SKANDAL/ Në burgje të fortët privatizojnë qelitë, çmimet abuzive, mungon uji, rrobat,...

SKANDAL/ Në burgje të fortët privatizojnë qelitë, çmimet abuzive, mungon uji, rrobat, ushqim i pa konsumueshëm

125
0
Shares

Të burgosurit në Shqipëri nuk dënohen vetëm me heqje lirie, por edhe me çmime më të larta sesa ato të tregut.
“Fiks Fare” bëri një vëzhgim në Institucionet e Ekzekutimit të Veprave Penale, duke parë sesi të burgosurit e kalojnë kohën e lirë dhe vështirësitë e shumta të tyre, që nga mungesa e ujit dhe deri te çmimet e vendosura në këto institucione, të cilat janë tejet të larta, pavarësisht se njësitë tregtare përzgjidhen me tenderim.
Fillimisht në “Fiks Fare” erdhi një ankesë e pazakontë nga një i dënuar, i cili po linte qelinë në Burgun e Shënkollit. Avni Bushi rrëfeu se në këtë IEVP ka shumë probleme, duke filluar që nga hyrja e tij në qeli, e deri sa ka dalë.
Ai shpjegoi se problemet kryesore fillojnë që nga mungesa e ujit, qeli me pronarë, mungesë rrobash fjetjeje, mungesë sistemi ngrohjeje e ftohjeje, ushqim i pakonsumueshëm, e deri te mungesa e televizorit dhe frigoriferit, që detyrohen t’i sjellin vet. Madje, shumë blerje detyrohen t’i bëjnë në njësinë tregtare brenda IEVP-së, me çmime më të larta sesa tregu, pasi nuk lejohen t’i marrin nga jashtë.
Ai nuk është i vetmi që ankohet për kushtet e vështira në burg. “Fiks Fare” ka filmuar në dy raste familjarë që çojnë ujë të pijshëm në dy burgje, pikërisht në atë të Fushë-Krujës dhe në Durrës. Në bisedë me “Fiksin”, një polic burgu thotë se ujit i fusin klor, prandaj nuk e pinë të burgosurit.
Gazetarët e emisionit investigativ vijuan gjithashtu vëzhgimin e tyre, brenda burgut të Fierit dhe Fushë-Krujës, ku u vunë re qartë çmimet e larta në njësitë tregtare që operojnë brenda IEVP-ve. Në listën që drejtori i IEVP-së Fier, Etnor Krakulli u vuri në dispozicion gazetarëve të emisionit investigativ, shihet qartë diferenca më çmimet e tregut jashtë.
Këtë fenomen, drejtori i këtij institucioni tha se e ka vënë re që kur ka marrë detyrën. Ai tha se për këtë i ka kërkuar njësisë tregtare uljen e çmimeve.
“Unë që kur kam ardhur, i kam ulur çmimet. Ka pasur produkte që i kam ulur me 200-300 lekë dhe i kam thënë zotërisë se, nëse do kisha sërish ankesa, do të merrja masa”, tha ai për “Fiks Fare”.
Ndërkohë, në IEVP-në Fushë-Krujë, drejtori Albert Malaj thotë se ka një muaj që ka marrë detyrën dhe së shpejti do të vinte një tjetër njësi tregtare. Sipas tij, procedurat për zëvendësimin e asaj të mëparshmes kanë nisur në periudhën që kishte marrë detyrën.
“Jam në dijeni të problemit, tani ne po bëjmë zëvendësimin e njësisë së mëparshme me një tjetër. Po bëjmë gati ambientin dhe për pak ditë do të jetë gati. I kemi kërkuar të plotësojë të gjitha rregullat”, thotë drejtori.
Ai pranon të ketë pasur një problem të tillë dhe se mund të ketë ardhur edhe ngaqë transportin e këtyre mallrave nga njësia tek i dënuari e bënin të burgosurit, të cilët mund të kenë abuzuar.
“Ju lutem mos më pyesni për më përpara”, mbyll bisedën drejtori.
Por përveç kësaj medaljeje, emisioni investigativ solli edhe mënyrën si e kalojnë kohën e lirë të dënuarit. Punonjësit socialë të dy institucioneve të vuajtjes së dënimit shoqëruan gazetarët e emisionit “Fiks Fare” në ambiente ku të dënuarit kalonin kohën e lirë.
Në IEVP-në Fier, ambientet në të cilat kalonin kohën e lirë të burgosurit ishin kalçeto, bibliotekë, ambiente kulti, e po kështu edhe klasa ku bënin kurse të ndryshme. Punonjësja sociale e këtij institucioni tha se shumë të dënuar janë të regjistruar në bibliotekë.
Në Burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë janë 450 dënuar, ndërkohë që kapaciteti i këtij burgu është për 350 persona. Edhe këtu të burgosurit merren me disa aktivitete, ku veçojmë klasat e mësimit të kompjuterit dhe një ambient i përshtatur për punime artizanale. Në këtë institucion ka edhe palestër, ku të dënuarit mund të ushtrohen një orë në ditë. Punonjësi social shpjegon se janë në rikonstruksion edhe një sallë për të luajtur shah dhe një sallë ping-pongu. Gjithsesi, ajo që vihet re dhe që është ngritur me të madhe si nga OSBE, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, edhe nga Avokati i Popullit, është mbipopullimi në institucionet e dënimit.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY