Flet gazetarja Aurora Koromani: Kërcënimi im për shkak të detyrës dhe një...

Flet gazetarja Aurora Koromani: Kërcënimi im për shkak të detyrës dhe një mesazh për gjithë median shqiptare

169
0
Shares

Gazetarja e televizionit “News 24”, Aurora Koromani, njëherësh reportere e “Gazeta Shqiptare”, është kërcënuar për shkak të detyrës nga një shqiptar në radhët e ISIS. Koromani është marrë në mbrojtje nga strukturat e Policisë së Shtetit, pas kërcënimin që ka marrë nga një luftëtar i ISIS.
Ajo tregon se si është kërcënuar dhe dyshimet e saj se mesazhi i mbërritur në profilin e saj në “Facebook” lidhet me detyrën si gazetare. Megjithatë, Koromani shprehet se shpreson shumë që autori i këtij mesazhi të mos ketë asgjë personale me të.
Në një intervistë për “Panorama”, Koromani shpjegoi ngjarjen, për të cilën ka bërë edhe denoncim në Polici.

Ju keni marrë një kërcënim nga një luftëtar i ISIS. Çfarë ju shkruante ky person dhe në ç’formë ju kërcënoi?
datën 2 qershor, në orën 22:57 minuta, në “inbox”-in e profilit tim në rrjetin social “Facebook”, më ka ardhur një mesazh nga një dërgues që nuk e njihja. Pasi e hapa mesazhin lexova tekstin: “Duhet të paguash”. Hapa profilin e FB të personit që më kishte dërguar mesazhin dhe pashë që ai kishte shumë miq që bënin thirrje për xhihadist. Përveç kësaj, në profilin e dërguesit të mesazhit ishin shpërndarë shumë linke që bënin thirrje për të luftuar për xhihadin, video që tregonin terroristë duke prerë koka njerëzish, video ku bëhej thirrje për të shkuar në Siri etj. I kam dërguar një mesazh dërguesit, ku e pyes se kush është, por ai edhe pse e ka parë sms-në, nuk më ka kthyer përgjigje. Adresa e dërguesit kishte emër islamik.

Kur e denoncuat ngjarjen në Polici?
Ngjarjen e kam denoncuar në Polici një ditë pas kërcënimit, më 3 qershor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Fillimisht kam folur me zëdhënësin e Policisë, Gent Mullain dhe më pas me kreun e Policisë së Shtetit, Haki Çakon, të cilët më thanë që të paraqitesha në Drejtori. Aty kam bërë denoncimin te Sektori i Krimit Kompjuterik dhe më pas me të njëjtën çështje është angazhuar edhe Drejtoria e Antiterrorit dhe Departamenti i Krimeve të Rënda.

A ka marrë masa Policia për mbrojtjen tuaj?
Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për mbrojtjen dhe garantimin e sigurisë sime. Pas denoncimit, strukturat e Antiterrorit, Departamenti i Krimeve të Rënda dhe Policia e Tiranës, kanë koordinuar punët mes tyre dhe unë aktualisht jam marrë në mbrojtje nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Pas denoncimit, vetë kreu i Policisë, Haki Çako, dhe kreu i Departamentit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme, Ardian Çipa, më kanë ofruar mbështetjen e tyre maksimale. Edhe vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, më ka marrë në telefon dhe është interesuar për ngjarjen, duke më ofruar përkrahje. Prandaj, dua t’i falënderoj të gjitha strukturat e Policisë për solidarizimin që më kanë bërë dhe mbështetjen që më kanë dhënë.

A keni ndonjë dyshim se përse ju kanë kërcënuar?
Pas denoncimit në Polici, strukturat zbuluan se pas dërguesit të mesazhit në adresën time të FB fshihej një person që dyshohet se është duke luftuar në Siri dhe që strukturat e Antiterrorit e kanë pasur në survejim. Gjatë hetimit rezultoi se dërguesi i mesazhit është në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm dhe se dyshohet se ka rekrutuar shumë shqiptarë për të luftuar në Siri. Kjo është arsyeja se përse mendoj se kërcënimi ka lidhje me detyrën time si gazetare, pasi prej vitit të kaluar e deri tani, unë kam shkruar disa artikuj që kanë lidhje me xhihadistët dhe terrorizmin.

A ndiheni e rrezikuar?
Unë shpresoj që dërguesi i mesazhit të mos ketë asgjë personale me mua dhe që asgjë të mos jetë serioze. Unë dua të mendoj se dërguesi i mesazhit më ka përdorur mua për të përcjellë një mesazh për gjithë shtypin shqiptar, që të mos shkruajnë për këtë temë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY