Nepal, arrin në 5 mijë numri viktimave, kryeministri paralajmëron se mund të...

Nepal, arrin në 5 mijë numri viktimave, kryeministri paralajmëron se mund të shkojë në 10 mijë

59
0
Shares

Bilanci i viktimave të tërmetit në Nepal ka kaluar shifrën 5 mijë, ndërsa mbi 8200 të tjerë janë të plagosur. Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) thotë se 8 milionë njerëz janë prekur nga tërmeti, ndërsa 1.4 milionë banorë aktualisht kanë nevojë për ndihma ushqimore
Një situatë e tillë ka vështirësuar përpjekjet për shpëtim jetësh në Nepal, por edhe për të ofruar ndihmë.

Bilanci i viktimave
Bilanci i viktimave të tërmetit në Nepal ka arritur në 5057 dhe mbi 8200 të tjerë janë të plagosur. Vendet më të prekura nga tronditjet janë, Sindhupalchoëk, Kathmandu, Nuëakot, Dhading, Bhaktapur, Gorkha, Kavre, Lalitpur e Rasuëa. Njerëzit e bllokuar nëpër fshatrat e largëta të Nepalit janë ende në pritje të ndihmave lehtësuese, të cilat ishin paralajmëruar se do të mbërrinin këtë të martë, 4 ditë pas tërmetit shkatërrimtar.
Qeveria e Nepalit ka bërë të ditur se ende nuk ka bërë një vlerësim të përgjithshëm të shkallës së dëmeve të tërmetit me magnitudë 7.9 të së shtunës, që u pasua të dielën nga një tjetër tronditje prej 6,7 ballësh, kjo për shkak se është e pamundur të shkohet nëpër zonat malore, edhe pse ndihmat humane dhe personelet e shpëtimit kanë ardhur me shumicë nga anembanë botës.
Kryeministri Sushil Koirala tha për “Reuters” se numri i viktimave mund të arrijë deri në 10 mijë, pasi të mblidhet edhe informacioni për dëmtimet dhe jetët e humbura nëpër fshatrat e rajoneve më të largëta të Nepalit. Me këtë paralajmërim ndoshta mund të tejkalohet edhe numri prej 8500 viktima të shënuara gjatë tërmetit tjetër më të madh në vitin 1934, fatkeqësia që konsiderohej si më e madhja që kishte goditur kombin e vendosur buzë Himalajeve.

OKB: 8 milionë banorë të prekur nga tërmeti në Nepal
Kombet e Bashkuara thonë se 8 milionë njerëz janë prekur nga tërmeti i 25 prillit në Nepal, ndërsa 1.4 milionë banorë aktualisht kanë nevojë për ndihma ushqimore.
Koordinatori i OKB-së në Katmandu, Jamie McGoldrick, tha sot në një konferencë për shtyp se 2 milionë e njerëzve të prekur, janë nga 11 rrethet më së shumti të goditura nga tërmeti.
Nga ana tjetër, helikopterët kanë fluturuar afër epiqendrës së tërmetit, në territoret e largëta, duke i bartur të plagosurit nëpër spitale dhe duke dërguar ndihma emergjente te fshatarët, që janë izoluar nga vërshimet.
India dhe Kina ishin ndër kontribuesit e parë ndërkombëtarë në mbështetje të përpjekjeve për ndihma në Nepal, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë shpallur një ndihmë shtesë prej 9 milionë dollarëve për Nepalin. Kështu, ndihma amerikane arriti në 10 milionë dollarë.

Përpjekje të vështira për shpëtim jetësh në Nepal
Të mbijetuarit e tërmetit në Katmandu të ulur në tenda dhe nën strehët e banesave për t’u mbrojtur nga shiu i rrëmbyer janë sot të nervozuar nga mungesa e ndihmës së qeverisë pas tërmetit shkatërrimtar të fundjavës.
Një seri pasgoditjesh, shkatërrimet e mëdha nga tërmeti, infrastruktura e dëmtuar dhe mungesa e fondeve kanë ngadalësuar përpjekjet e shpëtimit në Nepal, këtë vend të varfër malor.
Shumë njerëz në mbarë Nepalin po përgatiten të kalojnë natën e katërt jashtë, me shtëpitë e tyre të rrafshuara apo të kërcënuara nga pasgoditjet që kanë përhapur më shumë frikë mes popullatës së traumatizuar.
Në kryeqytetin Katmandu dhe gjetkë, mijëra njerëz flenë në rrugë dhe parqe, shumë prej tyre nën tenda.
Në kryeqytet , të rinjtë dhe të afërmit e viktimave po kërkojnë nëpër rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, shumica pa doreza, në kërkim të të  zhdukurve.
Shirat po i vështirësojnë përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY