Konferenca e përbashkët për shtyp, Kryeministria zbardh vetëm deklaratat e Edi Ramës

Konferenca e përbashkët për shtyp, Kryeministria zbardh vetëm deklaratat e Edi Ramës

67
0
Shares

Kryeministria ka bërë publike gjysmë-konferencën e përbashkët për shtyp, midis kryeministrave Edi Rama dhe Alexandar Vucic.
Nga zbardhja e kësaj gjysmë-konference shtypi, bien në sy, se vetëm deklarimet dhe pyetje-përgjigjet e kryeministrit Rama janë publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë në internet…, sikurse nuk është zbardhur asnjë frazë e vetme e kryeministrit Vucic.


Konferencë për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç:
Falenderoj Kryeministrin Vuçiç për këtë vizitë dhe shpreh qysh në fillim bindjen se këto 24 orë që ai do të qëndrojë në Tiranë, do të jenë për të një shtysë që të rikthehet me kënaqësi në vendin tonë.
Uroj, po ashtu, që mbresat pozitive të vizitës së tij, 24 orëshe në Shqipëri, ta nxisin kolegun serb që në kthim të inkurajojë bashkëqytetarët e tij ta vizitojnë Shqipërinë sidomos gjatë verës, ku përfitoj nga rasti i pranisë së mediave serbe, t’i siguroj se do gjejnë vendpushimet, ushqimin dhe mikpritjen më pozitivisht befasuese.
Kryeministri Vuçiç është në Tiranë për një vizitë dypalëshe, ashtu siç ishim dakordësuar më parë. Njëkohësisht ai është këtu, për të marrë pjesë në takimin e organizuar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Viena Economik Forum, në kuadrin e përfundimit të mandatit të presidencës shqiptare të SEECP.
Për arsye të punimeve që po bëhen në katin e parë të ndërtesës së Kryeministrisë, i cili po transformohet në një mjedis që së shpejti do të jetë i hapur për publikun, ne e organizuam në këtë pallat, ceremonialin e pritjes së kolegut serb.
Kryeministri Vuçiç është i pari vizitor i këtij rangu nga Beogradi që mikëpritet në Tiranë me të gjitha nderimet protokollare.
Kështu, sot, në harkun e gjashtë muajve, ne kryem këmbimin e parë të vizitave në rang kryeministrash, mes Tiranës dhe Beogradit, pas një kohe të stërgjatë akulli mes dy shteteve tona. Për ne, ky fakt është shenjë e padyshimtë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për të sjellë dy kombet tona më pranë njëri-tjetrit, pavarësisht se jemi ende larg së qenit dakord për gjithçka.
Por, ky fakt është dhe shenjë e vetëdijes dhe bindjes së përbashkët, se sot shqiptarët dhe serbët kanë mundësi historike, që ta kthejnë paqen e meziarritur në këtë rajon në një paqe që ja vlen të jetohet.
Unë besoj se ne, shqiptarët dhe serbët kemi sot mundësinë të bëjmë për të mirën tonë dhe të njëri- tjetrit dhe të rajonit tonë, atë që francezët e gjermanët bënë për vetveten dhe për Europën, pas Luftës së Dytë Botërore. Vullneti ynë, i qeverisë shqiptare, është i palëkundur në mbështetje të synimit tonë të shpallur për të çuar përpara axhendën e një rajoni pa kufij ku mes shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve të bien barrierat e trashëguara prej vitesh, që nga barrierat historike tek barrierat ekonomike, tregtare, shoqërore e kulturore, të gjitha barrierat që na kanë penguar deri më sot ta projektojmë së bashku të ardhmen. Për ta projektuar të ardhmen, jo thjesht politikisht si një destinacion të përbashkët, në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, por konkretisht përmes hartimit bashkërisht dhe mbështetjes së përbashkët të projekteve në infrastrukturë, energji, turizëm, arsim, kulturë.
Ne jemi shumë të vegjël për të mos u bërë bashkë në përpjekjen për të rritur ekonominë tonë dhe shumëfishuar energjinë pozitive, që kaq shumë i duhet popujve tanë, në këtë kohë mundësish të mëdha dhe njëkohësisht sfidash të rënda për secilin prej nesh, ashtu si dhe për të gjithë sëbashku. Kam bindjen se suksesi ynë i përbashkët është e vetmja rrugë për të mbërritur suksesin që duam për kombet dhe vendet tona, në këtë rajon ku jetojmë kaq të ndërlidhur në fatet tona.
Fatet e vendeve të Ballkanit janë kaq të ndërvarura sa është e pamundur të imagjinohet që njëri mund të shkojë shumë përpara, teksa tjetri mbetet prapa, apo ndërkohë që një i tretë ngec në rrugë, për një arsye a një tjetër, e cila në një mënyrë a një tjetër lidhet me njërin ose me tjetrin apo me të dy bashkë. Sepse ne të gjithë jetojmë me një pjesë të tjetrit, edhe kur me tjetrin jemi të ndarë. Kjo duhet të na motivojë të gjithëve që, drejtimin e duhur për veten ta shohim të pandarë nga drejtimi i duhur për tjetrin dhe duke ecur veç e veç në drejtimin e duhur të integrimit të vendeve tona në Bashkimin Europian, të bëjmë me tjetrin dhe për tjetrin, as më shumë e as më pak, se çfarë pretendojmë që tjetri të bëjë me ne dhe për ne.
Kurajo që Franca dhe Gjermania patën për të ecur sëbashku pas luftës së Dytë Botërore, duke kapërcyer lumenj të tërë gjaku që rridhnin prej shtresave të historisë së një dasie tejet të egër, duhet të na frymëzojë për ta kthyer këtë kohë të panjohur paqeje mes nesh në fazën historike të ndërtimit të themeleve të një bashkëjetesë të qëndrueshme në paqe e harmoni ndëretnike, ndërfetare e ndërshtetërore.
Historia e dasisë mes shqiptarëve dhe serbëve është e atillë që e bën sot sfidën e paqes së qëndrueshme mes nesh një përgjegjësi të përbashkët, edhe ndaj fatit të së nesërmes të rajonit si i tërë. Fakti që edhe një top futbolli rrezikoi të na rrokulliste në pikën zero, ishte mjaft domethënës për brishtësinë e kësaj kohe të re paqeje dhe për peshën e rëndë të sfidës, që përbën kthimi i saj në një fazë të re bashkëjetese dhe bashkëveprimi mes nesh.
E vërteta se aty ku ka një vullnet të përbashkët ka me patjetër edhe një rrugë të përbashkët, është një e vërtetë që vlen edhe për ne, shqiptarët dhe serbët, pavarësisht se ka ende mes nesh një mosdakordësi sa një mal lidhur me çështjen e Kosovës. Sidoqoftë, kjo mosdakordësi nuk e zbeh aspak vlerën e madhe të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, që për ne është prologu kurajoz i çeljes së një kapitulli të ri, jo vetëm në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe në historinë e përbashkët të rajonit.
Sepse, pa hapjen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës procesi i çelur në Berlin për bashkëpunimin rajonal në rrugën e integrimit Europian, nën lidershipin e Kancelares Merkel dhe të Gjermanisë mike nuk do të kishte qenë sot i mundur. Ashtu siç nuk do të kishte qenë sot e mundur që ne, Shqipëria dhe Serbia, të kishim hyrë në rrugën e bashkëpunimit konkret, për të realizuar projekte të përbashkëta për rrjetet e integruara infrastrukturore dhe energjetike, apo dhe jo më pak e rëndësishme për bashkëpunimin rinor, nën shembullin frymëzues të Francës dhe Gjermanisë së pasluftës.
Kam kënaqësinë, sot, të rikonfirmoj vullnetin e plotë të palës serbe dhe Kryeministrit Vuçiç, për të jetësuar plotësisht Marrëveshjen për njohjen reciproke të diplomave të të rinjve, çka dakordësuam në parim në takimin e shkuar në Beograd dhe unë pata rastin t’ia përcjell, që të nesërmen shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ata presin më shumë nga qeveria e Serbisë dhe Kryeministri Vuçiç, në këmbim të vullnetit të tyre për të respektuar plotësisht shtetin dhe institucionet e Serbisë.
Ashtu sikundër, ne këtu në Shqipëri presim që shqiptarëve të jugut të Serbisë t’ju rezervohet po ai trajtim dinjitoz që u rezervohet serbëve të Veriut të Kosovës. Dialogu Serbi-Kosovë, të cilin Shqipëria e mbështetet qysh në krye të herës, duke përshëndetur kurajën dhe vullnetin për të ecur përpara të lidershipit të të dyja palëve, duhet të përparojë paralelisht me zbatimin e marrëveshjeve të dakordësuara. Sepse, nuk është në interesin e askujt që ai dialog jetik për ardhmërinë e rajonit të mbetet një histori europiane suksesi në letër. Prandaj dhe jetësimi i përfshirjes së plotë të Kosovës në iniciativat dhe organizatat rajonale e ndërkombëtare, sipas parimeve të gjithëpërfshirjes dhe në përputhje me angazhimet e marra nga të dyja palët për të mos e penguar këtë proces, është një domosdoshmëri. Jo, thjesht për produktivitetin e dialogut, por për forcimin aq shumë të nevojshëm të besimit reciprok, të qëndrueshmërisë së paqes ende të brishtë dhe të urave ende të dobëta të bashkëpunimit në rajon.
Ngjarja tragjike në Kumanovë vërtetoi edhe një herë brishtësinë e kësaj paqeje kaq shumë dhe për kaq gjatë të ëndërruar në Ballkan dhe për Ballkanin. Ky është rasti për të theksuar se Shqipëria e sheh si interes të padiskutueshëm të sajin dhe të shqiptarëve në Maqedoni, po njësoj të të gjithë rajonit dhe të vetë Europës, integritetin territorial dhe funksionimin demokratik të Maqedonisë.
Qoftë ideja e cenimit të integritetit të shtetit maqedonas, qoftë mosfunksionimi i demokracisë në Maqedoni janë të papranueshme për ne.
Ne duam një Maqedoni të qëndrueshme, demokratike dhe padiskutim, një Maqedoni ku Marrëveshja e Ohrit të respektohet në frymë dhe të zbatohet në germë, për të siguruar bashkëjetesën e dëshiruar nga të gjithë, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy faktorë të patjetërsueshëm shtetformues për Maqedoninë.
Ne jemi vendosmërisht kundër çdo forme shfaqjeje të ksenofobisë dhe të dasisë ndëretnike. Sot dua të theksoj fort se të gjitha vendet në rajon dhe përtej duhet të distancohen nga thirrje dhe qëndrime që nxisin shfaqe të tilla në hapësirën maqedonase apo ballkanike në tërësi.
Këto shfaqe i takojnë një Ballkani që për ne i përket të shkuarës. Thirrje të kësaj natyre nuk kanë asgjë të përbashkët me vizionin, misionin dhe përpjekjen tonë, sot, për Ballkanin e të nesërmes. Ne e dimë fort mirë, që paqja mes nesh buron nga ëndrra europiane e secilit prej popujve tanë. Popujt tanë e dinë fort mirë se sado e luhatur duket sot Europa, përballë sfidave dhe kërcënimeve me të cilat përballet, nga jashtë dhe nga brenda saj, po ashtu, Bashkimi Europian është e vetmja hapësirë ku liritë dhe të drejtat njerëzore të popujve dhe njerëzve tanë mund të jenë përfundimisht të shpëtuara nga kërcënimet antidemokratike nga brenda dhe jashtë nesh, po ashtu.
Prandaj e sotmja e Ballkanit është Europa, e nesërmja e Ballkanit është Bashkimi Europian. Për të gjithë ne ka veç një rrugë të mundshme; Kjo është rruga e bashkimit të fuqive tona për t’i rilindur vendet tona dhe gjithë rajonin përmes jetësimit të ëndrrës europiane të popujve tanë, duke punuar me përkushtim dhe shumë durim me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin, duke forcuar demokracinë në vendet tona dhe ndërveprimin mes nesh për demokratizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare, duke u bërë bashkë për të mbrojtur nga çdo lloj kërcënimi gjeopolitik, që shfaqet nga palë të treta jashtë Europës dhe po njësoj, nga çdo lloj kërcënimi terrorist dhe ekstremist, paqen e mezi arritur mes nesh. Këto kërcënime të ndryshme në origjinë apo në metodë, por të ngjashme në synimin për të nxitur tensione dhe konflikte në një rajon që sapo ka kthyer sytë, i bashkuar, nga e ardhmja, pasi ka dalë nga një histori e pafundme tensionesh dhe konfliktesh, janë të patolerueshme.
Nëse për marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Francës me të drejtë thuhet sot, se janë boshti i qëndrueshmërisë së Bashkimit Europian, nuk do të ishte besoj mungesë modestie që shqiptarët dhe serbët, sëbashku të synojnë në suazën e Ballkanit t’i kthejnë marrëdhëniet mes tyre në një dëshmi të ngjashme të faktit se nga histori të përgjakshme luftërash mund të lindë shembulli i një suksesi të përbashkët paqeje.
Kjo është koha që shqiptarët dhe serbët të tregojnë përfundimisht se jo vetëm fqinjësia e mirë, por edhe ndërveprimi aktiv në interes të përbashkët mes fqinjëve janë jo vetëm themeli i paqes, por edhe fuqia e vërtetë e përfshirjes së plotë të vendeve të rajonit tonë në historinë e përbashkët të zhvillimit ekonomik dhe social të Europës së Bashkuar.
Unë e shoh këtë vizitë dhe kryerjen e këtij këmbimi të parë vizitash në nivelin më të lartë si shenjë të ndërlidhjes me këto aspirata. Ndaj i mbetem edhe një herë falenderues Kryeministrit Vuçiç për vizitën në Tiranë dhe duke i kaluar përzemërsisht fjalën, uroj intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe kthimin e marrëdhënies mes shqiptarëve dhe serbëve në një shenjë të fortë dalluese të kohës së re në Ballkan.

***
Zoti Rama, siç edhe Kryeministri Vuçiç tha, ju keni pasur shumë takime në Bruksel, në Kinë dhe kjo tregon dëshirën për të përparuar në marrëdhëniet mes dy vendeve. Po njëkohësisht në krahun tjetër, kanë lindur disa probleme me fqinjët, si për shembull me Maqedoninë, keni thënë do vendosni një veto për anëtarësimin në NATO. Probleme me Greqinë lidhur me detin dhe emërimi i zotit Idrizi nënkryetar parlamenti, po ashtu edhe me Turqinë. Çfarë ndodh zoti Kryeministër, nga një anë rregulloni marrëdhëniet me Serbinë, por nga ana tjetër po përkeqësohen me fqinjët? Faleminderit!
Në fakt zotimi im në Beograd ishte që çfarëdo që të thoshte Kryeministri, ne nuk do të ndiheshim të provokuar. E, faktikisht nuk ndihemi të provokuar edhe pse siç e theksova, në çështjen e Kosovës ndajmë qëndrime absolutisht të papajtueshme. Përsa i përket shtjellimit që ju bëtë në pyetjen drejtuar meje, lidhur me disa marrëdhënie me fqinjët, unë dua ta përsëris që për ne, marrëdhënia e shqiptarëve me serbët është një marrëdhënie kyç për ardhmërinë e rajonit.
Ndërkohë që, për Greqinë kemi një marrëdhënie të gjatë të fqinjësisë së mirë, kemi një partneritet të nënvizuar strategjik dhe nuk kemi absolutisht asnjë lloj problemi me qeverinë e Athinës.
Unë e kam uruar Kryeministrin Tsipras, e kam ftuar për një vizitë në Tiranë, do të isha i lumtur të vizitoja Athinën. Nga ana tjetër nuk shoh asnjë arsye në botë, që as Athina dhe as qarqe mendimtarësh ose politikanësh në Tiranë të çuditen pse shteti shqiptar kërkon nga autoritetet greke, bazuar në praktikat rutinore të diplomacisë dhe të drejtës ndërkombëtare, informacion për kërkimet në det. Ndërkohë që, nuk është sekret dhe nuk ka filluar me qeverinë e re të Athinës, përpjekja jonë për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të zgjidhur një çështje që për ne është një çështje e interesit kombëtar, ashtu siç është një çështje besoj me interes dypalësh, çështja e kufirit detar.
Ne duam të vijojmë bashkëpunimin e nisur edhe në të shkuarën, kemi pasur një bashkëpunim të mirë me qeverinë e Kryeministrit Samaras, kemi zgjidhur problemin e vjetër dhe shumë të vështirë për shqiptarët të toponimeve dhe kemi mbajtur hapur kanalin e dialogut lidhur me çështjen e detit.
Ne nuk kemi ndërmend ta negociojmë interesin kombëtar për të krijuar idenë e një fqinjësie të mirë.
Nga ana tjetër, ne jemi zotuar të bëjmë një politikë të jashtme me zero probleme me fqinjët, por ne nuk jemi zotuar të mbyllim sytë kur shfaqet një problem që nuk e kemi krijuar ne dhe nuk e ushqejmë ne.
Përsa i përket pastaj çështjes që lidhet me zgjedhjen e nënkryetarit të parlamentit të Shqipërisë; ashtu siç ne nuk e imagjinojmë që t’i tregojmë Athinës se kë duhet të zgjedhë në krye të parlamentit apo në nënkrye të parlamentit apo se kë duhet të përfshijë në qeverinë sovrane, ashtu dhe nuk e imagjinojmë dot që Athina apo kushdo kryeqytet tjetër, të na tregojë ne, se si duhet të veprojë parlamenti i zgjedhur nga populli sovran.
Kështu që, besoj që kjo është një çështje e qartë për ne, duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe është një problem tërësisht artificial.
Përsa i përket Maqedonisë, dua t’u them që unë kam nënvizuar dhe do të vazhdoj të nënvizoj atë që është nënvizuar në Deklaratën e Samitit të Ëellsit. As kam kërcënuar dhe as kam shpallur ndonjë qëndrim për veto. Fjalën veto e keni vënë ju me ndihmën e mendimtarëve dhe të politikanëve të caktuar të Tiranës.
Ne jemi anëtarë të NATO-s dhe ne flasim në emër të NATO-s, kur është fjala për t’i dhënë zë deklaratave të përbashkëta të NATO-s.
Samiti i Wells-it falë edhe këmbënguljes sonë, ka përfshirë në objektivat që Maqedonia duhet të realizojë për të qenë një anëtar i NATO-s edhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Kështu që, ne këtë e themi dhe do ta themi me plot të drejtë, s’është as kërcënim dhe as bllokim, por është thjesht dhe vetëm qëndrim.
Ndërkohë që, mbrëmë kemi marrë me kënaqësi edhe konfirmimin e Kryeministrit Gruevski për të qenë këtu dhe do ta kemi një ndër miqtë e ftuar. Pra, plotësohet numri i gjithë kryeministrave që ne kemi ftuar për të qenë të pranishëm në takimin e nesërm. Faleminderit!


Unë jam Natasha nga Radio Televizioni i Serbisë. Ju thatë më herët se do të donit që shqiptarët në jug të Serbisë të kenë të drejta më të mëdha, por mendojmë se serbët do të ishin shumë të kënaqur nëse do të kishin të drejtat e njëjta në Shqipëri. Pyetja ime është cila do të ishte më e mira për t’u rregulluar pozita e serbëve të cilët jetojnë në Shqipëri?
Unë thashë që shqiptarët në jugun e Serbisë kërkojnë dhe meritojnë të kenë, po atë trajtim dinjitoz që kanë serbët në Veriun e Kosovës. Besoj që, kjo është në frymën e përpjekjes sonë të përbashkët, për të realizuar me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës, jetësimin e vizionit, që na ka sjellë edhe në këtë afrim, kaq të rëndësishëm dhe kaq strategjik për rajonin.
Përsa i përket serbëve në Shqipëri, deri më sot nuk kam dëgjuar, asnjëherë, asnjë lloj ankese të kësaj natyre. Dua ta them me shumë krenari që Shqipëria por dhe Kosova, pra aty ku shqiptarët kanë mundësinë, kanë garantuar një trajtim spektakolar të minoriteteve dhe të gjithë atyre që kanë një kombësi tjetër, pavarësisht nëse janë apo nuk janë të përcaktuar si minoritete bazuar në konventat ndërkombëtare.


Do t’i referohesha për pyetjen time një interviste që Kryeministri Vuçiç ka dhënë vetëm tre ditë përpara kësaj vizite zyrtare në Shqipëri. Zoti Vuçiç, keni deklaruar se ajo çka ndodhi në stadiumin e Beogradit në ndeshjen Shqipëri-Serbi, në tetor të vitit të shkuar kishte një prapavijë politike dhe ju dhe zoti Rama e dini se kush e organizoi ngritjen e dronit mbi atë stadium. Kjo është një pyetje për që doja t’ia bëja dhe Kryeministrit Rama. Në qoftë se jeni në dijeni a mund të na thoni emrin? Dhe nëse ju i dini autorët, atëherë në dijeninë time pse nuk ka asnjë të kërkuar, të arrestuar apo të shpallur në kërkim si autor i kësaj ngjarje?
Unë nuk dua që të kthehem pas tek fluturaku që na bëri objekt të lajmeve dhe të vëmendjes së gjithë botës, thjesht besoj që për ne, Shqipëria e madhe, ngaqë nuk është as vizion, as projekt, as program, dhe nuk na bën përshtypje kur shfaqet, qoftë dhe në atë formë që u shfaq në stadiumin e Beogradit.
Ne po të kishim parë një flamur të Serbisë së madhe, do të kishim qeshur të gjithë si popull, dhe nuk do e kishim marrë kaq seriozisht. Por kjo është çështje perceptimesh të të dy anëve, dhe më mirë të mos hyjmë në këtë terren, sepse besoj që mësimi për t’u nxjerrë nga ajo ngjarje është nxjerrë nga të dyja palët. Mësimi është që kjo paqe kaq e madhe, kaq shumë e kërkuar dhe e mirëpritur nga gjithë popujt e Ballkanit, është ende aq e brishtë, saqë mund të vihet në rrezik dhe nga një top futbolli.
Megjithatë, ne e kemi kapërcyer me kurajë atë moment. Sot jemi këtu, në vizitën e kthimit të Kryeministrit të Serbisë, që shënon një shenjë shumë të qartë të vullnetit të përbashkët për të parë përpara, dhe bindjes së përbashkët, që pavarësisht mosdakordësive, apo një mosdakordësie monumentale, ne kemi një hapësirë të pafundme mundësish dhe përgjegjësish të përbashkëta.
Unë besoj që serbët dhe shqiptarët nuk kanë vetëm përgjegjësi ndaj vetvetes, kanë përgjegjësi edhe ndaj rajonit dhe Europës. Nga mënyra se si do të zhvillohen marrëdhëniet mes tyre, dhe nga mënyra se si serbët dhe shqiptarët do të punojnë me këtë paqe dhe për këtë paqe, nuk do të varet vetëm si do të jenë nesër serbët dhe shqiptarët, por si do të jetë nesër rajoni dhe si do të jetë nesër edhe Europa.
Bindja ime ka qenë dhe mbetet, që nëse deri para 10 vjetësh ne kishim nevojë për Europën, Europa mund të bënte dhe pa ne, sot, Europa ka nevojë për ne, për Ballkanin, ashtu si ka nevojë dhe Ballkani për Europën. E ardhmja e Ballkanit është drejtpërdrejt e lidhur me të ardhmen e sigurisë, të paqes dhe të normalitetit në vetë Bashkimin Europian.


Zoti Rama, para 6 muajve kur keni qenë në Beograd, ju keni folur për pavarësinë e Kosovës. Sot flisni për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Keni ndërruar retorikën, keni thënë se vizioni i projektit të Shqipërisë së madhe nuk ekziston për ju. A është ideja e Shqipërisë së madhe për ju e papranueshme?
Ne kemi qenë shumë të qartë që ditën e parë në mbështetje të fortë të dialogut. Duhet t’ju kujtoj që ne kemi pasur dhe një nisëm për t’i drejtuar komitetit të Çmimit Nobel, kërkesë për t’i dhënë çmimin Nobel, dy liderëve që e çelën dialogun dhe Baroneshës Ashton.
Pra, për ne dialogu ka qenë momenti i një kthese të madhe, sepse ka shënuar fundin e historisë së konfliktit, dhe praktikisht ka sanksionuar në këndvështrimin tonë përfundimisht shpërbërjen e gjithë tymit pas dhe gjatë shkatërrimit të Jugosllavisë. Në Beograd, unë e kam nënvizuar rëndësinë e dialogut. Por, sigurisht, që as nuk kam ndryshuar dhe as nuk do të ndryshoj asnjëherë qëndrim lidhur me Kosovën, dhe bindja ime ka qenë dhe mbetet që njohja e Kosovës do të ishte një çlirim i madh dhe për ju, për Serbinë. Por nuk dua që të hymë më thellë në këtë çështje, sepse këtu sot jeni miq në shtëpinë tonë dhe ne respektojmë miqtë dhe të gjitha sensibilitetet që ata kanë.
Për sa i përket Shqipërisë së madhe, unë e kam thënë në kohëra të padyshueshme, dhe e përsëris, pa asnjë gajle, që Shqipëria e madhe është një ide të cilën e kanë promovuar dhe e ushqejnë ata që nuk i duan të mirën shqiptarëve. Jo ne, dhe jo kombi ynë që nuk synon zmadhime në kurriz të askujt, por synon vetëm vetëvendosje dhe bashkëjetesë normale me të gjithë.
Kështu që, nuk ka projekt të Shqipërisë së madhe në Shqipëri. Nuk ka projekt të Shqipërisë së madhe, mes nesh. Ka vetëm një projekt, projekti i bashkimit tonë në rrugën e Bashkimit Europian. Ne duam një Ballkan pa kufij. Sigurisht e duam pa kufij për shqiptarët dhe mes shqiptarëve, por e duam pa kufij dhe mes nesh, mes jush, dhe mes gjithë popujve të tjerë.
Besojmë që kaq ia detyrojmë njerëzve tanë, dhe kaq ia detyrojmë njëri-tjetrit në një kohë të re kur historitë, mitet, nacionalizmat folklorikë të së shkuarës, nuk kanë shans që të gjejnë një vend zotërues, edhe pse mund të mos mungojnë, siç nuk mungojnë në Serbi, asgjëkundi. Por nuk kanë lidhje me disponimin dhe vendosmërinë tonë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët, dhe për ta bërë Ballkanin, duke bërë secilin nga vendet tona pjesë integrale të Europës, dhe të zhvillimeve ekonomike dhe sociale në Europë.
Ajo që Kryeministri tha në lidhje me një projekt, dhe me vullnetin tonë për të mbështetur bashkërisht këto projekte, është shprehje pikërisht e kësaj vendosmërie, sepse në të njëjtën kohë, Kryeministri dhe Serbia mbështesin dhe projektin e Autostradës së Kaltër që do të lidhë jugun e Kroacisë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë.
Dëshira jonë është që të kemi sa më shumë miq, vizitorë, turistë nga Serbia në bregdetin shqiptar, dhe sigurisht që këto lidhje infrastrukturore do të lehtësojnë jashtëzakonisht shumë edhe procesin e afrimit, dhe ne jemi të vendosur t’i mbështesim, bashkërisht.
Ne besojmë që Serbia dhe Shqipëria duhet të bashkojnë zërin e tyre dhe trokasin me vizion dhe argumente të fortë në dyert e Europës së Bashkuar dhe Brukselit. Sepse paqja është shumë e brishtë, por është dhe shumë e madhe për shpatullat tona. Na duhet një mbështetje shumë më e fortë, shumë më e qëndrueshme, shumë më konkrete, nga BE dhe Komisioni Europian. Jemi të bindur që, bashkërisht, ne mund të marrim shumë më tepër mbështetje sesa veç e veç. Ne këtë duam të bëjmë sëbashku, me bindjen se kjo është e vetmja rrugë për t’i dhënë popujve tanë më shumë zhvillim ekonomik, më shumë zhvillim social, më shumë integrim dhe më shumë lehtësira, të cilat pastaj vetvetiu forcojnë paqen dhe ndërveprimin.

Shumë faleminderit!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY