kemi konsensusin e opozitës.

Doktori do të jetë me republikën e vjetër quhet kjo se tani kemi një republikë tjetër.

Tani e vjetër, e re, të paktën është serioze.

Në tre muajt e fundit nuk ka raste në botën e sotme të ketë zhvillime të kësaj natyre. Për shembull, është e vështirë t’i gjesh edhe në një vend si Sierra Leone, që është vendi i parë dhe më pas jemi ne për largimin e popullsisë jashtë vendit. Edhe atje, në Sierra Leone, nuk besoj se ka bisedime të dy forcave për 5 orë dhe pastaj s’i thonë asgjë popullit. Kemi një opozitë që fjeti për 3 vjet e gjysmë dhe u zgjua në momentet e fundit duke ngritur një çadër në qendër të Tiranës. A s’ju bëri përshtypje se ç’ishte kjo çadër dhe pse duhej kjo në fund të një qeverisjeje 4-vjeçare?

Është e vërtetë që nuk ka pasur një opozitë reale, të fokusuar në çështjet më të rëndësishme dhe problematikat më të mprehta që ka pasur vendi dhe që ka pasur vetë qeverisja. Po të kemi parasysh, çështja e drogës apo e kanabizimit, që u mor me forcë nga opozita dhe ishte një nga kauzat kryesore edhe të ndërtimit të çadrës, duke paralajmëruar rrezikun e përdorimit të parave të drogës për zgjedhje, u theksua nga opozita në mënyrë serioze vetëm pas humbjes të bashkisë së Dibrës në zgjedhjet lokale, kur u bënë në shtator apo në tetor.

Pra, ka qenë një opozitë e përgjumur, një opozitë e përçarë, një opozitë pa prioritete, ka qenë një opozitë e justifikimeve të vazhdueshme dhe e flirteve të vazhdueshme me qeverinë, përveç, kuptohet, qëndrimeve opozitare të Berishës dhe të shumë pak deputetëve të tjerë demokratë.

Kështu që në fund fare kemi një situatë ku z. Basha, duke ndier situatën e vështirë të Partisë Demokratike në terren dhe një humbje qoftë edhe në zgjedhje tërësisht normale, por duke ndier edhe rrezikun e deformimit të mëtejshëm të një rezultati të disfavorshëm për PD-në, për shkak të një koalicioni super të madh PS-LSI-PDIU dhe ndoshta të angazhimit të segmenteve të caktuara të policisë apo të elementëve të caktuar të lidhur me ndërmarrjen e kanabisit dhe elementëve kriminalë, vendosi të marrë një pozicion të tillë: ta ndërtojë çadrën si një serrë politike, se në dimër u krijua ajo, për të rritur edhe një çikë autoritetin e tij dhe për të fituar disa garanci ndoshta, ose për të justifikuar mos hyrjen në zgjedhje, me qëllim evitimin e shkarkimit të tij nga kryetar i Partisë Demokratike, sipas mendimit tim.

Ndërkohë, ka një kënd tjetër vështrimi, që kjo çadër është ngritur për të krijuar idenë te njerëzit, te populli demokrat, që vendi po shkon drejt destabilizimit. Kjo çuditi, së pari, perëndimorët dhe ka pasur një vazhdë deklaratash kundër kësaj çadre të ngritur nga Lulzim Basha, por në një farë mënyre jo edhe aq të madhe nga ana e Edi Ramës, me gjithë luftën dhe retorikën që ai bëri. Mendohet se kjo çadër është ngritur për të afruar e për të bashkuar dy palët, për t’ju vënë edhe ju në gjumë, për t’ju çuar drejt Presidentit. Ka një mendim të tillë te shumë analistë dhe te shumë njerëz të tjerë. Ne do ta shihnim edhe këtë.

Thuhej që Ilir Meta shkon natën në çadër. Jo ti konkretisht si person, por Meta si ide…

Kjo është një përrallë nga të dyja palët për të justifikuar veprimet e tyre ekstreme, të cilat do të sillnin një krizë edhe më të fortë dhe situata edhe më të paparashikuara. Pra, një veprim ekstrem do të ishte që të shkonim në zgjedhje pa opozitën dhe një veprim tjetër ekstrem do të ishte që Ilir Meta, për hir të demokracisë, dhe LSI-ja të largoheshin nga qeveria, të shkonin në çadër, të përpiqeshin të rrëzonin qeverinë me vota dhe veprime të tilla, të cilat, gjithashtu, do të përshkallëzonin krizën në një drejtim tjetër.

Qëndrimi i LSI-së dhe i Ilir Metës ka qenë tepër transparent dhe tepër konstruktiv. Opozita ka të drejtë për drogën dhe dekriminalizimin, dy çështje që i ka harruar, nëse e keni vënë re ju këto dy javë, por opozita realisht ka të drejtë të kërkojë garanci për zgjedhjet dhe LSI-ja ishte e gatshme të vendoste në dispozicion mandatet e saj në ekzekutiv, Kryetarin e parlamenti, vetëm që të kishim një proces normal zgjedhor.

Nga instrumentet e Edi Ramës u përcoll ideja se çadra ishte edhe vepra juaj dhe, duke qenë Ilir Meta president, ai përfaqëson edhe Partinë Demokratike, ndërkohë ne kemi një marrëveshje tjetër tani underground, por, le të themi, ju mbështetët çadrën…

Më falni, që të jemi të sinqertë, kjo është marrëveshje me rilindjen e Partisë Demokratike.

Për Republikën e Re e keni fjalën?

Po atë, dhe të OSHEE-së.

Meta, për publikun u krijua ideja se marrëveshja Rama-Basha ishte një marrëveshje e prodhuar nga rrethanat, një marrëveshje spontane që erdhi aty për aty. Në fakt, duket sikur edhe ju ratë pre e kësaj ideje. Unë kam idenë që gjithçka vjen më përpara sesa ai gjoja spontanitet i 5 orëve të uljes së tyre. Nuk është Edi Rama nga ato që merr vendimet e Uillson Çurçillit, ulet po themi në luftë dhe merr një vendim aty të menjëhershëm, duket më e vjetër kjo…

Unë mendoj se të dy këta politikanë nuk janë aq të qëndrueshëm sa të bëjnë marrëveshje shumë afatgjata dhe tepër serioze. Mendoj se janë dy politikanë që tiparin thelbësor kanë paqëndrueshmërinë, jo vetëm në raport me njëri-tjetrin, por edhe me cilindo.

Në rastin konkret mund të them se raporte dhe marrëveshje të fshehta midis tyre ka pasur vazhdimisht në të kaluarën, siç kanë qenë ato për të më goditur mua me inskenime, si rasti Doshi-Fufi, që nuk kishte asnjë lidhje. U përdor Partia Demokratike për të bërë zhurmë në të gjithë botën, që unë doja të eliminoja dy deputetë. Njëkohësisht edhe rasti CEZ-DIA ku praktikisht z. Basha u bë zëdhënësi kryesor i fabrikimeve që shkonin nga zyrat e Rilindjes, këto me fakte të pavërteta, që synonin goditjen time, por njëkohësisht edhe goditjen e z. Berisha që ishte kryeministër në atë periudhë. Në rastin konkret ne kemi të bëjmë me dy individë të cilët u bashkuan për shkak të interesit të tyre personal.

Në fakt, kishte edhe një farë keqardhjeje shkuarja juaj drejt Presidencës dhe një dilemë që vazhdon sot e kësaj dite.

Ka kohë deri më 24 korrik, mos u shqetësoni për këtë gjë! Ka kohë, mos ki merak!

 

 

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY