Berisha: Dasmën Veliajt nuk ja pagoi mamaja por ministria

Berisha: Dasmën Veliajt nuk ja pagoi mamaja por ministria

129
0
Shares

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka publikuar  sot në “Facebook”, një dokument të KLSH-së, sipas të cilit provon se dasmën Erion Veliajt nuk ia bëri mamaja me kursimet e saj, por u bë me paratë e ministrisë.
Gjithashtu, publikimin e këtij dokumenti, Berisha e shoqëron edhe me një shënim të tijin.
Në këtë shënim Berisha shkruan se:
“Te dashur miq, per ministrin e mireqenies personale, Erion Veliaj, pati nje seri akuzash se perdori fondet publike per dasmen e tij gjigande me dy raunde dhe organizimit ne funksion te saj te te ashtuquajturit ‘Traku Fest’ me shpenzimet e te cilit mbuloi shpenzimet per dasmen e tij ne kalane e Gjirokastres. Veliaj asokohe, u pergjigj se per ato aktivitete nuk eshte shpenzuar nje qindarke nga fondet publike. Mirepo rrena i ka kembet e shkurtra!
Keto dite, Kontrolli i Larte i Shtetit çoi per ndjekje penale drejtore dhe punonjes te ministrise se dasmes te ministrit sepse:
1 – per Traku Fest ishin perdorur dhjetera e dhjetera milione leke
2 – keto fonde per Traku Fest ishin perdorur pa organizuar tendera.
3 – per kete qellim ato ishin ndare ne dhjetera e dhjetera shuma lekesh te vogla dhe
4 – Traku Fest nuk ishte bere kurre dhe organizimi i tij nuk kishte asnje lidhje perveç dasmes se ministrit me Ministrine e Mireqenies Personale!
Ketu me poshte keni te gjitha dokumentat e Kontrollit te Larte te Shtetit qe jane derguar ne Prokurori se bashku me emrat e punonjesve qe vodhen fondet publike per ti perdorur ato per dasmen e ministrit te tyre te varfer qe bleu vilen me mbi 200 mije euro”, shkruan Sali Berisha në “Facebook”

 
Dokumenti i KLSH-së


REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KONTROLLI I LARTË I SHTETIT
K R Y E T A R I
Nr.____ Prot.                                                   Tiranë, më__/__/2015

 

Lënda:      Kallëzim për ndjekje penale.
Përpara:
    PROKURORISË SË RRETHIT GJYQËSOR T I R A N Ë
Për dijeni: Z. ADRIATIK LLALLA PROKUROR I PËRGJITHSHËM I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË T I R A N Ë
Ndaj:   Znj. Julinda Dhame, me detyrë Drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Për:     Konsumimin e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal.
 
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 1012/1 prot, datë 10.11.2014, ndryshuar me  nr. 1012/2, datë 24.12.2014 dhe nr. 1012/3, datë 29.01.2015, ushtroi auditim në Agjencinë Kombëtare të Turizmit (AKT) për periudhën Shtator 2013-Dhjetor 2014, në përfundim të të cilit u konstatuan një sërë shkeljesh të procedurave të prokurimit dhe menaxhimit financiar me pasojë dëm ekonomik të përllogaritur në vlerën 9,440,318 lekë, për të cilat përgjegjësia kryesore bie mbi titullarin e këtij institucioni Znj. Julinda Dhame.
 Nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit rezultoi që nga ana e AKT-së:
–           Nuk janë ndjekur qëllimisht procedurat e prokurimit “tender i hapur” por janë copëzuar fondet duke u kryer disa procedura me objekt të ngjashëm prokurimi duke aplikuar procedurën “kërkesë për propozim” apo “blerje të vogla”.
Në funksion të këtij qëllimi, nuk janë ndjekur procedurat përkatëse ligjore për miratimin e programit vjetor të aktivitetit të AKT-së në MZHUT (Ministria nën varësinë e të cilës ka qenë AKT për periudhën objekt auditimit), të përcaktuara në rregulloren e brendshme të AKT-së si dhe Ligjin 9734, datë 14.05.2007 “Për Turizmin”, i ndryshuar.
Në rast se AKT-ja do të kishte hartuar dhe çuar për miratim në MZHUT, programin vjetor të aktivitetit, në të cilin do ishin evidentuar të gjitha kërkesat për prokurime dhe sidomos ato me objekt të ngjashëm dhe që përkojnë me pjesëmarrjen e AKT-së në panaire të ndryshme, atëherë të gjitha procedurat e prokurimit të zhvilluara nga AKT nëpërmjet procedurës “kërkesë për propozim” apo “blerje të vogla” do të eliminoheshin dhe do të zëvendësoheshin nëpërmjet procedurës “tender i hapur”.
Mungesa e zhvillimit të procedurës “tender i hapur” nga AKT dhe përdorimi gjithnjë i procedurës “kërkesë për propozim”, “blerje të vogla”, si dhe “negocim pa shpallje” ka shmangur qëllimisht konkurrencën e operatorëve ekonomik dhe ka krijuar kushtet për favorizimin e subjekteve të caktuar privat të cilët rezultojnë të njëjtët pothuajse në të gjitha procedurat e zhvilluara të tenderimit.
–           Janë kryer procedura tenderimi fiktive, në të cilat nuk janë zbatuar kërkesat përkatëse ligjore e nënligjore përsa i përket përcaktimit nga AKT-ja të specifikimeve teknike dhe llogaritjes së fondit limit, hyrjes dhe daljes nga magazina të materialeve të prokuruara, si dhe magazinimin e këtyre mallrave pas mbarimit të aktiviteteve, kërkesa këto të përcaktuara në VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e Prokurimit Publik”, i ndryshuar, Udhëzimin e MF nr. 30, datë 27.11.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”, si dhe Ligjin nr. 10296, datë 8.7.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”.
Siç ka rezultuar dhe nga auditimi, AKT-ja në specifikimet teknike të mallrave të prokuruara është mjaftuar vetëm me përcaktimin e sasive të mallrave të prokuruara, pa përcaktuar specifikime të tjera të domosdoshme si lloji, përmasa, pesha, garancia e mallit, certifikatë origjine, materiali, etj. fakt ky që ka çuar në prokurime fiktive ku siç evidentohet dhe në raportin përfundimtar të auditimit, në një rast AKT ka prokuruar “tabelë reklamuese led” pa asnjë lloje specifikimi teknik, është marrë në dorëzim si “tabelë reklamuese led” dhe nuk figuron më si gjendje në librat e magazinës dhe as fizikisht në magazinë.
–           Janë kryer prokurime mallrash nëpërmjet procedurës “blerje të vogla” në funksion të mbështetjes së aktiviteteve të ndryshme kulturore por që nuk janë objekt i promovimit të turizmit, sipas kërkesave të Ligjit 9734, datë 14.05.2007 “Për Turizmin”, i ndryshuar, ku siç evidentohet dhe në raportin përfundimtar të auditimit, AKT ka paguar që nga marrja me qira e stolave dhe tavolinave deri në akomodimin nëpër hotele.
 
Më konkretisht


1) Në tenderin me objekt “Arredimi i stendës për pjesëmarrje në Panairin e I.T.B. Berlin”, me fond limit 6,651,000 lekë (pa TVSH) ose me vlerë kontrate 7,918,800 lekëme TVSH, u konstatua që:
Për këtë tender nuk janë ndjekur procedurat normale të prokurimit “tender i hapur” por ato “kërkesë për propozim” dhe “blerje të vogla”, duke shmangur kështu konkurrencën e operatorëve të ndryshëm ekonomik.
Mallrat që AKT ka prokuruar në këtë tender, si broshura, printim banesash, stenda operatori (tavolina), çanta letre, harta turistike, apo germa 3d, janë mallra të cilat AKT i ka prokuruar në mënyrë të ngjashme (pra nëpërmjet procedurave “kërkesë për propozim” apo blerje të vogla”) edhe në raste të tjera për nevoja të pjesëmarrjes në panaire të ndryshme për promovimin e turizmit. Por ndonëse ky shërbim i AKT-së (promovimi i turizmit) dhe këto aktivitete janë kryer vazhdimisht gjatë vitit nga ana e saj dhe konsiderohet si një proces i vazhdueshëm pune i AKT-së, AKT-ja nuk i ka përmbledhur këto procedura tenderimi në një procedurë të vetme prokurimi “tender i hapur” por duke mbajtur fondet e copëzuara ka justifikuar aplikimin e procedurave “kërkesë për propozim” dhe “blerje të vogla”, procedura të cilat i japin AKT-së mundësinë e përzgjedhjes së operatorëve fitues ekonomik, që në pothuajse të gjitha rastet rezultojnë të jenë të njëjtët.
Në funksion të këtij qëllimi, AKT nuk ka ndjekur procedurat përkatëse ligjore për miratimin e programit vjetor të aktivitetit të AKT-së në MZHUT (Ministria nën varësinë e të cilës ka qenë AKT për periudhën objekt auditimit), të përcaktuara në rregulloren e brendshme të AKT-së si dhe Ligjin 9734, datë 14.05.2007 “Për Turizmin”, i ndryshuar. Në rast se AKT-ja do të kishte hartuar dhe çuar për miratim në MZHUT, programin vjetor të aktiviteteve promovuese, për të cilat kërkesat për mallra dhe shërbime janë të ngjashme, atëherë të gjitha procedurat e prokurimit të zhvilluara nga AKT do të përmblidheshin në një procedurë të vetme prokurimi dhe për të cilën nuk do aplikoheshin procedurat “kërkesë për propozim” apo “blerje të vogla” por do sigurohej konkurrimi i drejtë i operatorëve ekonomik nëpërmjet procedurës “tender i hapur”.
Në analizë të specifikimeve teknike të kësaj procedure tenderimi, evidentohet që për zërat “tabelë reklamuese me ndriçim LED”, “printim baner”, “stenda operatori” dhe “germa 3d” mungojnë specifikimet e nevojshme teknike për identifikimin e saktë të mallrave që kërkohen të prokurohen, duke i lënë hapësirë operatorit ekonomik që të sjellë çfarëdolloj malli, të çfarëdolloj karakteristike mjafton që të plotësojë kërkesën e numrit dhe emërtimit të mallit.
Në lidhje me këto mallra të prokuruara (30,000 broshura, 100m2 baner, 10,000 çanta letre, 20,000 harta turistike, 7 germat 3d dhe 1 tabelë reklamuese me ndriçim LED) të cilat kanë një peshë dhe një volum total të konsiderueshëm tejet të pamundur për tu kryer personalisht nga ana e personelit të AKT-së pjesëmarrës në panairin e Berlinit (pjesë e të cilit ka qenë dhe vetë Drejtoresha e AKT-së) nuk figuron asnjë gjurmë apo dokument justifikues i transportit të këtyre materialeve nga magazina e AKT-së në panairin e Berlinit, çka automatikisht tregon për fiktivitetin e këtij prokurimi. Në funksion të këtij konstatimi qëndron dhe fakti që grupit të auditimit të KLSH-së nuk ju vu në dispozicion asnjë dokument justifikues i përdorimit të këtyre materialeve në këtë aktivitet madje edhe për tabelën reklamuese me ndriçim LED e cila duhet të ishte bërë hyrje në magazinë grupi i auditimit nuk gjeti asnjë gjurmë të ekzistencës së saj dhe dokumentuar në librat e magazinës.
Një shkelje tjetër e evidentuar në lidhje me këtë procedurë tenderimi është edhe fakti që për shërbimin e design-it, likuiduar nga AKT në vlerën 36,000 lekë, kërkohej paraprakisht përcaktimi nga AKT-ja i kërkesave specifike të këtij designi dhe jo lënien në dorën e operatorit ekonomik të vendosjes nga ana e tij të çfarëdolloj designi. Fakti që AKT-ja nuk i ka dhënë paraprakisht operatorit ekonomik asnjë të dhënë specifike në lidhje me disignin e produkteve dhe gjithashtu nuk ka miratuar më pas asnjë variant designi të këtij operatori ekonomik (përpara se ai ta përdorte këtë design në mallrat e prokuruara si broshura, çanta, baner, etj) tregon që ky zë i papublikuar në dokumentet standarde të tenderit është fiktiv.


2) Në tenderin me objekt “Prodhimi i materialeve promocionale në kuadër të vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri”, me vlerë kontrate 6,102,000 lekë (me TVSH), u konstatua:
Për këtë tender nuk janë ndjekur procedurat normale të prokurimit nëpërmjet procedurës “tender i hapur” por procedura “negocim pa shpallje paraprake”.
Me shkresën nr. 20, datë 01.8.2014 është dërguar në AKT, Vendimi nr. 13, datë 23.07.2014 i Komisioni Shtetëror “Për Bashkërendimin e punës në lidhje me organizimin e aktivitetit lidhur me vizitën e Papa Franceskut në Shqipëri, në datën 21 Shtator 2014”, i cili ka vendosur prodhimin e materialeve promocionale në fushën e turizmit në RSH, të cilat do t’u vihen në dispozicion gazetarëve të akredituar, që marrin pjesë gjatë vizitës së Papa Frenceskut në Shqipëri.
Në MEMO-n nr. 673/1 prot, datë 6.08.2014 drejtuar Drejtores së Përgjithshme znj. Julinda Dhame, nga Drejtoria e Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë, bëhet relacion lidhur me prodhimin e materialeve promocionale në fushën e turizmit, në kuadër të vizitës së Papa Françeskut ku argumentohet pamundësia e ndjekjes së procedurave të rregullta konkurruese dhe përdorimi i procedurës me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit.
Përzgjedhja e kësaj procedure nuk është bërë në përputhje me kërkesat e nenit 33, pika 2/c të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 ”Për Prokurimin Publik” i ndryshuar, pasi në këtë nen është përcaktuar qartë se “kur për arsye të nevojës ekstreme ……..afati kohor i parashikuar në nenin 43 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 për njoftimin e kontratës për procedurat e hapura të kufizuara…. nuk mund të respektohet”. Nisur nga ky detyrim ligjor duke ju referuar nenit 43, pika 7 të ligjit të sipërcituar i cili shprehet se “në rastet e procedurave të prokurimit nën kufirin e ulët monetar, afati kohor minimal për dorëzimin e ofertave është 10 ditë nga data në të cilën është shpallur njoftimi i kontratës në faqen e internetit të Agjencisë së Prokurimit Publik”, AK nuk duhet të kishte përzgjedhur këtë procedurë prokurimi, pasi nga data e shpalljes së vendimit nr. 13, datë 23.07.2014 të Komisioni Shtetëror deri me datë 21.9.2014 që është dita e vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri, është kohë e mjaftueshme për të përzgjedhur si procedurë të preferuar prokurimi të paktën “kërkesë me propozim”, si një  procedura për të mos shmangur konkurrencën në prokurim.
 
3) Në mbështetjen e aktivitetit TRAKU FEST dhe mbulimin e tij nëpërmjet copëzimit të fondeve.
Referuar relacionit mbi mundësinë e mbështetjes së aktivitetit të përgatitur nga Znj. Elena Bardhi, sipas shkresës nr. 655/1 prot, datë 29.07.2014, në të trajtohet kërkesa e subjektit “PIK Creativ”, drejtuar disa Ministrive dhe AKT, për mbështetje aktiviteti. Siç sqarohet në kërkesë, TRAKU FEST është Festival i Trashëgimisë Kulturore, që ka për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare tek të rinjtë, si dhe turizmin kulturor në jugun e Shqipërisë. Gjatë TRAKU FEST do të ofrohen një numër i madh aktivitetesh të shtrira në katër ditë, duke i ofruar secilit qytetar një zgjidhje midis konferencave akademike, festimeve tradicionale, vizitave të organizuara dhe koncerteve masive me grupe të njohura.
Nga auditimi rezultoi që AKT, për këtë aktivitet, ka kryer një sërë pagesash të cilat nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me promovimin e turizmit dhe gjithashtu duke ndjekur praktikën e copëzimit të fondeve për realizmin e tij. Më konkretisht shkeljet e rregullave të procedurave të prokurimit duke miratuar përdorimin e procedurave emergjente për blerjet me vlera të vogla, janë evidentuar në këto raste:
–  USH nr. 264, datë 5.09.2014, shpenzime për qiramarrje automjeti (2 minibusë 20+1 dhe 1 fugon mallrash), vlera 378 mijë lekë, subjektit “Albarent” shpk, sipas faturës tatimore nr. 2645, datë 4.08.2014.
–  USH nr. 267, datë 9.09.2014, pagesë akomodimi (Tak Fest), në Hotelin Kamela Petro, Gjirokastër, sipas faturës tatimore nr. 357, datë 5.08.2014, vlera 45 mijë lekë. Urdhri për kryerjen e pagesës nr. 278, datë 14.08.2014, të akomoduarit janë 17 persona në periudhën 31 korrik-3 gusht.
–  USH Nr. 270, datë 9.09.2014, pagesë të aktivitetit TRAKU FEST, shuma 115 500 lekë, faturë tatimore nr. 823, datë 4.08.2014 të Çajupi-Hotel Turizmi Gjirokastër, akomoduar 18 persona në 18 dhoma, për 2 net për periudhën 31 korrik-3gusht 2014.
–  USH Nr. 271, datë 9.09.2014, pagesë të aktivitetit TRAKU FEST (akomodim në hotel), shuma 42 000 lekë, faturë tatimore nr.304, datë 6.08.2014 të Hotelit Albano QIQI Gjirokastër, akomoduar 10 persona në 7 dhoma, për 2 net për periudhën 31 korrik-3gusht 2014.
–  USH Nr. 272, datë 9.09.2014, pagesë të aktivitetit TRAKU FEST, shuma 57 000 lekë, faturë tatimore nr. 592, datë 3.08.2014 subjektit hotel Vangjel Vardhami, akomoduar 12 persona, në 5 dhoma me nga tre net dhe 2 dhoma me nga 2 net në periudhën 31 korrik-3gusht 2014.
USH Nr. 315, datë 3.10.2014, pagesë të aktivitetit TRAKU FEST, shuma 21000 lekë, faturë tatimore nr. 164, datë 3.08.2014 të subjektit Dragua Kalemi Gjirokastër, akomoduar 5 persona në 2 dhoma nga dy net dhe 3 dhoma me 1 natë (31 korrik-3gusht 2014).
–  USH Nr. 316, datë 3.10.2014, pagesë të aktivitetit TRAKU FEST, shuma 78 mijë lekë, faturë tatimore nr. 173, datë 3.08.2014 të subjektit Lindita Zekaj Gjirokastër, akomoduar 14 persona në7 dhoma nga tre net dhe 4 dhoma me 1 natë (31 korrik-3gusht 2014).
Sa më sipër, në lidhje me këtë aktivitet AKT jo vetëm që ka shmangur sërish procedurat normale të prokurimit por ka kryer shpenzime transporti dhe fjetjeje në hotel, të cilat nuk kanë lidhje thelbësore me objektin e qëllimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, përcaktuar në Ligjin për Turizmin.
 
4) Nga auditimi mbi marrjen me qira të ambienteve për magazinim për vitin 2014, rezultoi që:
Për periudhën nga 12.03.2014 deri më 12.01.2015, AKT ka marrë me qira një ambient me sipërfaqe prej 700 m2, pranë Urës Kamëz, Tiranë, për tu përdorur si magazinë për nevojat e institucionit, kjo referuar kontratës nr. 295prot, datë 12.03.2014 të lidhur me shoqërinë “Prespa Invest” sh.p.k, me vlerë 36 000 lekë/muaj.
Lidhja e kësaj kontrate në një kohë që AKT ishte akomoduar pranë godinës të Ministrisë së Zhvillimit nga data 01.04.2014, në të cilën AKT përveç ambienteve për zyra ka në administrim edhe dy magazina, ngre pikëpyetje në lidhje me domosdoshmërinë e lidhjes së kësaj kontrate dhe kryerjes së këtij shpenzimi nga ana e AKT-së.
Nga verifikimi i kryer në vend më datën 09.01.2015 në magazinën e marrë me qira prej 700m2 nga grupi i auditimit së bashku me përfaqësuesit e institucionit, rezultoi se ambienti i marrë me qira për periudhën 9 mujore nga data e lidhjes së kontratës nuk ka qenë në efiçencë si magazinë, pasi institucioni nuk ka magazinuar asnjë artikull referuar dokumenteve të magazinës.
Nga verifikimi i dokumentacionit të magazinës rezultoi se i vetmi artikull, në administrim të AKT i cili u evidentua në këtë magazinë është konstruksion metalik copë 1 me çmim 456,000 lekë/copë në vlerë 456,000 lekë është vendosur në këtë magazinë (me qira) me datë 18.12.2014 sipas fletë hyrjen nr. 109, datë 18.12.2014, pra pas 9 muajsh pagesë qiraje për këtë magazinë.
Gjithashtu, nga verifikimi në vend i këtij ambienti, rezultoi që në këtë magazinë gjendeshin edhe artikuj të tjerë (mallra të ndryshme) të shoqërisë “Prespa invest” shpk, si dhe një sërë motorësh garash dhe goma motorësh dhe makinash.
Përzgjedhja e këtij ambienti magazinimi, përveç faktit që ai është i panevojshëm për nevojat dhe kërkesat e AKT-së, nuk plotëson kërkesat normale të magazinimit, pasi nga ana e AKT-së nuk disponoheshin as çelësat e këtij ambienti dhe sipërfaqja e marrë me qira prej 700m2 është e pandarë nga sipërfaqja totale e magazinës prej 19,726 m2 e subjektit “Prespa Invest” shpk.
Në mënyrë më analitike këto shkelje janë trajtuar më hollësisht në Raportin Përfundimtar të Auditimit.
 
Sa më sipër

Për të gjitha shkeljet e konstatuara nga ana e grupit të auditimit, në drejtim të copëzimit të fondeve, shmangies së procedurave të normale të prokurimit “tender i hapur” dhe aplikimin e procedurave “kërkesë për propozim”, “blerje të vogla” dhe “negocim pa shpallje”, si dhe kryerjes së pagesave që nuk përputhen me objektin e veprimtarisë së AKT-së apo pagesave të panevojshme për AKT-në në favor të subjekteve privat, ngarkohet me përgjegjësi Znj. Julinda Dhame, me detyrë Drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, e cila në mospërmbushje të rregullt të detyrës së saj funksionale, ka kryer veprime apo mosveprime të kundërligjshme të cilat referuar përmbajtjes së dispozitës penale, nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale të“Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
 
Si përfundim

Duke i konsideruar veprimet e kryera nga kjo punonjëse (apo edhe ato të kryera nga persona të tjerë, të ngarkuar me përgjegjësi në raportin përfundimtar të auditimit) si veprime me pasoja për interesat e shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” me ndryshimet përkatëse, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale si dhe nenit 15 germa “gj” të ligjit nr.154/2014 datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, Ju dërgojmë këtë kallëzim penal, për veprime të mëtejshme procedurale.
 
Bashkëngjitur ju dërgojmë dokumentet mbështetëse sipas listës. Materialet e tjera dokumentare origjinale të cilat do të jenë të nevojshme për hetimin e çështjes, ndodhen në Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
 
K R Y E T A R
Bujar LESKAJ

 

 

 

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY