Mbi 15 persona janë shoqëruar për atentatin në Vlorë ku humbi jetën një biznesmen dhe drejtori i OSHEE. Policia e Vlorës konfirmon se Roland Saliu ka qenë viktimë e rastësishme, ndërsa shënjestër ka qenë biznesmeni Mirvjen Hyseni ndaj po hetohet e shkuara e tij. Grupi hetimor e ka përqendruar punën dhe tek shasia e mjetit që u përdor për atentatit, ndërkohë që ekspertët bazuar në dëshmitë në vendngjarje kanë krijuar një identikit të personit që kreu atentatin.
Vlore- Grupi hetimor për vrasjen e biznesmenit Mirvjen Hyseni dhe drejtorit të OSHEE Roland Saliut në Vlorë, ka përqendruar punën në makinën e cila u gjet e djegur pas atentatit të 24 majit 2017. Policia ka nisur verifikimin e numrit të shasisë së automjetit si dhe të targave.
Kjo për të gjetur se prej ku është nisur apo dhe në pronësi të cilit ka qenë makina që kishte targa false. një tjetër pistë është gjetja e pikës doganore nëpërmjet të cilës makina tip BMË ka hyrë në Shqipëri. Hetuesit shpresojnë se në këtë mënyrë mund të gjejnë dhe një gjurmë të vrasësve që tronditën vlorën mbrëmjen e së mërkurës.
Deri tani në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen janë shoqëruar mbi 15 persona, ndërsa janë marrë në pyetje edhe dëshmitarët. Bazuar në deklaratat e marra, ekspertët e kriminalistikës në Vlorë kanë bërë një identikit të personit që hapi zjarr me automatik, që mendohet se është rreth 35 vjeç.
Kamerat e hotelit ku ndodhi atentati mafioz kanë fokusuar një person të ri i veshur sportiv, i pamaskuar, por me kapele në kokë, që qetësisht me automatik në dorë afrohet pranë tavolinës ku ndodhej Hyseni dhe qëllon me breshëri.
Autori largohet me shpejtësi duke përfituar nga rrëmuja që ndodh në ato çaste. Roland Saliu rezulton të jetë viktima e rastësishme e atentatit i gjendur fatalisht në vendin dhe kohën e gabuar.
Drejtori i OSHEE Vlorë, pak metra larg vendit të ngjarjes ka shtëpinë e prindërve të tij por do të kishte edhe shtëpinë e tij të re, ku familja Saliu priste të hynte pikërisht këtë të enjte. Sipas dëshmive, kreu i OSHEE po shkonte të merrte automjetin e parkuar pranë vendit të krimit kur është ftuar për një kafe nga Mirvjen Hyseni, i cili ishte ulur në verandën e hotelit në pronësi të tij ku po kujdesej për të bijën 5 vjeçare, e cila pak minuta para te shtenave, ka lënë bicikleten dhe është futur në shtëpi.
Një plumb i vetëm në kokë i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme Roland Saliut, i gjendur me shpinë përballë rrezës së atentatorit, të cilin e priste një makinë tip BMË me xhama te erret. 5 plumba ne gjoks ka marr Erven Hyseni, i dyshuar si objektiv i kësaj ngjarjeje.
Ngjarja ka ndodhur pak metra larg syve te postbllokut të policisë që ndodhet në afërsi të sheshit të Flamurit për të disiplinuar trafikun.
Por, askush nuk ka qenë në gjëndje të ndërhyjë në kohë për të ndjekur automjetin i cili u largua me shpejtësi nëpërmjet rrugës muze të qytetit. Policia thotë se po shqyrton pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe lëvizjet në zonë në 48 oret e fundit. Dyshimet kryesore mbeten ato për të shkuarën e Mirvjen Hysenit, por blutë ende nuk kanë dalë me një version zyrtar për motivet dhe autorët e atentatit që la pas dy të vdekur.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/