Tahiri falënderon Didin se e shpëtoi nga dorëheqja, kërcënon PD-në me padi...

Tahiri falënderon Didin se e shpëtoi nga dorëheqja, kërcënon PD-në me padi penale

80
0
Shares

“Një akt përgjegjësie morale” e quajti ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dorëheqjen e sotme të Artan Didit nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Falënderimi i tij, tingëlloi i sinqertë, sepse me këtë dorëheqje, Didi duket se shpëtoi dorëheqjen e Saimir Tahirit.
“Dorëheqja e Didit është akt përgjegjësie morale në respekt të çdo shqiptari që beson te Shqipëria Europiane. Më vjen keq që Artan Didi nuk do të jetë më në krahun e djathë timin.  Ishte një model për tu ndjekur nga punonjësit e ndershëm të policisë së shteti”, u shpreh Tahiri. Duke vlerësuar punën e Didit në krye të kësaj drejtorie, Tahiri shprehu keqardhje që nuk do ta ketë më në krah të djathë.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se ka pranuar dorëheqjen e Kreut të Policisë së Shtetit, Artan Didi dhe se përkohësisht postin e tij do ta mbajë zëvendësdrejtori Haki Cako.
Përkundër falënderimeve për Didin, Tahiri shtoi se, si ai, si kryeministri Rama do të ngrenë kallëzim penal për deputetët e PD-së, të cilët, sipas Tahirit shpifën kur thanë se “Tahiri e Rama kanë mbajtur të fshehur provat për Frrokun për ta përdorur si dëshmitar të rremë”.
Për sa i takon dosjes Frroku, ministri foli për probleme në praktikën e komunikimit të Interpol Tiranës me zyrën nga Belgjika, për të cilën kjo ministri kishte nisur hetim dhe dorëzuar dosjen në prokurori.
“Ndihemi jo mirë për atë që ka ndodhur por jemi të inkurajuar nga forca ligjore reaguese dhe vetëkorrigjuese. Praktika e komunikimit të Interpolit me zyrën nga Belgjika nuk është zhvilluar në kokën e duhur. Kam urdhëruar ngritjen e një hetimi. Nga hetimi paraprak konkludoi se nuk ishin zbatuar saktë procedurat  bazuara nga ligji prandaj ka nisur ndjekja penale ndaj dy punonjësve të Interpolit”.


Deklarata e plotë e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri
Kjo shumicë parlamentare, qeveria, Kryeministri, dhe në rastin që po flas, unë, si Ministër i Brendshëm, jemi të angazhuar çdo ditë përballë qytetarëve për të rilindur Shqipërinë duke siguruar vendosjen e vendit e të shoqërisë në binarët e rendit ligjor.
Jo shembulli i forcës, po forca e shembullit, është vlera ku besojmë dhe investohemi çdo ditë.
Për ne rendi ligjor fillon nga përgjegjësia jonë në radhë të parë, si ligjvënës e si ligj-zbatues, dhe në më shumë se një rast, besoj e kemi treguar se për ne nuk ka një ligj për veten e një ligj për të tjerët.
Përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë dhe në respekt të këtij besimi që duam të forcojmë tek të gjithë, dimë të mbajmë qëndrimin e duhur jo vetëm ligjor por edhe moral.
Ne jemi të bindur se qytetarët nuk na gjykojnë dhe vlerësojnë vetëm për punët që bëjmë mirë, po edhe për mënyrën se si reagojmë kur një situatë kritike na sfidon për të mbajtur qëndrimin e duhur.
Madje, modestisht besoj, se pikërisht në situatat kritike ne dimë të bëjmë diferencën me të shkuarën, kur shembulli i forcës dhe arroganca e pushtetit të pagabueshëm e kishin ndarë ligjin më dysh – një ligj për qytetarët dhe një ligj për të pushtetshmit.
Ne nuk kemi pretenduar kurrë se jemi të pagabueshëm dhe pikërisht pse jemi të vetëdijshëm për gabueshmërinë njerëzore në kryerjen e një detyre, jemi edhe të gatshëm të përballemi hapur me përgjegjësitë.
Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka dhënë një tjetër shembull të modelit që ne po ndërtojmë në qeverisjen e vendit.
Ka marrë përsipër përgjegjësinë morale, për një fakt shqetësues që është prodhuar si rezultat i mosveprimit të zyrës sonë të Interpolit, lidhur me një praktikë ndërkombëtare për deputetin Mark Frroku.
Dua të nënvizoj me këtë rast, se nga dita e parë e detyrës sime, së bashku me Artan Didin dhe të gjithë ekipin drejtues të Policisë së Shtetit, kemi arritur të ngremë bashkëpunimin policor ndërkombëtar të Shqipërisë, në nivele të panjohura më parë.
Kemi rikthyer besimin e humbur të partnerëve ndërkombëtarë të policisë tek Policia e Shtetit tonë dhe kemi siguruar, falë këtij bashkëpunimi, një rritje të konsiderueshme të forcës goditëse të policisë sonë ndaj elementëve kriminalë.
Por sistemi që po ndërtojmë, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, nga rrënojat e 18 muajve më parë, këtë herë nuk ka funksionuar si duhet.
Praktika e komunikimit të zyrës sonë të Interpolit me Prokurorinë e Përgjithshme, për praktikën e ardhur nga Belgjika, nuk është zhvilluar në kohën e duhur.
Për këtë arsye, me tu vënë në dijeni të fakteve, kam urdhëruar menjëherë në bazë të ligjit, ngritjen e një grupi inspektimi dhe hetimi lidhur me procedurat e zbatuara nga zyra e Interpolit Tiranë.
Pas një hetimi paraprak, Inspektimi i Ministrit të Brendshëm dhe Shërbimi për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme, konkludoi se nuk ishin zbatuar saktë procedurat e parashikuara nga ligji, ndaj për këtë arsye, për 2 punonjës të policisë ka nisur ndjekja penale po nga shërbimi ynë i brendshëm referuar më pas Prokurorisë.
Jam informuar mbrëmë se, mbi bazën e kërkesës tonë, Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e punonjësve të policisë të cilët pritet të japin shpjegimet e tyre para organeve të drejtësisë.
Lejomëni t’ju informoj se Zyra e Interpol Tirana, është një ndër instrumentet kyç të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë, ku janë fokusuar shumë nga energjitë tona e të partnerëve për të rritur bashkëpunimin dhe transparencën me agjencitë ligj-zbatuese në botë.
Kjo zyrë është reformuar tërësisht, duke parashikuar në ligjin e ri që sapo ka hyrë në fuqi edhe rregulloren e brendshme të Policisë së Shtetit (që hyn edhe ajo në fuqi pas pak ditësh), një sërë masash përmes të cilave përcaktohen instrumente të rinj për të shmangur tërësisht mungesën e transparencës apo moszbatimin e procedurave ligjore nga cilido punonjës i Policisë së Shtetit.
Por pavarësisht këtyre, ndodhemi konkretisht përpara një shkeljeje serioze, të cilën sidoqoftë e ka zbuluar, hetuar dhe proceduar po Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit.
Dhe aq sa ndjehemi jo mirë për atë që ka ndodhur, po aq jemi të inkurajuar nga forca ligjore reaguese dhe vetëkorrigjuese e jona dhe policisë, përmes të cilës është vepruar menjëherë ndaj dy punonjësve të policisë.  
Përgjegjësinë penale të tyre, pritet ta nxjerrin hetimet e shërbimit tonë të brendshëm dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Por unë dua të theksoj fort këtu, përgjegjësinë morale që Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka marrë sot duke u dorëhequr për të dhënë mesazhin e qartë e të fortë të dinjitetit të Policisë që po rilindim.
Marrja e kësaj përgjegjësie prej tij, është akti kuptimplotë i vullnetit tonë të përbashkët për të ndërtuar mes njëmijë e një vështirëve objektive, po edhe përballë plot pengesave artificiale të politikës së baltës, frymën e ligjshmërisë, modelin e transparencës dhe moralin e mos-fshehjes para përgjegjësive që duhet ta mishërojë çdo punonjës i Policisë së Shtetit.
Me Artan Didin kemi punuar ngushtësisht, 18 muaj pa kufi mes ditës e natës, për të bërë realitet vizionin e ri të Policisë së Shtetit për ligjshmërinë e sigurinë, duke garantuar ndëshkueshmërinë për këdo që e cenon këtë vizion me sjellje të fajshme ligjërisht.
Jam shumë i sigurt që projekti ynë i përbashkët, të cilin ne e jetësojmë përditë si një projekt të qytetarëve, merr forcë nga akti i sotëm i Artan Didit, si një akt përgjegjësie pikërisht në respekt të çdo shqiptari që beson tek Shqipëria Europiane e të cilin ne i detyrohemi me punë të palodhur.
Përpara kësaj pasqyre të pastër të modelit tonë të ri për Policinë e Shtetit, e kam të pamundur të mos shpreh neverinë më të ndjerë ndaj atyre që vazhdojnë të luftojnë egërsisht për ta kriminalizuar policinë e qeverinë tonë, me shpifjet më shtazarake.
Ata që deri dje, manipulonin skena krimesh, prova e dëshmitarë, mohonin krime të ndodhura në mes të ditës, shpiknin komplote e puçe me gazetarë e me prokurorë e me presidentë e me opozitarë po e po, sot bubullojnë se Mark Frrokun e paska mbrojtur qeveria për ta përdorur si dëshmitar të rremë.
Ju njoftoj se edhe për këtë, do të çojmë menjëherë kallëzimin penal, qoftë unë qoftë Kryeministri i Shqipërisë, dhe ju siguroj se po njësoj si në gjyqin për shpifje që po zhvillohet aktualisht, do të thonë prapë ne s’dimë gjë, s’kemi prova, s’kemi fakte, po kështu e mendon Partia Demokratike.
Po s’ka rëndësi, zbardhjen e akuzave të tyre kriminale përmes Gjykatës së Lartë ne ia detyrojmë publikut, jo atyre që deri dje qeverisën si një bandë e organizuar, ndërsa sot ulërasin si një lukuni e dëshpëruar.
Sepse për ne, detyra për të mirë-qeverisur Shqipërinë është e shenjtë dhe detyrimi për të qenë transparentë dhe të vërtetë me shqiptarët, edhe kur diçka nuk shkon si duhet, është i patjetërsueshëm.
Më vjen keq që Artan Didi nuk do të jetë më në krahun tim të djathtë.
Integriteti dhe kurajoja e tij ishin një aset i çmuar në këtë rrugë të vështirë rilindjeje të Policisë së Shtetit, dhe besoj një model për tu ndjekur nga punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit
Ashtu siç më vjen mirë që sot atë e njohën si një qytetar besnik të ligjit e të vlerave morale edhe ata që deri dje nuk dinin asgjë për të.

 
 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY