Lazarat, hetimet për shpërthimin në shtëpinë e kreut të PD-së, ende asnjë...

Lazarat, hetimet për shpërthimin në shtëpinë e kreut të PD-së, ende asnjë autor të dyshuar

120
0
Shares

Më se 24 orë pas shpërthimit me lëndë plasëse në banesën e babait të kreut te Partisë Demokratike në Gjirokastër, Roland Bejko, polica ende nuk ka asnjë autor të dyshuar.
Burime të drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, bëjnë të ditur së për sasinë e tritolit që shpërtheu në oborrin e shtëpisë së Hysen Bejkos, mbrëmjen e së shtunës në fshatin Lazarat, nuk ka ende asnjë të shoqëruar apo të ndaluar.
Shpërthim më i fundit, nuk është i vetmi në këtë banesë. Pak ditë para këtij sulmi në banesën e Hysen Bejko ishte tentuar të bëhet një tjetër shpërthim i cili nuk ishte finalizuar, ndërsa lënda plasëse u gjet e pa shpërthyer nga të zotët e shtëpisë.
Kreu i PD në Gjirokastër Roland Bejko gjatë një deklaratë për mediat nuk përjashtoi mundësinë që kjo ngjarje të jetë për të krijuar destabilitet në prag të zgjedhjeve me qëllim për të rritur praninë e policisë në fshatin Lazarat, që njihet si bastion i së djathtës.
“Nuk kam konflikte as me kundërshtarët, kam marrëdhënie korrekte. Nuk kapërcej kufirin për të agravuar situatën, do të jem bashkëpunues. Këta persona uroj të jenë jashtë Lazaratit. Nisur nga historiku, ata që kanë një prapavije politike i ndërmarrin këto veprime për të destabilizuar situatën. Mund të synohet destabilizimi në Lazarat për më shumë forca dhe këto do të shtojnë tensionin për largimin e banorëve nga fshati në prag të zgjedhjeve ku janë 2000 vota. Ky është një skenar por policia duhet t’a zbardhi që mos shtrihet më tej. Im atë para një jave ka bërë një denoncim për tritol të hedhur në banesë, policia nuk e ka survejuar shtëpinë pas kësaj ngjarje. Në gusht është djegur dhe një stallë lopësh, asnjë përfundim nuk ka ende nga policia. Situata është e agravuar dhe me tensione në vend dhe për të shkëputur vëmendjen gjendet kjo trampolinë për ta çuar vëmendjen në Lazarat”, deklaroi kreu u PD-së së Gjirokastrës, Roland Bejko. 
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës së të shtunës,  rreth orës 00:12 në lagjen “Kordhocë” të fshatit Lazarat në Gjirokastër te porta e jashtme e oborrit të banesës së Hysen Bejko, babait të kreut të PD në Gjirokastër, Roland Bejkos ka shpërthyer një sasi eksplozivi.
Nga të dhënat e para mësohet se është hedhur nga jashtë portës në oborr një kallëp tritoli me fitil të ndezur. Nga shpërthimi i lëndës plasëse u shkaktuan dëmtime të pjesshme të llamarinës së portës së jashtme të oborrit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë të lënduar dhe nuk as dëme materiale në banesë.
Në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë dhe grupi hetimor ku po vijojnë veprimet për zbardhjen e ngjarjes,  identifikimin dhe kapjen e autorit.

 

 

PD: Agresioni i përsëritur, qeveria të distancohet nga këto akte në prag të zgjedhjeve

Partia Demokratike ka reaguar mbrëmjen e djeshme për sulmin mbi banesën e Roland Bejkos në Gjirokastër. Në një komunikatë të shpërndarë për mediat PD thekson se ky është një sulm i përsëritur ndaj kreut të kësaj force në Gjirokastër. Po ashtu PD hedh akuza se me anë të këtyre veprimeve qeveria e ka humbur tërësisht besimin dhe sigurinë tek opinioni publik.
“Partia Demokratike dënon sulmin me eksploziv ndaj banesës së kryetarit të Partisë Demokratike të Gjirokastrës, Roland Bejko, si një sulm me motiv e prapavijë politike. Ky është një agresion i përsëritur ndaj banesës së z. Bejko, dhe policia nuk ka marrë masat e duhura në rastet e mëparshme. Ky sulm mbi baza politike, bëhet edhe më i rëndë kur ndodh në kohën që kryeministri viziton Gjirokastrën. Dhuna ndaj përfaqësuesve dhe zyrave të Partisë Demokratike po shtohet teksa po afrojnë zgjedhjet. Partia Demokratike i kërkon qeverisë të distancohet nga këto akte dhe të ndalojë frymëzimin e agresionit ndaj opozitës. Ne e dimë se këto janë shenjat e agonisë së një pushteti arbitrar që ka humbur besimin e popullit, por asgjë nuk e justifikon goditjen e kundërshtarit. Partia Demokratike dhe demokratët janë sot më të fortë se kurrë dhe bashkë me qytetarët do t’ia dalim të largojmë oligarkinë që po sundon me dhunë”, thuhet në deklaratën e plotë të PD-së.

 
 
 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY