Projektligji/ Amnisti për ndërtimet e paligjshme, përfiton kush ka ndërtuar në tokën...

Projektligji/ Amnisti për ndërtimet e paligjshme, përfiton kush ka ndërtuar në tokën e tij

116
0
Shares

Personat që kanë ndërtuar pa leje deri në 20 prill 2014 do të “shpëtojnë” nga ndjekja penale, në rast se miratohet në Kuvend propozimi i tre deputetëve PD-LSI për amnistimin e personave që kanë ndërtuar pa leje, vepër e parashikuar nga neni 199/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal. Deputetët Nard Ndoka, Kozma Dashi (PD) dhe Miranda Rira e LSI kanë dorëzuar në Kuvend një projektligj, ku kërkojnë të aministohen personat që kanë ndërtuar pa leje deri në 20 prill të vitit 2014. Sipas draftit, përfitojnë edhe ata që kanë ndërtuar në tokën e tyre edhe ata që kanë ndërtuar në tokën e tjetrit.
Sipas përcaktimit ligjor aktual, personat që kanë ndërtuar pa leje rrezikojnë të dënohen nga gjoba deri në pesë vjet burg.

Pronësia mbi tokën
“Pronësia mbi tokën nuk është kriter përjashtues për të përfituar nga legalizimi i një ndërtimi të paligjshëm. Dallimi ose diferencimi që bën ligji nr. 22/2014 ‘Për dhënie amnistie’ për sa i përket ndërtimit të paligjshëm, bie në kontradiktë me trajtimin uniform/joselektiv që i bën kësaj çështjeje ligji nr. 9482, datë 03. 04. 2006 ‘Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje’, i ndryshuar”, thuhet në relacion.
Deputet argumentojnë se “në një formë të thjeshtëzuar mundet të thuhet se, nëse civilisht ndërtimin pa leje e ‘amnistojmë’, pavarësisht se kush është pronari i tokës ku është bërë ndërtimi, penalisht ne e amnistojmë këtë ndërtim vetëm kur ai është bërë në tokën e personit që ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Nuk e amnistojmë penalisht ndërtimin pa leje në rastin kur ai është bërë në tokë të tjetrit, apo në tokë publike.
Dallimi që bën ligji nr. 22/2014 midis paragrafit të parë dhe të dytë të nenit 199/a të Kodit Penal nuk merr në konsideratë realitetin. Sipas të dhënave që disponon ALUIZNI, vetëm rreth 30 për qind e ndërtimeve të paligjshme janë bërë në pronë të vetë subjektit që ka bërë ndërtimin. Pjesa tjetër e ndërtimeve të paligjshme, pra rreth 70 për qind, janë bërë në tokë të tjetrit, ose në tokë publike. Ky dallim në trajtim është nonsens nga pikëpamja logjike dhe krijon problem nga pikëpamja praktike”, thuhet në relacion.

Penalizimet kontradiktore
Në argumentin e kërkesës së tyre deputetët shprehen se statistikat tregojnë se procedimet penale, si dhe më shumë akoma dënimet penale për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm, parashikuar nga neni 199/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal, numërohen me dhjetëra.
“Më i vogël është ky numër në rastin e kryerjes së veprës penale të ndërtimit të paligjshëm, parashikuar nga paragrafi i parë i nenit 199/a i Kodit Penal. E gjithë pjesa e atyre shtetasve që nuk janë proceduar, edhe pse objektivisht kanë konsumuar veprën penalë të parashikuar nga neni 199/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal, janë potencialisht subjekt i ndjekjes penale dhe i dënimit penal dhe sot janë të tillë, edhe pse ligji për legalizimet iu legalizon ndërtimin pa leje. Në kushtet kur vetë shteti ka vendosur të legalizojë informalitetin dhe paligjshmërinë në ndërtime (sipas disa kritereve), si dhe në kushtet kur ky fenomeni është masiv, nuk do të ishte me sens dhe e dobishme që të penalizoheshin personat që e kanë kryer këtë vepër penale në afatin që ligji u njehë të drejtën e legalizimit të ndërtimit të paligjshëm. Nga ana tjetër, fakti që procedimet kanë qenë disa dhjetëra, ndërkohë kur ky fenomen është masivisht prezent, të bën të mendosh se këto procedime ose kanë qenë selektive dhe jo në funksion të rivendosjes së ligjshmërisë, ose organi procedues për shkak të numrit shumë të madh të këtyre rasteve nuk ka pasur dhe nuk ka mundësi (kapacitete) për të ushtruar ndjekjen penale”, thuhet në relacion.
Sipas deputetëve, “në të dyja variantet kemi të bëjmë me një shkelje të parimit kushtetues, atij të të qenit të gjithë të barabartë përpara ligjit. Parim i cili sanksionohet në nenin 18 të Kushtetutës. Ndaj, bazuar në sa më sipër, grupi i deputeteve do t’i propozojë Kuvendit projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin 22/2014 ‘Për dhënie amnistie’”.

 
 
 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY