Sot protesta e PD, për dorëheqjen e Ilir Metës

Sot protesta e PD, për dorëheqjen e Ilir Metës

105
0
Shares

Partia Demokratike do të zbresë sot në shesh për të kërkuar dorëheqjen e kreut të Kuvendit Ilir Meta pas akuzave se ai ka porositur vrasjen e dy deputetëve.
Protesta masive e thirrur nga demokratët do të nisë rreth orës 11:00 nga sheshi “Skëndërbej”.
Që në orët e para të mëngjesit nga policia e shtetit ka nisur forcimi i masave të sigurisë përreth Parlamentit, pasi sot është edhe seanca plenare. Efektivë të FNSH-së kanë rrethuar godinën.
Mësohet se nga rrethet janë nisur autobusët e parë me qytetarë që do marrin pjesë në protestë. Janë të shumtë qytetarët që janë nisur dhe me makina personale.
Dega e Partisë Demokratike në Vlorë bëri me dije se 6 autobusë me mbështetës janë nisur drejt Tiranës. Ndërkohë që në Elbasan, dega e PD-së së këtij qyteti tha se autobusët me mbështetës nga Elbasani do të nisen në orën 09:00. Në të njëjtën orë do të nisen edhe nga Durrësi. Kreu i PD-së për këtë qytet, Osman Stafa thotë se 7 mijë persona do nisen drejt Tiranës.
Dhjetëra autobusë janë nisur nga Lezha.  Kreu PD Lezhë, Paulin Marku,  flet për 1500 protestues. 4000 mbështetës të tjerë janë nisur nga Qarku i Dibrës.  Kreu PD Peshkopi, Rrahim Kaleci, tha se nisja e mbështetësve është bërë me autobusë dhe mjete personale, ndërsa shtoi se policia po ushtron kontrolle tek Ura e Topojanit Dibër. Mësohet se edhe nga Shkodra do të mbërrijnë rreth 12 mijë protestues, me autobusë, të organizuar, si edhe me mjete personale. Protestues do të mbërrijnë edhe nga Fieri, Pogradeci…, etj.
Ndërkohë, kreu i PD-së, Lulzim Basha mblodhi mbrëmë grupin e deputetëve, të cilët i udhëzoi për masat që do marrin për një protestë sa më paqësore. Marshimi i demokratëve do të nisë në orën 11:00 në sheshin qendror të Tiranës, më pas një ndalesë para selisë së Parlamentit dhe marshimi do të mbyllet para godinës qeveritare.
Po dje lideri i opozitës, mblodhi të rinjtë demokratë, për t’u bërë thirrjen e fundit të gjithë shqiptarëve që të bashkohen sot në protestën në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej”. Para të rinjve të FRPD-së, Basha siguroi se gjatë protestës së organizuar nuk do të ketë asnjë incident, pasi në radhët e PD-së nuk ka kriminelë dhe këta të fundit sipas tij gjenden në radhët e qeverisë dhe të qeverisësve.
“Ne do të ushtrojmë të drejtën tonë për një protestë paqësore dhe demokratike. Paniku që i ka zënë bën edhe marrëzira. Kërkojnë kriminelët në gjirin e popullit, por unë ju them se nuk kemi ne kriminelë, kriminelët janë në gjirin e tyre dhe ne do t’i largojmë ata me çdo çmim”, u shpreh kreu i PD-së.
Sipas Bashës, mes protestuesve nuk do të ketë vend për krimin dhe kriminelët.
“Ta nisim marshimin tonë nesër (sot) për të mos e ndalur derisa të përfundojë dekriminalizimi i plotë. Kriminelët jashtë politikës. Protesta do të jetë paqësore dhe demokratike. Bashkohuni dhe me forcën e bashkimit, pa dhunë, nuk ka nevojë për dhunë, por me forcën e pjesëmarrjes ta çojmë këtë qeveri në shtëpi”, deklaroi Basha.
Duke sjellë në vëmendje akuzat e deputetit Tom Doshi ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta, Basha përmendi se brenda mazhorancës po lahen hesapet, përmes skenarëve të denjë për filmat e mafies.
“Kemi parë, kemi dëgjuar nga gjiri i mazhorancës përpjekje për likuidime jo me aktorë, siç i pëlqen të thotë kryeministri, por me vrasës. Dhe tani pasi u vunë lakun në fyt më të pamundurve, pasi mbyllën mijëra vende pune, rrënuan biznese të vogla e të mëdha, shtuan e shtuan taksa sa u morën edhe kacidhen e fundit shqiptarëve, pasi shkatërruan pronat e shqiptarëve me djersë e me gjak, pasi u zinë e u grinë me njëri-tjetrin, tani filluan të lajnë hesapet me njëri-tjetrin, një skenar i denjë për filmat e mafies. Por ky nuk është film, por një realitet i dhimbshëm që na prek ne”, – deklaroi Basha. Sipas kryetarit të demokratëve, Rama dhe Meta do të përballen sot me sovranin, që siç tha ai, do të vijojë protestat deri në dekriminalizimin e plotë të politikës shqiptare. “Ky nuk është shtet ligjor, ky nuk është sundim i ligjit, por i mafies. A jemi për sundimin e ligjit apo të mafies, a jemi për demokracinë apo oligarkinë Rama-Meta? Këto janë dilemat të cilave do t’u japim përgjigje duke nisur nga dita e nesërme (sotme). Mendonin se do ta linim pa përgjigje. Harruan rininë shqiptare. Rinia nuk vihet dot asnjë ditë nën thundrën e krimit. Përse kanë kaq frikë? Kanë frikë sepse po vjen ora e përballjes me bosin e bosëve, me popullin sovran”, u shpreh Basha.

 
 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY