Pas transmetimit një ditë më parë, të skandalit në lidhje me humbjen e dosjes së një qytetari në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, emisioni ‘BOOM’ publikoi një tjetër rast të ngjashëm. Për shkak të humbjes prej një viti të dosjes së një tjetër qytetareje, çështja e saj nuk transferohej në Gjykatën Administrative të Apelit. Për të zëvendësuar dosjen e humbur, edhe këtë rradhë sekretaret kanë bashkëpunuar me avokaten e saj, e cila ka ribërë dosjen nga e para, madje duke ja mbajtur të fshehtë këtë edhe klientes së saj.
Emisioni ‘BOOM’ ka sjellë prova të reja nga zhdukja e një tjetër dosjeje në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Prej një viti qytetarja kërkon arsyen e mostransferimit të dosjes së saj në Gjykatën Administrative të Apelit.
Në kamerat e ‘BOOM’ punonjëset shfaqen duke thirrur njëra-tjetrën të gjendura ngushtë për t`u përgjigjur.
Pas interesimit në Gjykatën Administrative të Apelit zonja mëson se për dosjen e saj është djegur afati i transferimit.
Ligjërisht sipas sekretares së kësaj gjykate, dosja duhet të kishte shkuar në këtë gjykatë që në qershor të vitit të kaluar.
E shqetësuar qytetarja kthehet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, por për të mbuluar vonesën, Kryesekretarja e këtij institucioni i thotë se transferimi i dosjeve nuk ka afat.
Pas gjithë përpjekjeve, qytetarja telefonon avokaten e saj e cila pranon se dosja i ka humbur dhe është ajo që e ka ribërë nga e para, duke ja dorëzuar sekretareve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Dy javë më pas dosja e qytetares transferohet në Gjykatën Administrative të Apelit, por ende nuk dihet nëse gjyqtari i përzgjedhur nga shorti do të pranojë gjykimin e saj pas transferimit një vit me vonesë dhe nëse dosja ka brenda gjithçka që gjendej në dosjen e humbur.
Biseda e denoncueses me kryesekretaren dhe disa sekretarë tek Administrativja
Denoncuesja:Unë kam një çështje, një gjyq që është mbyllur që në datën 13.06.2016. Dhe ky vendim nuk ka shkuar akoma në Gjykatën e Apelit.
Kryesekretarja: Çfarë numri ka vendimi?
Denoncuesja i tregon vendimin e gjykatës.
Denoncuesja:Kam ardhur disa herë dhe këtu, kam shkuar dhe atje kam pyetur përsëri.
Kryesekretarja: Ja të dal goca e ankimeve dhe të flasësh.
Denoncuesja: Sa do e pres atë gocën e ankimeve, sepse ka një vit që po sorollatem kështu?
Pas 10 minutash…
Denoncuesja: A më duhet të pres shumë?
Sekretarja: Zonjë të martën do ta nisim.
Denoncuesja:Si të martën e të martë.Ta kam pas lënë një numër telefoni, ka tre muaj.
Sekretarja: E di, e kemi zonjë.
Denoncuesja:Dhe s`më keni marrë në telefon, as jeni interesuar fare.
Sekretarja: Po s`të kemi marrë se nuk e kishim nisur.
Denoncuesja: Si ka mundësi një vit pa u nisur dosja? Si është e mundur, ka një afat kohor kjo? Cila është arsyeja?A mund të ma ktheni një përgjigje?
Kryesekretarja: Zonjë, goca po thotë që të martën do niset.
Denoncuesja:Po sa të marta kanë kaluar kështu?
Kryesekretarja: Meqenëse keni lënë numrin e telefonit, ju njoftojnë gocat.
Denoncuesja: Po ka tre muaj që ju a kam lënë numrin e telefonit, dhe më thatë për dy javë maksimumi.
Kryesekretarja: Mbase ka pasur ndonjë mungesë komunikimi, që s`ka qenë gati.
Denoncuesja: Mua më duhet një kopje e gjithë dokumentacionit që kam në dosje. A ka mundësi që të ma bëni gati?
Sekretarja: Po, bëj një kërkesë me shkrim.
Denoncuesja: Ma jep një fletë që ta bëj kërkesën. Dhe pas sa kohësh mund ta marrë?
Sekretarja: Do të marrim ne në telefon kur të jetë gati.
Denoncuesja: Dosja është këtu akoma domethënë.
Sekretarja: Po.
Denoncuesja: Domethënë është gjetur dosja se më kanë pas thënë ka humb.
Sekretarja: Nuk ka humbur dosja zonjë. Bëje çfarë aktesh të duhen, vetëm ato që të nevojiten, se nuk kemi pse i nxjerrim të gjitha.
Denoncuesja: Mua më interesojnë të kem gjithë kopjen e dosjes.
Denoncuesja shkruan kërkesën për materialet e dosjes.
Denoncuesja në Gjykatën e Apelit për afatin e transferimit të dosjes
Denoncuesja: Kam një vendim që e kam marrë në gjykatën e shkallës së parë administrative.Dua të di a ka ardhur dosja ime këtu?A kam dokumentacion këtu apo jo?
Sekretarja: Sa ka që ka mbaruar çështja?
Denoncuesja:Që në 13.06.2016.Vetëm …….është paditëse.Pala tjetër është Bashkia Kurbin.
Sekretarja: Jo, nuk ka ardhur.Këtu nuk figuron fare e regjistruar.Shko tek gjykata administrative e shkallës së parë dhe interesohu atje.Vajta në apel thuaj, nuk ka.
Denoncuesja:Po a ka afat kohor kjo?
Sekretarja: Nga marrja dijeni e ankimit?
Denoncuesja: Nga data e daljes së vendimit ka afat kohor?
Sekretarja: Kur ke marrë dijeni ti për ankimimin? Bashkia mbase s`ka bërë ankimim.
Denoncuesja: Po ka bërë.Sipas avokates kemi marrë dijeni që ka bërë.
Sekretarja: Shko në shkallë të parë interesohu atje.
Denoncuesja: Ka afat kohor dërgimi i dokumentacionit nga ajo gjykatë tek kjo?
Sekretarja: Pas marrjes dijeni ato pesë ditë duhet ta mbajnë për kundërankimin dhe duhet ta sjellin.Për një gjë të jesh e sigurtë, që këtu dosjen nuk e ke. Dosjen e ke në shkallë të parë dhe atje do shkosh.
Denoncuesja rikthehet në Gjykatën Administrative të shkallës së parë
Denoncuesja: Më thanë në gjykatën e apelit që nëqoftëse ankimimi është marrë, brenda pesë ditëve duhet të kishte ardhur dosja në gjykatën e apelit.
Sekretarja: Po nuk vete brenda pesë ditëve.
Denoncuesja: Po sipas rregullave kështu është tha.
Sekretarja: Po brenda pesë ditëve nuk vete.
Denoncuesja: Po brenda sa kohësh?
Sekretarja: Nuk vete se bëhen komunikimet e këto.Ja një sekondë ti flas Silvanës.(Kryesekretares)
Denoncuesja: Tani ishim në gjykatën e apelit administrativ dhe ato më thanë.Pas ankimimit të Bashkisë pesë ditë pasi të merret njoftimi nga ti ose nga avokatja duhet të më kishte ardhur dosja këtu, në gjykatën e apelit. Kurse dosja ime ka që në 13.06.2016 që ndodhet këtu akoma.
Kryesekretarja: Goca e ankimeve më tha që të martën është gati dosja për tu nisur.Mbase nuk kanë pasur dijeni palët.Nuk ka pasur deftesa komunikimi.Prandaj dhe dosja ka ngelur.
Denoncuesja: Mos ndoshta ka problem me afatet dhe mua do të më digjet pjesa e vendimit?
Kryesekretarja: Jo, jo afat nuk ka.
Dosja ka shkuar, por frika mbetet Gjykata Administrative e Apelit
Denoncuesja: Mund të më shikosh për emrin …. …. Për dosjen, se ka mundësi të ketë ardhur dje sipas gjykatës së shkallës së parë.
Sekretarja: Sapo është regjistruar zonjë dhe do të hidhet në short ditën e premte. Të premten hidhet në short, në orën 12:00 mund të vini të merrni vesh se kush është gjyqtari.
Denoncuesja: Të lutem, a ka mundësi të ma shikoni dosjen, a ka ndonjë mangësi, sepse ka një vit që është atje ajo dosje?
Sekretarja: Ne nuk shikojmë dosjen, e shikon gjyqtari dosjen, se shikojmë ne.
Denoncuesja: Po po të mos jetë e rregullt a ka ndonjë problem a di gjë? A kanë afat kohor për ardhjen këtu apo jo?
Sekretarja: S`di çfarë të them, ne përgjigjemi që nga momenti që na vjen dosja këtu. Dosja hidhet në short dhe i kalon direkt gjyqtarit, pastaj është gjyqtari që vendos për çdo gjë.
Sekretarja: Avokati juaj ka të drejtë të vijë ta shikoj dosjen i mungon gjë dosjes, si mungon gjë. E ka të lehtë ta lexojë avokati. Eshtë e drejta juaj.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/