Gjykata Europiane shpëton shqiptarin nga burgimi në Itali

Gjykata Europiane shpëton shqiptarin nga burgimi në Itali

59
0
Shares

Të riatdhesuarit që shkelin sërish territorin e BE-së s’mund të burgosen pse janë emigrantë të paligjshëm

Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian ka shpëtuar shtetasin shqiptar Skerdjan Çelaj nga burgimi për qëndrim të paligjshëm në Itali. Gjykata e Drejtësisë së Luksemburgut ka sfiduar shtetin italian për çështjen Çelaj përmes interpretimit të bërë publik në 28 prill 2015.
Skerdjan Çelaj u dëbua nga Italia dhe u riatdhesua në Shqipëri me iniciativën e tij në 14 shtator të 2012. Por ai u kthye sërish në Itali në 14 shkurt 2014. Sipas autoriteteve italiane, shtetasi Çelaj  duhet të dënohej me 8 muaj burgim për shkeljen e urdhrit të Kuesturës së Firences të 17 prillit 2012, që i ndalonte atij hyrjen në territorin italian përgjatë tre vjetëve.
Por kjo e ka venë në dilemë Gjykatën e Firences, që duhet të jepte dënimin për Skerdjan Çelaj. Gjykata italiane nuk mund të mbështetej  mbi ligjin italian, pa verifikuar nëse ai është në përputhje me të drejtën europiane.
Për të parë nëse kishte përplasje, Gjykata e Firences, i është drejtuar Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, që gjykon përpuethmërinë e legjislacionit të çdo shteti anëtar me të drejtën europiane.
Pas analizës së çështjes Çelaj, Gjykata e Luksemburgut ka dalë me konkluzionin, se një shtet anëtar i Bashkimit Europian nuk mund dënojë me burgim një shtetas të tretë thjesht për faktin, se ai ka qëndruar ilegalisht në territorin e tij. Sipas Gjykatës së Luksemburgut, kjo do të ishte në kundërshtim me direktivën europiane 2008/115 / EC.
Çështja Çelaj kthehet tashmë në një precedent të rëndësishëm për jurisprudencën  e të gjitha shteteve anëtare lidhur me qëndrimin e paligjshëm të shtetasve të tretë në territorin e Bashkimit Europian, pas çështjeve El Dridi, Sagor dhe Ashughbabian. Gjykata e Luksemburgut krijon kështu të drejta të reja për shtetasit shqiptarë dhe të gjithë atyre  të shtetasve të treta, që ndodhen ose do të ndodhen në rrethanat e Skerdjan Çelës.


Argumenti i Gjykatës së Luksemburgut
“Direktiva europiane 2008/115 / EC e Parlamentit dhe e Këshillit Evropian e datës 16 dhjetor 2008 për kthimin e shtetasve të vendeve të treta që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme  në territorin e BE-së, në veçanti duke iu referuar neneve 15 dhe 16 duhet të interpretohet në mënyrë të tillë,  që  ajo është në kundërshtim me legjislacionin e një shteti anëtar, që  parashikon dënimin e një shtetasi të një vendi të tretë për qëndrim të paligjshëm me motivin që ky i fundit, pas kthimit në vendin e tij në kuadrin e një procedure të mëparshme riatdhesimi, është futur sërish në territorin e shtetit anëtar”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY