Forca të shumta policore maqedonase janë futur sot në fshatin e banuar me shqiptarë në Malinë te Shkupit. Banorët e këtij fshati bënë të ditur se qindra policë të armatosur janë futur mëngjesin e sotëm në këtë zonë dhe po kontrollojnë shtëpitë, kurse mbi fshat po fluturojnë helikopterë të policisë maqedonase.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhenësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski, i cili ka njoftuar se aksioni i policisë po vazhdon edhe në këto orë të pasdites. Autoritetet policore nuk kanë bërë të ditur qëllimin e këtij aksioni. Malina ndodhet në zonën kufitare Maqedoni – Kosovë.
Policia maqedonase aksion në fshatin e shqiptarëve, Malinë
Njësite speciale të policisë maqedonase hynë sot në fshatin Malinë të Shkupit ku banojnë shqiptarë dhe ushtruan kontrolle në banesat e tyre. Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Malinë, Veli Saliun, konfirmoi gjendjen kaotike që është shkaktuar me prezencën e madhe të forcave policore dhe ushtarake.
“Nga ora 03.00 e mëngjesit kanë ardhur rreth 500 policë dhe policë kufitare, dhe pa asnjë arsyetim, kanë filluar të kontrollojnë shtëpi për shtëpi. Me mjete të rënda artilerie, me helikopterë, autoblinda po qëndrojnë në fshat. Në oborrin e çdo shtëpie janë vendosur nga 10-15 policë të veshur me të zeza, njësite speciale dhe të armatosur deri në fyt”, ankohet Saliu.
Ai thotë se në mesin e këtij grupi të madh të policëve ka vetëm tre-katër shqiptarë.
“Këtu në fshat janë afër 500, por me siguri në mal janë më tepër. Deri tani i kanë bastisur disa shtëpi, në të cilat nuk ka banuar askush. Si duket, deri në darkë do të mbesim të bllokuar në fshat. Presion të madh na kanë krijuar”, u shpreh Saliu.
Po kështu portalet online shqiptare në Maqedoni citojnë banorët e zonës të thonë se janë të frikësuar.
“Policët janë të armatosur deri në dhëmbë. Helikopterët fluturojnë pandërprerë. Më së tepërmi po frikohen fëmijët, mirëpo frika është prezente edhe te banorët tjerë”.
“Jemi të rrethuar nga forcat policore. Janë futur nëpër oborret e shtëpive të fshatit. I gjithë fshati është përplot me transporterë policorë, kurse po i vërejmë edhe në malet përreth. Nuk e kemi të qartë a na i dërgoi policët Gordana Jankullovska apo Ali Ahmeti. Këtë duam ta dimë”, thotë një banore e këtij fshati Ganimete Saliu cituar nga portal on-line “Lajm”.
Reagon ministria e Brendshme maqedonase
Ndërkohë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme maqedonase e konfimojnë aksionin, por deri në përfundimin e saj, nuk jep askush informacione se çfarë po kërkohet në fshat.
Vetë ministria e Brendshme maqedonase, përmes zëdhënësit të saj Ivo Kotevski konfirmoi operacionin policor.
“Të mbarojë e gjitha dhe më pas ju tregoj se çfarë po ndodh. Besoj është akson për përndjekje të kriminelëve”, mësohet të ketë thënë Kotevski citojnë mediat shqiptare në Maqedoni.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/