Britanikja “Times”: Merkeli “Person i vitit 2014”

Britanikja “Times”: Merkeli “Person i vitit 2014”

88
0
Shares

Gazeta konservatore “Times” shpall Kancelaren gjermane Angela Merkel si “Personin e vitit 2014”. Në një analizë të po kësaj gazete për këtë vendim theksohet se Merkeli ia ka dalë të paraqesë një profil të qartë dhe këmbëngulës.
“Në 12 muajt e fundit institucionet e pas luftës si NATO, BE dhe Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara treguan se nuk janë të afta për t’i bërë ballë krizave si ajo e Ukrainës dhe terrorit të xhihadistëve. Politikanët nuk i kanë dalë ballazi kërcënimit të regjimeve diktatoriale dhe ushtrive bastisësh”.”
“Times” vëren se në këtë rang politikanësh vetëm njëra ia ka dalë të profilizohet siç duhet: Kancelarja gjermane Angela Merkel.
“Ajo është kthyer në një ndërmjetësuese të pushtetshme mes Lindjes dhe Perëndimit. Në shumë orë bisedimesh direkt ndërmjetësuese me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin ajo është përpjekur t’i tregojë kufijtë ambicieve të tij”.
Gazeta konservatore britanike e lëvdon Kancelaren gjermane për kthimin e perëndimit në vlerat e tij.
“Perëndimi me ndihmën e saj është përqendruar te vlerat e tij themelore duke u bërë i vetëdijshëm se përse ia vlen të luftosh. Merkel është politikania më e shkëlqyer në Europë, gruaja më e fuqishme e botës – dhe për ‘Times’ – ‘Personi i vitit 2014’”.

Bisedime të vështira në Minsk
Një nga angazhimet më të rëndësishme të Kancelares Merkel gjatë vitit 2014 ka qenë gjetja e një zgjidhjeje për krizën në Ukrainë. Ndërmjetësimi i Gjermanisë mes palëve ka qenë i fuqishëm, sidomos në ruajtjen e dialogut në grupin e kontaktit. Ndërkohë në Minsk grupi i kontaktit është takuar rishtazi të premten (26. 12. 2014)për bisedimet e paqes me qeverinë e Kievit dhe separatistët prorusë. Të dyja palët duket se kanë vështirësi të afrohen. I vetmi konfirmim sipas të dhënave të separatistëve, citojnë mediat, ka qenë shkëmbimi i të burgosurve.
Në bisedimet e Minskut separatistët duan që qeveria në Kiev t’i japë fund bllokadës ekonomike në Donbas. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për mosrespektim të armëpushimit të arritur tre muaj më parë në Minsk. Në bisedimet e Minskut marrin pjesë edhe përfaqësues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY