Imzot Ernest Çoba në 35-vjetorin e vdekjes në burg

Imzot Ernest Çoba në 35-vjetorin e vdekjes në burg

293
0
Shares

Dje ishte 35 vjetori i vdekjes së imzot Ernest Çobës. Më 8 janar 1980, vdiq në burg dëshmitari i fesë së krishterë, kryeipeshkvi Shkodrës, imzot Ernest Çoba, pasi, megjithëse me natyrën e butë që kishte, e dëshmoi me heroizëm të pashoq Jezu Krishtin, duke pësuar për këtë arsye tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën tokësore. Ai u bë kështu model për të krishterët e grigjës shpirtërore që i qe besuar nga Kisha.
Kryeipeshkvi imzot Ernest Çoba, lindi më 16 shkurt 1912 në një familje të vjetër qytetare shkodrane. Mësimet e para e ato të mesme i kreu në Seminarin Papnor në Shkodër. U shugurua meshtar më 9 shkurt 1936. Si prift kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnor, ku ishte përgatitur. Shërbeu edhe si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit.
Pas vdekjes së kryeipeshkvit imzot Thaçit dhe arrestimit të dom Mikel Koliqit, dom Ernes Çoba kreu njëherësh detyrën e zëvendës-famullitarit e të famullitarit Katedrales së Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë që u shugurua në kohën më kritike për Kishën katolike në Shqipëri, kur nga regjimi komunist bëheshin përpjekjet për ta shkëputur nga Selia e Shenjtë e Vatikanit. I vetmi ipeshkëv katolikë shqiptar që ishte ende gjallë e jo në pranga, imzot Bernardin Shllaku, e shuguroi imzot Ernestin, së bashku me ipeshkvin e Durrësit, imzot Pjetër Demën më 20 prill të vitit 1952. Vishte paramentet liturgjike ( veshjet liturgjike për kremtime të ndryshme të sakramenteve) me ngjyrë të kuqe, në kohën kur kjo ngjyrë, së bashku me gjakun e Shpëtimtarit të njerëzimit, Jezu Krishtit, simbolizonte edhe gjakun e sivëllezërve të tij, që derdhej pa kursim ndër zaje të shkreta. Imzot Ernes Çoba merrte në duar një mision, që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të krishterimit, të cilët shumë shpesh e bënë më të theksuar të kuqen e petkut të tyre, duke e ngjyrosur me gjakun e derdhur amfiteatrove për t’i qëndruar besnikë Krishtit, Ungjillit dhe Zëvendësit të tij mbi tokë, Papës së Romës.
Pak kohë pas shugurimit të tij, imzot Shllaku vdiq. Dioqeza e Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqeza e Tivarit, kishte pasur shumë ipeshkvij të mëdhenj si imzotët Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak Serreqin, Lazër Mjedën e Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë, në udhëheqje të imzot Ernest Çobës.
Ja si e përshkruan figurën e tij ipeshkvi ndihmës i Shkodrës, imzot Zef Simoni në librin e tij “Portrete klerikësh katolikë”, Imzot Ernes Çoba “Kishte trup të shkurtë, sy të shkathët, gjysmë të mshehun mbas syzeve të errta kur shërbente në kishë apo në zyrë. Kishte cilësi të mira: ishte i përvujtë, kryeulun, i qetë, i matun, i palodhun në shërbime, deri ndër ato që nuk i përkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej çdo ditë, mbasi kremtonte Meshën e orës 6, mbi krye të sëmurëve të qytetit, ndër koliba, tue çue sakramendet shenjte, ndërmjet fëmijëve në orë katekizmi masiv, kur Kisha e madhe gumëzhinte nga zanet fëminore. Kjo bani të fitonte popullaritet të madh e simpati, sidomos ndërmjet të vorfënve. Qe drejtues i shoqnisë së Kryqtarëve të vegjël pranë etërve jezuitë, njohës i tri gjuhëve të huaja, specialist i teologjisë morale dhe i lëndëve të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët e fesë e të liturgjisë.
Nuk mujti të merrte pjesë në vitin 1962 në Koncilin II të Vatikanit por, me largpamësinë e tij, bani të depërtojë fryma e Koncilit kishtar në gjithë jetën e Kishës. Pati guximin të mblidhte një grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte shatë prej tyne, ashtu si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë, duke shfrytëzue të gjitha mjetet dhe rrugët e mundëshme”.
Në prag të mbylljes së Kishave në Shqipëri nga regjimi komunist, në një të diel të hidhur, ndërsa ishte thirrur që të akuzohej, u kthye në akuzues, duke mbajtur një fjalim të zjarrtë, që i ngjiste predkut, për të mbrojtur Zotin e sulmuar, Kishat e tempujt fetar në prag të rrënimit të madh.
Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dyert e Kishave do të mbylleshin. Atëherë imzot Ernest Çoba u detyrua të kthehej pranë familjes. Prej derës atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi komunist e dënoi me 25 vjet burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte mbajtur lidhje me Selinë e Shenjtë me anën e legatës italiane.
“Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t’i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje misterioze”,  siç dëshmon në librin e lartpërmendur imzot Simoni.
Mbyllte sytë pas një injeksioni që iu bë në ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit të Shën Ernestit. Për figurën e tij është shkruar disa herë, por meriton të bëhen përpjekje serioze për të mbledhur dëshmitë mbi qëndrimin heroik dhe fundin e jetës së këtij kryeipeshkvi të jashtëzakonshëm, që jetoi e vdiq për Fe e Atdhe!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY