Vëllai i ish-deputetit të PS në Elbasan, pranga në restorantin e tij...

Vëllai i ish-deputetit të PS në Elbasan, pranga në restorantin e tij ku Rama bëri takim elektoral

217
0
Shares

Biznesmeni nga Elbasani që u arrestua dje është ndërkohë edhe vëllai i Kryetarit të Këshillit të Qarkut të Elbasanit, Bukurosh Stafa, përfaqësues i PS.

Në lokalin ku Edmond Stafës iu vunë prangat që është në pronësi të tij, pak ditë më parë Kryeministri Rama kreu një aktivitetit elektoral duke zhvilluar një takim me gratë e qytetit.

Stafa rezulton i dënuar me 10 vjet burg në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Ai është pronari i hotelit “Skampini” në këtë qytet.

Policia e Elbasanit konfirmon zyrtarisht se ndalimi i biznesmenit ka ndodhur në orët e vona të natës së të enjtes në ambientet e hotel “Skampini”, në pronësi të tij, me qëllim ekstradimin e tij drejt shtetit italian, shkruan panorama.

Dyshohet se biznesmeni ka pasur një urdhër arresti gjatë viteve të tranzicionit 1990-2000, ku rezulton se edhe është dënuar nga gjykata e Bergamos, qytet në Itali, ku ka qenë rezident asokohe.

Hoteli dhe restoranti në pronësi të Stafës ndodhet në ambientet e brendshme të kalasë së qytetit, ambient të cilin biznesmeni rezulton se e marrë me koncesion për 99 vjet në periudhën kur Kryeministër ishte Fatos Nano dhe vëllai i tij ishte deputet i PS-së për Elbasanin.

Vetëm pak ditë më parë vetë Kryeministri organizoi një takim me gratë socialiste pikërisht në ambientet e këtij restoranti, ku i pranishëm ishte edhe ish-deputeti Bukurosh Stafa, i cili aktualisht është kryetar i Këshillit të Qarkut të Elbasanit.

Pavarësisht angazhimit të vëllait të tij, Edmond Stafa ka preferuar që t’i rrijë larg politikës dhe të merret me administrimin e restorantit. Sa i përket arrestimit, duket se ndalimi i tij ka qenë i befasishëm, pasi burime konfidenciale bëjnë të ditur se në momentin e ndalimit ai ka qenë në ambientet e lokalit të tij dhe ka qenë i papërgatitur për atë që ka ndodhur më pas, shkruan Panorama.

Siç mësohet, në momentin e arrestimit ai është njohur me faktin se ndaj tij kishte një vendim të formës së prerë në Itali, prandaj ai nuk ka bërë asnjë rezistencë. Prej mbrëmjes së të enjtes, Edmond Stafa ndodhet në ambientet e Burgut 312 në Tiranë, ndërsa kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij për në Itali.

I ndaluari, vëllai i ish-deputetit të PS

Biznesmeni i arrestuar është vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste për Elbasanin në legjislaturën e viteve 2005-2009, Bukurosh Stafa. Ai u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PS-së pasi votoi pro zgjedhjes së Bamir Topit si President.

Madje, në atë periudhë kur kryetar i Grupit të PS-së ishte Ben Blushi, i cili pas zgjedhjes së Topit President dha dorëheqjen nga ky pozicion, pati akuza të forta ndaj deputetëve socialistë që votuan pro. Ata u cilësuan si mbështetës të ish-kryeministrit Fatos Nano dhe madje pati edhe akuza për shitjen e votës.

I njohur si person i afërt me Fatos Nanon, pasi ishte pikërisht ky i fundit që e futi në politikë, Stafa u afrua sërish me PS-në pas disa vitesh nga përjashtimi. Në shtator të vitit 2015, ai u emërua kryetar i Qarkut të Elbasanit, detyrë që vazhdon ta mbajë edhe sot.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY