“Kjo është një fotografi e rrallë e Fan S. Nolit, udhëheqës i shqiptarëve të Amerikës. Është bërë nga një gazetar më 21 tetor 1932, në bordin e anijes S.S. New York, kur ajo po i afrohej brigjeve amerikane. E kisha parë këtë foto të botuar me dimensione fare të vogla në gazetën Hayward Daily Revieë, por më në fund gjeta origjinalin dhe tani e kemi me përmasa të plota”, shkruan gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, i cilie ka postuar këtë foto në fb. “Vini re tiparet karakteristike – vetullat e trasha e të harkuara, fytyrën vrarëlije dhe sidomos buzëqeshjen e zgjuar që ndriçon pamjen e përgjithshme të këtij njeriu të ditur. Noli, ish-Kryeministër i Shqipërisë, vinte në Amerikë nga Hamburgu i Gjermanisë, por kaloi nëpër disa peripeci, për shkak se autoritetet amerikane dyshonin se ai ishte komunist. Noli u mbajt disa ditë në Ellis Island, ishulli nga ku aso kohe hynin imigrantët, shumë pranë ishullit tjetër Liberty, ku ndodhet Statuja e Lirisë.
Dy personalitete amerikane, miq të tij të dikurshëm të Harvardit, ndërhynë që Noli të lejohej të hynte në SHBA. Njëri prej tyre ishte kongresmeni Richard Wigglesworth, tjetri ishte Hamilton Holt, president i Kolegjit Rollins të Floridës. Holt i shkroi Sekretarit të Shtetit se Noli ishte një klerik i shquar dhe se ardhja e tij do t’i bënte një shërbim me vlerë Amerikës. Në Ellis Island u mblodh një komision i posaçëm për të shpejtuar procedurën e pranimit.
Megjithatë, Nolin e mbajtën në ishull plot pesë ditë. Thuhej se autoritetet kishin probleme me dokumentin e hyrjes, por më pas u mësua se ai ishte në rregull.
Fan Noli erdhi në Amerikë me premtimin se do të merrej vetëm me punët e kishës dhe jo me politikë. Ai mohoi se ishte komunist dhe menjëherë pas arritjes i deklaroi një gazete të Bostonit se dëshironte të bëhej shtetas amerikan. Noli e mori shtetësinë amerikane më 11 mars 1940”, shpjegon Ikonomi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/