Këngëtaren Elhaida Danin, nuk e priti askush sot në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, pas kthimit të saj nga Festivali Europian i Këngës në Vjenë të Austrisë.
Zemërimin për këtë indiferentizëm e ka shprehur në një postim në “Facebook”, Sokol Marsi, autori i këngës “I’m Alive”, të kënduar nga Elhaida Dani ën Eurosong.
Mesazhi i plotë i Sokol Marsit
“I pari vizitor që na priti sot në aeroportin e Rinasit ishte Teo (im bir…). Kishte ardhur për Elhaidën jo për mua! Qava shumë o ba që nuk fitoi Elhaida…më tha. Buzëqesha për mos ti dhënë të kuptoj se diçka kishte ndodhur dhe menjëherë i thashë: Po kjo është kampione o babë, kjo nuk ka humbur…kjo gjithmonë fiton! U përqafuan dhe Eli po e pyeste për festën e abetares të cilën Anteo e kishte mbaruar para disa ditësh, ku unë mungoja për shkak të angazhimit tim në Eurosong. Nejse…Teo është ne fazën që sapo ka filluar të lexoj dhe libri i parë që po shfleton është “Liza në botën e çudirave”, ndaj e kuptova menjëherë shqetësimin e tij fëminor. Në fakt në moment mu rishfaqën në kokë imazhet e disa kohëve më parë ku në të njëjtin vend, në të njëjtën orë, ndoshta dhe në të njëjtën ditë, grumbull i madh Shqiptarësh thërrisnin me brohorima Elhaida…Elhaida …, e sapo kthyer nga Italia si fituese e Voice of Italy. Nuk mungonin as politikanë, gazetarë, artistë etj….Në çast mu kujtuan me dhjetëra komente në rrjetet sociale të shumë kolegëve artistë, kompozitorë, poetë, këngëtarë, shqiptarë etj të cilët konkurronin asaj kohe duke u çjerrë në fb se Elhaida ishte krenaria jonë, ishte simboli kombëtar i përfaqësimit, ishte njeriu më i dashur për ta, ishte mikja e tyre e ngushtë, etj..etj…..Po sot pyeta veten ku janë këta njerëz?!!!, këta kolegë, ‘miq’ e dashamirës! Ç’ju ka bërë Elhaida që i ka mërzitur?!!! Përse sot nuk është ‘mikja’ e tyre e ngushtë, krenaria e tyre, ajo vajza që këta i kishin dhënë dorën e shtruar rrugën për tu bërë këngëtare e madhe…ç’kishte ndodhur vallë?!!!. Elhaida po kthehej nga një përfaqësim kombëtar ku midis 40 shtetesh kishte arritur ta çonte vendin e saj në finale dhe ta rendiste midis më të mirëve, duke lënë pas shumë vende me industri gjigante në muzikë si Anglia, Franca, Gjermania, Spanja, Hungaria, Greqia etj… Për çfarë ishin ‘zhgënjyer’ këta njerëz?!!!. Pak kush e di se në Eurosong u vlerësua si një nga 3 zërat më të mirë të kompeticionit të sivjetshëm. Po kush tha që fituesi i ‘Voice of Italy’ një konkurs që zbulon talente të reja duhet të ishte pa tjetër edhe fituesi i Eurovision-it?!!!, një eventi gjigant me buxhetin më të madh në Europë dhe me përfaqësimin e 40 artistëve më të mirë të momentit në tregun europian, përse domosdoshmërisht duhet të fitonte Elhaida Dani?!!!. Po ç’duhet të thonë vetë italianët për ” IL VOLO ” që erdhën si fitues të Sanremos së famshme?!!! Po ç’duhet të thonë Holandezët, Francezët, Spanjollët, Grekët apo Gjermanët që erdhën me super këngëtarë dhe u renditën poshtë Elhaidës?!!!. Hmmm ata nuk thoshin asnjë gjë, madje mbrëmë festonin deri në orët e para të mëngjesit, qeshnin, pinin, uronin njëri-tjetrin ashtu siç na uronin edhe ne për suksesin. Elhaida Danin nuk e bën këngëtaren më të mirë në Europë fitorja e vendit të parë në Eurosong, pasi as këngëtari suedez që fitoi Eurosong-un nuk është i tillë! Po kështu edhe ‘disfata’ e grupit ‘Il Volo’ në Eurosong, nuk e zbeh aspak suksesin e tyre që kanë momentalisht në Europë. Arti ka ulje-ngritjet e veta, suksesi ka momentin e vet ashtu si një kombëtare apo klub i madh futbolli nuk arrin në një sezon të fitojë gjithçka dhe ndoshta atëherë kur e dëshiron, ndoshta dhe Elhaida kjo këngëtare shumë e re për të fituar gjithçka por me një super vokal dhe super talent nuk ishte në momentin e vet! Ndoshta nuk ishte ora e saj për të rrëmbyer gjithçka, ndoshta nuk ishte dita e duhur, ndoshta diçka nuk unifikohesh me të në produksionin muzikor, ndoshta edhe fati ja ka rezervuar për më vonë pasi sapo ka nisur të rrezatojë! Ajo i falënderoi përzemërsisht të gjithë ata që e mbështetën dhe e votuan në këtë sfidë, ashtu siç bëmë edhe ne të gjithë si grup. Ajo ju shpjegoj se përse nuk duhet të mbajnë në gjuhë ‘dështimin’ e një fitoreje hipotetike, por shijen e suksesit në përfaqësimin e radhës si një pozicionim midis më të mirëve të Europës së madhe. Ajo pranoj me modesti se mundësit ishin ndoshta edhe për më shumë por momenti kaq afroj! Ky nuk është shfajësim por përgjegjësi për të mbajtur këmbët në tokë drejt një rruge shumë të gjatë suksesi për çdo artistë që do përfaqësoj edhe ne të ardhmen Shqipërinë në Eurosong!
Sa për ‘miqtë’ alla Shqiptarë, ata të duan e lëpihen për sa kohë ti je pjesë e suksesit duke menduar se mund të ngjyejnë ndonjë gisht në qypin tënd me mjaltë dhe vjellin menjëherë atë që kanë ngrënë sapo ti ju a heq gishtin nga qypi që të përket vetëm ty! Kjo është shumë e vërtetë dhe fatkeqësisht përfshin një kategori të caktuar njerëzish rreth botës së artit apo edhe me gjerë. Duke falënderuar edhe njëherë gjithë Shqiptarët që na mbështetën, stafin drejtues te Rtsh që dhanë maksimumin për ekipin tonë, gjithë grupin artistikë, një gjë e them me siguri për Elhaidën: Ajo është Shqiptare e talentuar dhe ‘Shqiponjat fluturojnë lart’… tha Ati i shenjtë kur erdhi në Shqipëri, Papa Françesku!
Sokol Marsi – Autor i këngës ‘I’m alive’”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/