MARK MARKU/Edhe unë jam “budalla”, ja pse do votoj Halim Kosovën

MARK MARKU/Edhe unë jam “budalla”, ja pse do votoj Halim Kosovën

63
0
Shares

Në një koment të botuar në Panorama, me titull “Edhe unë jam “budalla”, gazetari Mark Marku, ish deputet i PD-së kritikon fjalimet elektorale të Kryeministrit që lidhen me sharjet e tij ndaj kandidatëve të opozitës. Ja cfarë shkruan ndër të tjera Marku në komentin e tij. “Por ja që mes këtyre dyshimeve të vjen papritur një mesazh përmes ekranit të televizionit nga Kryeministri Edi Rama dhe mesazhi është ky: kush voton opozitën, është budalla dhe PD po bën një fushatë për të mbledhur budallenj. Gratë e demokratëve të ndahen nga burrat e tyre budallenj, të bëhen të zgjuara, domethënë socialiste. Opozita është destruktive. Nëse votoni kandidatët e djathtë, qytetet dhe fshatrat tuaja nuk do të marrin asnjë investim nga qeveria. Ka dalë një diversant me emrin Dritan Memushi në Tepelenë, që po u kërkon votat. Asnjë votë për atë! Asnjë votë! Dhe, pasi i ka fërkuar krahët Tërmetit duke e inkurajuar për “fitoren e tij publiçitare”, i sulet Përmetit dhe kandidatit të tij, dhe pas Përmetit qyteteve të tjera për fitoren plebishitare.

Nuk po u besoja syve. Kisha dy-tri ditë i zhytur në leximin e nobelistit francez, Patrick Mondiano (kisha shtënë në dorë tre libra të këtij autori), sapo kisha mbaruar librin e fundit të tij L’ herbe des nuits dhe dyshova mos kujtesa po më punonte të njëjtat rrengje që u punonte personazheve të Mondianos. Pata frikë mos ende truri im po përjetonte një përzierje realitetesh gjysmë fiktive, gjysmë reale. Ku isha, në romanet e Mondiano-s, në Venezuelën e Chaves-it, tashmë të vdekur, ku opozita shpallet “agjente” e amerikanëve? Në Turqinë e Erdoganit, ku opozita dhe kundërshtarët e këtij të fundit futeshin në burg si “komplotistë” dhe, si të mos mjaftonte grushti dërrmues i shpëtimtarit Erdogan, ai iu drejtua plebishitit për t’ia forcuar me votën e tij goditjen kundër armiqve të tij dhe ku fatmirësisht populli ia ktheu grushtin në fytyrë… Ku jam, në Rusinë e Putinit ku opozitarët “komplotistë” dhe “destruktivë” kanë dy alternativa: ose të luajnë shah në Perëndim (rasti i Kasparovit), ose të vriten në mes të sheshit, siç ndodhi me Boris Nemtsovin kur ia numëruan plumbat pas shpine mu nën muret e Kremlinit “terroristët nga Kaukazi”, që nuk u kapen kurrë?…

…Është pikërisht ky vizion antidemokratik i shpalosur këto ditë që më shkundi nga dyzimi për të votuar apo për të mos votuar më 21 qershor. Vendosa të votoj. Madje, po e deklaroj edhe se për kë: Halim Kosovën. Pse do thoni ju, se është kandidati më i mirë? Edhe pse kam të njëjtin vlerësim pozitiv që kanë shumë njerëz për të në këtë qytet, duke përfshirë këtu edhe Kryeministrin Rama dhe kryeparlamentarin Meta, unë do të votoj jo për këtë arsye. Do të votoj që demokracia shqiptare të mos futet në një aventurë të re antidemokratike. Do të votoj kundër vizionit antidemokratik të Ramës. Do të votoj si reagim ndaj kërcënimeve që ai po na bën, dhe për solidaritet me ata votues antiqeveritarë që ai i fyen duke i quajtur budallenj. Do të bëhem edhe unë “budalla” si ata, dhe me ta do të bashkoj votën, hapur, pa mëdyshje. Më mirë me “budallenj” si ata, se me “të zgjuar” që me votën e tyre e duartrokasin vizionin antidemokratik të shpallur nga Kryeministri Rama dhe e shndërrojnë atë në realitet”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY