VIDEO/ Shoqatat e Gjyqtarëve, padi të re në Kushtetuese kundër tre ligjeve...

VIDEO/ Shoqatat e Gjyqtarëve, padi të re në Kushtetuese kundër tre ligjeve të Reformës në Drejtësi

140
0
Shares

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve janë bashkuar në një padi të re në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkojnë shfuqizimin e disa neneve të tre ligjeve pjesë të reformës në drejtësi – përfshirë të ashtuquajturin ligj i Veting-ut.

 

Të enjten më 1 qershor, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, depozituan një padi në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, si dhe ndaj ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” – i njohur gjithashtu si ligji i Vetting-ut.

Kjo nuk është hera e parë që dy shoqatat që përfaqësojnë interesat e lobit të gjyqtarëve i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sfiduar ligjet që janë pjesë e reformës në drejtësi. Ato iu bashkuan Partisë Demokratike në vjeshtën e vitit 2016 duke kërkuar shfuqizimin e ligjit të Veting-ut – i cili mbart një rol kyç për zbatimin e reformës në drejtësi, të miratuar me ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016.

Kërkesa për të hedhur poshtë ligjin e Veting-ut nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese, por kjo nuk i dekurajoi shoqatat e gjyqtarëve, të cilët, me anë të një kërkese të dytë, arritën të shfuqizonin pjesërisht në prill një numër nenesh nga ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Vendimi në favor duket se i ka dhënë zemër shoqatave, që në kërkesën e tyre të fundit drejtuar Gjykatës Kushtetuese kanë shënjestruar zhbërjen e pjesshme të tre ligjeve të reformës.

Kjo aktpadi, një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, vjen në një kohë kur vendi është i përfshirë nga ethet e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit dhe kur dy komisione ‘ad hoc’ bipartizane në Kuvend po mbajnë seanca dëgjimore për përzgjedhjen e juristëve që do të jenë pjesë e institucioneve të Veting-ut.

Në kërkesën e tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Unioni dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkojnë shfuqizimin e një numër nenesh të ligjit të Veting-ut, të cilat rregullojnë kontrollin e pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve për sa i përket lidhjeve dhe përfshirjes së tyre me krimin e organizuar.

Ata kundërshtojnë shtrirjen e kontrolleve në kohë, për lidhje të mundshme midis gjyqtarëve, prokurorëve dhe pjesëtarëve të krimit të organizuar, duke filluar nga 1 janari 2012, si në tejkalimin e normave kushtetuese. Një parashikim tjetër i ligjit që kundërshtohet nga shoqatat si jokushtetues ka të bëjë me kontaktet që mund të kenë pasur me krimin e organizuar persona të lidhur me gjyqtarë dhe prokurorë.

Padia në mënyrë të veçantë kundërshton dhe mënyrën se si do të bëhet kontrolli i pastërtisë së figurës dhe provat që do të vlerësohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi dhe Kolegji i Apelimit.

Shoqatat e gjyqtarëve vlerësojnë se parashikimet e ligjit të Veting-ut mbi mënyrën si do të sigurohen dhe administrohen provat nga “grupi i kontrollit” gjatë procedurës së rivlerësimit kalimtar shkon përtej kushtetutës.

Shoqatat kundërshtojnë administrimin si provë gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të dëshmive të dhëna nga dëshmitarë të mbrojtur të prokurorisë, ku mund të flitet për lidhjet e tyre me krimin e organizuar. Ato gjithashtu kundërshtojnë përdorimin si provë në procesin e rivlerësimit të informacioneve konfidenciale, si përgjimet telefonike parandaluese të bëra nga agjenci ligj zbatuese dhe informacioneve të dhëna nga oficerë dhe agjentë të policisë gjyqësore.

Një tjetër nën i kontestuar i ligjit të Veting-ut ka të bëjë më të drejtën e gjyqtarit dhe prokurorit për të dhënë dorëheqjen gjatë procesit të rivlerësimit të integritetit të figurës, që sjell si rrjedhojë ndërprerjen e kontrollit. Ligji ka parashikuar që gjyqtarët dhe prokurorët mund ta ushtrojnë këtë të drejtë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e tij. Sipas shoqatave, ky përcaktim është jokushtetues dhe subjektet duhet të kenë të drejtë të japin dorëheqjen dhe, si rrjedhim, ta ndërpresin kontrollin gjatë gjithë procesit të Veting-ut.

Në padinë e tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese shoqatat kanë kërkuar gjithashtu shfuqizimin e neneve të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të cilët përcaktojnë kriteret e vjetërsisë në punë dhe të vlerësimit profesional për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gjyqtarët kundërshtojnë gjithashtu rolin që luajnë anëtar jo gjyqtar dhe jo prokurorë në përzgjedhjen e kryetarit dhe zv/kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë dhe rolin që anëtarët jo gjyqtarë dhe jo prokurorë kanë në procedimet disiplinore.

Ligji i tretë i paketës së reformës në drejtësi i kundërshtuar nga dy shoqatat e gjyqtarëve është ai “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në padinë e tyre, shoqatat kundërshtojnë kriteret minimale të ngritjes në detyrë të magjistratëve që lidhen me vjetërsinë në punë në një fushë të caktuar të drejtësisë, procedurat e lëvizjes paralele si dhe kufizimet e vendosura mbi promovimin e gjyqtarëve të shkallës së parë –kritere që sipas shoqatave të gjyqtarëve cenojnë të drejtën e karrierës dhe shkojnë përtej përcaktimeve kushtetuese.

Autor: Besar Likmeta | BIRN | Tiranë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY