Krimet e Rënda i kanë nisur thirrje zyrtare edhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit për të dëshmuar në lidhje me Emiljano Shullazin.
“Ky shtetas është thirrur për të dhënë deklarime në një nga ditët e kësaj jave që vjen”, kanë bërë me dije burimet e hetimit. Sipas tyre, edhe pyetja e Saimir Tahirit do të bëhet në cilësinë e deklaruesit në lidhje me çështjen, thnë burime për gazetën Panorama.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, është thirrur për të dhënë deklarime për këtë çështje para hetuesve të organit të akuzës. Kreu i Policisë së Tiranës ka shkuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mesin e javës që shkoi, jashtë vëmendjes së medias, duke dhënë deklarime për më shumë se një orë. Lajmi është mësuar nga burime të konfirmuara të gazetës “Panorama” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, është pyetur në cilësinë e personit deklarues në lidhje me çështjen e Emiljano Shullazit.
“Objekti i marrjes në pyetje të drejtorit të Policisë së Tiranës ka qenë dita e shoqërimit të shtetasit Emiljano Shullazi në Policinë e Tiranës, pas kërcënimit të rektorëve Dhori Kule e Mynir Koni”, kanë thënë burimet e gazetës.
Sipas tyre, drejtori i Policisë së kryeqytetit është pyetur në lidhje me ngjarjet e ndodhura ditën e kërcënimit të rektorëve në prill të vitit 2016. Mësohet se gjatë qëndrimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, ka dhënë shpjegime lidhur me procedurën e ndjekur gjatë shoqërimit të Emiljano Shullazit, si dhe komunikimin që kreu i Policisë së kryeqytetit ka pasur me eprorët e tij në lidhje me këtë rast.Droni.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/