Këshilli i Mandateve vendos sot arrestimin e Mark Frrokut për llogari të...

Këshilli i Mandateve vendos sot arrestimin e Mark Frrokut për llogari të Belgjikës

98
0
Shares

Sot vendoset fati i deputetit Mark Frroku, pas kërkesës nga autoriteteve belge. Kuvendi i Shqipërisë i ka kthyer përgjigje dje, kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetit Mark Frroku, këtë radhë me kërkesë të Belgjikës, ku e njofton se Këshilli i Mandateve do te mblidhet sot në orën 16.00.
“Ju bejme me dije se me shkresën nr.1004/30, datë 28.03.2015, Prokurori i Përgjithshëm ka depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë, kërkesën dhe relacionin shoqërues, për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë, së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z.Mark Frroku”, njofton dje Kuvendi.
Sipas kesaj deklarate, theksohet me tej se “Në zbatim të pikës 3 të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ju njoftojmë se Kryetari Kuvendit ka vendosur që mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit, që do të shqyrtojë kërkesën dhe relacionin shoqërues për dhënie autorizimi për arrestimin, ose heqjen e lirisë, të mbahet ditën e dielë, datë 29.03.2015. ora 16.00, në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’”.

Kërkesa e Prokurorisë
Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për “arrestimin” e shtetasit Mark Frroku, pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore belge kanë nxjerrë urdhërin e arrestit ndërkombëtar, si person i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 66 dhe 394 të Kodit Penal të Belgjikës. Kërkesa e Prokurorisë shqiptare ka të bëjë me akuzat për vrasjen në bashkëpunim të Aleksandër Kurtit, vrasje e ndodhur në vitin 1999.
Kërkesa drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, e cila mbështetet në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, bazohet në materialin e ardhur në Prokurorinë e Përgjithshme nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana, me shkresën datë 27.03.2015 dhe nga Ministria e Drejtësisë, me shkresën datë 28.03.2015. Pas këtij informacioni, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedimin penal nr. 2, datë 28.03.2015, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Ngjarja në Belgjikë
Në kërkesën drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë u bën me dije deputetëve të Kuvendit se, Prokurori i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Brukselit ka ngritur akt-akuzën kundër shtetasit Mark Frroku (alias Besnik Morina), i akuzuar për “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në Bruksel, në datën 05.03.1999.
Për këtë ngjarje, autoritetet belge akuzojnë 4 shtetas shqiptarë, ndër të cilët edhe shtetasin Mark Frroku, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Të akuzuarit janë gjykuar në mungesë dhe ndaj tyre, në 15 janar 2010, Gjykata për Krime të Rënda e Brukselit ka dënuar secilin me nga 10 vjet burgim.
Ky proces gjykimi është zhvilluar në mungesë të personave të dyshuar, të cilët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre. Dy prej të akuzuarve, njëri prej të cilëve edhe shtetasi Mark Frroku, kanë apeluar këtë vendim, me arsyetimin se avokatët e tyre kanë qenë kontradiktorë në mbrojtjen e klientëve të tyre, pa shprehur qartësisht kundërshtimin e akuzës.
Në bazë të legjislacionit procedurial penal të Belgjikës, ky arsyetim i prezantuar nga dy shtetasit shqiptarë është argument për të pranuar apelimin. Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 Mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim.
Bazuar në apelimin e mbrojtjes, Kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda të Brukselit, në datën 31 janar 2014, ka vendosur fillimisht që shqyrtimi i kësaj çështje të fillojë në shkurt 2015, por pak javë më parë, gjyqtari ka vendosur që ky proces të fillojë në muajin tetor 2015.
Bazuar në aktet që i janë vënë në dispozicion Prokurorisë Shqiptare, rezulton se shtetasi Mark Frroku dhe 3 bashkëatdhetarë të tij, janë personat e akuzuar për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në vitin 1999. Sipas materialeve hetimore, rezulton se kjo vrasje është pasojë e përplasjeve së grupeve që merren me prostitucionin në Bruksel.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY