Partia Socialiste nisi punën për organizimin e fushatës elektorale. Më 2 prill mblidhet Asamblea dhe më 29 të të njëjtit muaj Kongresi elektoral.
Kryeministri Rama e mblodhi kryesinë socialiste mëngjesin e së hënës, larg vëmendjes së mediave, ku foli në fillim për zgjedhjen e ministrave të rinj.
Në të njëjtin moment, presidenti dekretoi emërimin e 4 ministrave të rinj, pavarësisht rezervave që ai shfaqi një ditë më parë për figurën e Fatmir Xhafajt. Tashmë dekretet e kreut të shtetit pritet të kalojnë për t’u votuar në Parlament.
Mbledhja ka zgjatur rreth 1 orë dhe mësohet se është thirrur nga kryetari Rama sapo kreu i shtetit lajmëroi konferencën për shtyp një natë më parë.
Lidhur me konferencën e së dielës të Nishanit, mësohet se Rama ka informuar kryesinë me faktin se kandidatura e Fatmir Xhafajt gëzon mbështetje të plotë të partnerëve strategjikë të Shqipërisë.
Pa dhënë detaje, Rama ka lënë të kuptohet se presidenti i Republikës është tërhequr nga plani i rrëzimit të dekretit për ministrin e Brendshëm nën presionin e partnerëve.
Pjesa tjetër e mbledhjes është fokusuar tek organizimi elektoral dhe intensifikimi i komunikimit me zgjedhësit në çdo qark.
Kryeministri ka falënderuar ministrat e liruar, si edhe ata në detyrë, për impulsin e ri që i kanë dhënë punës së partisë gjatë javës së shkuar dhe ka kërkuar rritjen e vazhdueshme të ritmit të saj.
Qeveria teknike dhe shtyrja e zgjedhjeve nuk janë opsione për PS, ka thënë më tej Rama, duke ripërsëritur se PS do të futet në zgjedhje edhe sikur të gjitha partitë e tjera të mos e bëjnë një gjë të tillë. Një mesazh ky, jo vetëm për kërcënimet për bojkot nga opozita, por edhe për aleatin më të afërt në koalicion, LSI.
Por po ashtu, kreu i qeverisë ka rishprehur bindjen se asnjë parti nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet dhe se PD po humbet kohë kot, duke djegur edhe afatet për dialog në funksion të përmirësimit të standardeve zgjedhore.
Sipas burimeve nga Kryesia, as Edi Rama dhe as të pranishmit e tjerë nuk e kanë përmendur fare LSI-në gjatë mbledhjes. TCH
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/