FIKS FARE/Avokati mashtron me 200 mijë lekë qytetarin

FIKS FARE/Avokati mashtron me 200 mijë lekë qytetarin

173
0
Shares

Astrit Braushaj, banor i komunitetit rom, u ankua në “Fiks Fare” se ka paguar një avokat që ta ndihmojë për të liruar të birin nga burgu, i cili është arrestuar me 0.7 gramë kanabis duke tentuar të hyjë në burg për të takuar një shokun e tij. Por avokati nuk e ka ndihmuar dhe nuk ia kthen paratë, duke e mbajtur me mashtrime.

Braushaj tha se i ka dhënë avokatit Kujtim Cakrani rreth 2 mijë euro dhe avokati e zvarrit, nuk i kthen paratë dhe nuk e përfaqëson në gjykatë. Konkretisht, ai tha se i ka dhënë 200 euro për përfaqësimin në një seancë të cilën e ka bërë, 500 mijë lekë për kryerjen e disa analizave për kanabisin dhe 1 milion e 500 mijë lekë për ta nxjerrë brenda dy javësh.

Fillimisht avokati i ka kërkuar 2 mijë euro që t’ia nxirrte të birin nga burgu në mes të muajit mars. Pas bisedimeve kanë rënë në ujdi dhe kanë vendosur pazarin për 2 milionë lekë. Fillimisht, ai i ka dhënë 500 euro dhe më pas 1 milion e 500 mijë lekë.

Pas ankesës pranë stafit të emisionit investigativ, qytetari shkoi dhe takoi avokatin Kujtim Cakrani, të cilit i tha sesi mund t’ia bëjnë për të ndihmuar djalin që është në burg. Avokati i tha se do flasë me prokurorin dhe do e telefonojë.

Por, duke qenë se avokati nuk e telefonoi, qytetari shkoi sërish në takim me të. Edhe në takimin e dytë, avokati i tha se do e zgjidhë, pasi e ka takuar prokurorin vetëm në seancë gjyqësore dhe nuk ka folur më gjatë më të.

Dy ditë pas takimit të dytë, qytetari shkoi sërish tek avokati dhe kërkoi shpjegime se çfarë po bëhet më çështjen e tij. Duke parë zvarritjen, ai i kërkoi juristit që t’i kthente paratë. Në këto kushte, avokati i tha se nuk i ka paratë pasi ia ka kthyer ato. Kur qytetari e pyeti se kur ia kishte kthyer, avokati i tha se ia kishte dhënë bashkëshortes së tij.

Por qytetari nuk u dorëzua me kaq. Ai shkoi dhe mori bashkëshorten për ballafaqim te avokati dhe i kërkoi shpjegime se kur ia ka dhënë paratë asaj. Në këtë kohë, avokati ndryshoi variant dhe i tha se paratë ia kishte dhënë sekretarja e tij.

Madje, sekretarja vijoi me këtë variant dhe e përforcoi me faktin se kishin qenë burrë e grua bashkë kur kishin marrë paratë. Më pas, avokati dhe sekretarja, duke mos dashur të jepnin më shumë përgjigje për qytetarin u larguan duke u shprehur se kishin një gjyq.

Por, odiseja nuk u mbyll me kaq. Pas disa orësh nga realizimi i takimit të katërt dhe të fundit mes qytetarit dhe avokatit, ky i fundit iu drejtua policisë dhe e kallëzoi Astrit Braushajn për kërcënim. Policia e shoqëroi, duke i marrë një deklaratë. Ndërkohë që qytetari kërkoi të bënte kallëzim për avokatin për mashtrim, oficeri i policisë nuk pranoi t’ia merrte dhe sipas qytetarit i kishte thënë se duhet të kalonin 24 orë.

Pasi doli nga komisariati, qytetari tregoi për Fiks Fare se çfarë ka ndodhur dhe bashkë me gazetarin iu drejtua sërish policisë për të pyetur pse nuk regjistrohet kallëzimi i tij. Këtë herë policia pranoi dhe deklaroi se kallëzimi mund të bëhej që atë ditë, ose qytetari mund të vinte të nesërmen bashkë me avokatin.

Të premten, qytetari bëri në seksionin e antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë Fier kallëzim për mashtrim ndaj avokatit. Pas kësaj, Fiks Fare telefonoi dhe avokatin Kujtim Cakrani, i cili mohoi t’i ketë marrë para qytetarit Astrit Braushaj.

Pra, ndonëse në takimet me qytetarin ai pretendonte se ia kishte kthyer paratë, në bisedën telefonike me gazetarët e Fiks Fare, ai tha se i kishte marrë vetëm 200 mijë lekë, pasi e kishte përfaqësuar në Gjykatën e Apelit në Vlorë dhe nuk i kishte marrë të tjera, pavarësisht se çfarë pretendon ai.

Fiks Fare, për të vërtetuar faktin që qytetari i kishte dhënë paratë avokatit publikoi edhe një video të realizuar nga Braushaj, ku duket qartë që avokati merr paratë dhe i numëron në zyrën e tij, pa plotësuar asnjë dokument dhe i premton qytetarit se do ia nxirrte të birin për dy javë nga burgu, ndërkohë që tashmë kanë kaluar 5 muaj që nga momenti i arrestimit të tij me 0.7 gramë kanabis.

Dialogu

Qytetari: Sa e kemi lënë?
Avokati: 1.5.
Qytetari: Sa?
Avokati: 1.500 euro.
Qytetari: Shqiptare e di unë…
Bashkëshortja e qytetarit: Shqiptare më ke thënë dhe mua.
Avokati: Nuk flas me lekë. Mos më ashtu, se s’mbaj mend çfarë mund të të kem thënë ty. Kupton? Tani, nëqoftëse s’i keni, se e di si është problemi, puna me këto lekët ngatërrohet vëlla.
Qytetari: Tani, 1.500 euro sa venë?
Avokati: Ti do hedhësh 2 milionë lekë. U morën të gjitha provat në kohë rekord. Nuk kishte burrë nëne t’i bënte ato. Tani, unë ato punë që kisha i mbarova. Mbaroi faza e parë e verifikimeve dhe mbledhjes së informacionit të dokumenteve dhe përgjigjeve. Tani është faza tjetër që ta nxjerrim, më kupton? E kam lënë me Nikon që do vijë dhe do shkojmë t’i çojmë atë dosjen prokurorit dhe pastaj do vendoset. Dhe se çfarë do flas unë e çfarë kam folur unë me Nikon është problemi i tyre, nuk iu hyj dot as unë. Tani problemi është që unë i thash dhe ju do ta kryeni pagesën, ndryshe…
Qytetarja: Unë e kryej pagesën, por të mos kemi probleme mbrapa…
Avokati: Për çfarë do kesh probleme?
Qytetarja: Me të tjerët…
Avokati: Unë nuk jam avokati i tjetrit, unë nuk kam premtuar gjë. Unë që kur keni ardhur këtu herën e parë ju kam thënë që nuk i bëj…
Qytetarja: Po pikërisht!
Avokati: … pa mbaruar. Pa mbaruar unë nga puna. Sa më ke dhënë? Më ke dhënë  200 euro? Ato që më dhatë mi dhatë për punë tjetër, nuk mi dhatë mua. Tani problemi është këtu, nëqoftëse doni që ai të dalë dhe unë të mbaroj punën duhet të bëni pagesat. Kaq. Pastaj, sesi qysh-tek, këto janë modalitete që i di unë. Kjo është pagesa. Do vijë edhe ai djali, do çojmë edhe dosjen atje, ta bëjmë gati dhe ta nxjerrim. Nja dy ditë do zgjasë, ose tre ditë. Pesë ditë nuk…
Qytetari: Do nxitojmë tani?
Avokati: Po tani, unë nuk ta them dot me orë të sigurtë, ti mbase e do dhe orën, por unë me orë të sigurtë nuk ta them dot sepse janë ca gjëra, janë ca procedura që nuk varen nga unë.
Qytetari: Ti the 20 ditë, një muaj or burrë!
Avokati: Po jo ore një muaj. Një muaj!? Ja fut kot ti.
Qytetari: Po 20 ditë.
Avokati: Po jo ore një muaj. Ne do flasim sot nëqoftëse mund ta nxjerrim nesër pa e kaluar në gjykatë. Do ta nxjerrim. Nëqoftëse do e kalojmë në gjykatë, atëherë do të vonojë dhjetë ditë, 15 ditë e shumta. Mua më pëlqen ta zgjidh pa gjykatë që ta çoj me lirim, por të shikojmë si ka ardhur dhe prova. Mbase ka ardhur, s’është kanabis fare.
Qytetari: Duhet të bëjmë pagesën sot patjetër?
Avokati: Sot dhe nesër, nuk ka rëndësi ajo. E rëndësishme është që, ta thashë se nuk ta thosha dot në telefon, duhet ta kryesh.
Qytetari: Do t’i japim lekët me shumë besim.
Avokati: Ashtu de. Jo besim ore, këtu nuk është çështje besimi.
Qytetari: Mbylle derën ore, mbylle derën.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY