Çfarë parashikon projektligj i ri për trajtimin e të dënuarve

Çfarë parashikon projektligj i ri për trajtimin e të dënuarve

100
0
Shares

Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një Projektligj të ri për trajtimin e të dënuarve. Ky projektligj parashikon disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 8328, “Për të drejtat dhe trajtimin e personave të dënuar me burgim dhe të paraburgosurve”.
p1Në fokus të veçantë të këtyre ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Drejtësisë janë forcimi i masave të sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë.
p2_copy_1“Një nga pikat e ndryshuara në këtë ligj ka të bëjë me përforcimin e sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë përmes një regjimi të posaçëm, që vendoset për sigurinë e institucioneve, kryesisht në parandalimin e lidhjeve të mëtejshme me botën e krimit për personat që vuajnë dënimin në burgjet e sigurisë së lartë për vepra penale në veçanti të rrezikshme, duke ndihmuar kështu dhe në shkëputjen përfundimtare të tyre nga krimi. Një propozim i tillë bëhet jo vetëm për arsye të sigurisë së brendshme të institucionit, por edhe të sigurisë së jashtme.
Në të tilla raste, me kërkesën edhe te Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministri i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin në institucion ose në një pjesë të tij te aplikimit të rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë, duke parashikuar kështu një mekanizëm të ri të bashkëpunimit mes sistemit penitenciar dhe atij të mbrojtjes së rendit, si një përgjigje e përbashkët në luftën kundër kriminalitetit, siç mund të jenë veprat penale që lidhen me akte terroriste apo me organizata kriminale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
p3Ky institucion ka arsyetuar nevojën e nxjerrjes së këtij projektligji për t’ju përgjigjur nevojave reale për rritjen e sigurisë publike jashtë, përmes rritjes së sigurisë së brendshme, në burgje.
p4Projektligji parashikon, gjithashtu, vendosjen në mënyrë taksative të subjekteve që vuajnë dënimin e tyre në një burg të sigurisë së lartë, pa qenë nevoja qe të shprehet gjykata posaçërisht për këtë fakt, çka ka lënë vend për abuzime në praktikën e deritanishme.

RELACION


PËR PROJEKTLIGJIN

“PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8328, DATË 16.04.1998 “PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË PARABURGOSURVE”, I NDRYSHUAR”

I. QËLLIMI I PROJEKTAKTIT DHE OBJEKTIVAT QË SYNOHEN TË ARRIHEN
Reformimi i sistemit të trajtimit të të dënuarve është një nga prioritetet kyçe të Ministrisë së Drejtësisë në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe garantimit të të drejtave të njeriut.
Qëllimi kryesor i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar”, është:
a) përmirësimi i kushteve për trajtimin e personave të dënuar me burgim për të garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive të tyre themelore, në përputhje me aktet e Bashkimit Europian, aktet ndërkombëtare në fuqi si dhe standartet e pranuara ndërkombëtarisht, përmes futjes së nocionit të burgut me regjim të hapur.
b) përforcimi i sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë, përmes një regjimi të posaçëm, që vendoset për sigurinë e institucioneve, kryesisht në parandalimin e lidhjeve të mëtejshme me botën e krimit për personat që vuajën dënimin në burgun e sigurisë së lartë, për vepra penale në veçanti të rrezikshme, duke ndihmuar kështu dhe në shkëputjen përfundimtare të tyre nga krimi. Një propozim i tillë bëhet jo vetëm për arsye të sigurisë së brendshem të institucionit, por edhe të sigurisë së jashtme. Në të tilla raste, edhe me kërkesën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministri i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin në institucion ose në një pjesë të tij e aplikimit të rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë, duke parashikuar një mekanizëm të ri të bashkëpunimit mes sistemit penitenciar dhe atij të mbrojtjes së rendit, si një përgjigje e përbashkët në luftën kundër kriminalitetit, siç mund të jenë veprat penale që lidhen me akte terroriste apo me organizata kriminale.
c) parashikimi në mënyrë taksative i subjekteve që vuajnë dënimin e tyre në një burg të sigurisë së lartë, pa qenë nevoja të shprehet gjykata posaçërisht për këtë fakt, çka ka lënë vend për abuzime në praktikë.
Propozimi i kësaj nisme vjen si nevojë e përmbushjes së detyrimeve që vijnë nga një sërë aktesh ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë si: Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Konventa Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe të Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues, si dhe plotësimin e rekomandimeve të përditësuara mbi standardet e trajtimit në burgje të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës dhe rekomandimeve specifike të Komitetit për parandalimin e torturës. Këto rekomandime kërkojnë rritjen e garancive ligjore për parandalimin e shkeljeve të këtyre të drejtave duke vënë theksin në përmirësimin e kushteve të trajtimit për personat e dënuar.
Burgjet janë një realitet që i përkasin çdo vendi, pavarësisht nga niveli ekonomik apo zhvillimi social-politik i tij.  Burgjet përbëjnë një mozaik mjaft të larmishëm që karakterizohet nga një diversitet formash të organizimit, administrimit, godinash dhe kushteve të vuajtjes së dënimit, të cilat kanë ndryshuar në mënyrë të pandërprerë në kohë dhe hapësirë. Shqipëria ka  trashëguar nga e kaluara një sistem të ashpër burgjesh. Ajo që është e rëndësishme është zgjedhja e eksperiencave të cilat do të ishin nga shtete me demokraci të zhvilluar, duke iu përshtatur kushteve të vendit tonë.
Ligji për policinë e burgjeve e koncepton strukturën e burgjeve të ndarë në dy pjesë. Në strukturën policore e cila do të ketë si detyrë vetëm ruajtjen, sigurimin e burgjeve dhe shoqërimin e të burgosurve, si dhe struktura civile e cila do të ketë si detyrë trajnimin dhe rehabilitimin e tyre. Në burgjet me regjim të hapur, punonjësit që do të kenë për detyrë ruajtjen, sigurimin e burgjeve dhe shoqërimin e të burgosurve, do të jetë në nivele minimale. 
Ligji mbi të drejtat dhe trajtimin e të burgosurve vendos rregulla të reja mbi respektimin e të drejtave dhe trajtimin e të burgosurve, duke përcaktuar si qëllim parësor edukimin e tyre. Ky ligj bën kategorizimin e burgjeve, në burgje të sigurisë së lartë, të sigurisë së zakonshme dhe të sigurisë së ulët në institucione të veçanta. Por nisur nga nevoja për krijimin e kushteve të duhura për zbatimin me rigorozitet të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga kuadri ligjor ekzistues duke siguruar që të gjitha organet e zbatimit të ligjit të ofrojnë një trajtim njerëzor të personave me liri të kufizuar dhe shndërrimin e dënimit penal në një mundësi riedukimi, propozohet ky projektligj, nisur dhe nga nevoja për zhvillimin e një strategjie të përshtatshme për sistemin e burgjeve dhe kushtet sociale në Shqipëri, hartimin e programeve të specializuara për të rritur punësimin e të burgosurve për çdo burg duke patur parasysh kushtet e çdo institucioni.

II. VLERËSIMI I PROJEKTAKTIT NË RAPORT ME PROGRAMIN POLITIK TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ME PROGRAMIN ANALITIK TË AKTEVE DHE DOKUMENTE TË TJERA POLITIKE
Ky projektligj nuk është i parashikuar në programin analitik të projektakteve të miratuara për Ministrinë e Drejtësisë për vitin 2015. Ky projektakt propozohet në përputhje me programin politik të Këshillit të Ministrave, që parashikon se: Qeveria do të hartojë dhe zbatojë një reformë rrënjësore në sistemin e institucioneve të vuajtjes së dënimeve penale, të shoqëruar me trajnime të vazhdueshme të personelit të këtyre institucioneve dhe përmirësim të kushteve të jetesës e sidomos të kujdesit shëndetësor ndaj të dënuarve.
.
III. ARGUMENTIMI I PROJEKTAKTIT LIDHUR ME PËRPARËSITË, PROBLEMATIKAT, EFEKTET E PRITSHME
Projektligji propozohet me qëllim:
a) nxitjen dhe përmirësimin e funksionit të rehabilitimit social dhe riintegrimit për të dënuarit nga njëra anë, dhe
b) nga ana tjetër, forcimin e rendit dhe sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë.
Përmes këtij projektligji, ky funksion realizohet nëpërmjet parashikimit të një regjimi të posaçëm për të dënuarit që vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, kur vërtetohen arsye serioze që lidhen me rendin dhe sigurinë publike. Në të tilla raste, edhe me kërkesën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministri i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin në institucion ose në një pjesë të tij aplikimin e rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë. Pezullimi përfshin kufizimet e nevojshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë në institucion si dhe për të parandaluar lidhjet me jashtë të të dënuarve për këto vepra penale. Në të tilla raste, masa mund të zgjasë deri në një vit dhe mund të zgjatet në mënyrë të njëjtë për një periudhë të mëtejshme një vjeçare, kur ka dyshime të bazuara se vazhdojnë përpjekjet për të mbajtur lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë.
Nga ana tjetër, projektligji parashikon një trajtim që synon rehabilitimin social për riintegrimin e të dënuarve në jetën familjare, sociale dhe ekonomike, përmes përfshirjes në legjislacionin shqiptar të burgjeve me regjim të hapur. Kështu, kalimi i të dënuarve që përmbushin kriteret ligjore në këto institucione, do të shërbejë si një fazë parapërgatitore për çastin e lirimit të tyre. Përgatitja për riintegrim në burgjet me regjim të hapur lehtëson më pas jetën në liri.
Ky ndryshim propozohet pasi Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale zbatojnë programe të rehabilitimit social, që synojnë modifikimin e sjelljeve kriminale dhe aftësimin me shprehi sociale. Shoqëria civile gjithnjë e më shumë rekomandon që sistemi i burgjeve të hartojë programe konkrete të përgatitjes për riintegrim, që në paraburgim, duke krijuar marrëdhënie institucionale edhe me aktorë të tjerë të përfshirë në këtë proces. Kalimi më pas në regjim të hapur, mundëson riintegrimin plotësisht të të dënuarve dhe rehabilitimin  e tyre.
Një burg i hapur është një institucion penitenciar në të cilin i burgosuri kryen dënimin me mbikëqyrje dhe perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelitë e burgut. Ndërkohë që vuajnë dënimin e tyre të burgosurit kanë të drejtë të punojnë. Regjimi i burgjeve të hapura i përgjigjet një sërë problematikave që kanë të bëjnë me të dënuarit dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, si:
– Efikasiteti;
– Moderniteti;
– Ekonomizimi;
– Respektimi i të drejtave të njeriut;
– Integrimi territorial;
– Lufta kundër mbipopullimit.
Ideja është që i burgosuri del nga IEVP në mëngjes dhe shkon në vendin e punës së tij. Pas përfundimit të punës, ai menjëherë do të kthehet në institucion dhe të mbetet aty deri në mëngjesin tjetër, në qoftë se ai nuk ka leje ose pushime. Në institucion, të burgosurit mund të marrin pjesë në aktivitete të kohës së lirë, të zhvillojnë aktivitete sportive dhe të përfitojnë në trajtimin e ofruar atje. Shumicën e fundjavave i burgosuri mund t`i kalojë me familjen e tij. Të burgosurve në një burg me regjim të hapur sigurisht që do t`u duhet t`i përmbahen në mënyrë strikte rregullave të specifikuara. Konsumi i alkoolit ose kthimi me vonesë mund të çojë zhvendosjen e të burgosurit në burgje të mbyllura. Megjithatë, rregullat specifike do të përcaktohen në vetë rregulloren e brendshme te institucionit. I burgosuri vendoset me miratimin e tij në një burg me regjim të hapur kur i plotëson kushtet e veçanta për t`u vendosur në një institucion të tillë dhe ky kalim nuk nënkupton që ai t’i shpëtojë dënimit me burgim dhe as të abuzojë me mundësitë e ofruara nga burgjet e hapura për të kryer krime të tjera.
Burgjet e regjimit të hapur janë të domosdoshme për të arritur një bashkëjetesë normale, duke rritur përgjegjshmërinë e të dënuarve, për të cilët vlerësohet se dënimi që kanë përmbushur deri në çastin e kalimit të tyre në burgjet me regjim të hapur, ka përmbushur qëllimin edukues të tij. Qëllimi i regjimit të hapur është nxitja e aftësisë së intergimit social pozitiv të të dënuarve, duke i mbështetur ata dhe duke favorizuar kështu përfshirjen e tyre progresive në komunitet. Ky regjim nxit përgjegjshmërinë, integrimin, forcon lidhjet familjare dhe shoqërore të të dënuarit, sigurisht me bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet që do të ndihmojnë integrimin e tij.
Ministria e Drejtësisë përmes këtij projektligji, kërkon të hapë rrugën për krijimin e institucioneve të ezkekutimit të dënimeve penale me regjim të hapur. Pas këtij hapi, masa konkrete do të ndërmerren përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke rritur bashkëpunimin me organiziata jofitimprurëse që kanë në fokus rehabilitimin e të dënuarve si dhe me Shërbimin Kombëtar të Punës, për të mundësuar në vazhdimësi përmbushjen e së drejtës së të dënuarve në prag të lirimit për t`u trajtuar me shërbime për t`u mbështetur financiarisht në përpjekjet e tyre për gjetjen e një pune fitimprurëse të përshtatshme për cilësitë individuale dhe aftësitë profesionale.
Burgjet me regjim të hapur, në praktikën ndërkombëtare, janë cilësuar si burgje me rezultate të larta sa i përket rehabilitimit të të dënuarit dhe përmbushjes së funksionit të dënimit. Vende si Anglia, Gjermania, Holanda, Spanja, Zvicra, Luksemburgu, Polonia, etj., kanë aplikuar tashmë këtë regjim për një kategori të dënuarish, regjim ky që është vlerësuar tepër pozitiv në drejtim të të drejtave dhe lirive të personave të dënuar.
Thelbi i këtij sistemi është rehabilitimi social, vetëqeverisja, qasja në mjedisin social, dhe kostoja e ulët. Ky sistem lejon që shoqëria të rifitojë besimin në personin që ka kryer një vepër penale, pjesërisht nga rezultatet që ka treguar në vendet e tjera ky sistem dhe pjesërisht për shkak të efekteve pozitive që paraqet ky sitem tek i dënuari. Qëllimi për krijimin e burgjeve me regjim të hapur, është krijmi i institucioneve ku toleranca, mirëkuptimi, qetësia, ndërveprimi, puna dhe këshillimi do të zëvendësojnë konceptin e vjetër të dënimit me rehabilitimin social të autorëve të veprave penale, duke parandaluar kështu në mënyrë efektive recidivizmin dhe duke i përgatitur të dënuarit për jetën në liri.
Nga ana tjetër, përmes këtij projektligji, synohet t`i jepet zgjidhje ligjore një problemi me të cilin është ndeshur në praktikë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Dispozitat aktuale të ligjit nr. 8328/1998, parashikojnë se vendosja e të dënuarit në burgun e sigurisë së lartë kur nuk është shprehur gjykata me vendim, bëhet me kërkesë të prokurorit tek ajo gjykatë[…]. Sipas të dhënave të vitit 2015, në fakt rezulton se për rreth 50 të dënuar me dënime mbi 15 vjet burgim, gjykata nuk është shprehur, çka ka vështirësuar punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për vendosjen e tyre nëpër institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Në këtë drejtim, pas shqyrtimit të të dhënave statistikore nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ky projektligj synon përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të qarta për shpërndarjen e subjekteve të dënuar me burgim nëpër institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, duke garantuar njëkohësisht të drejtat dhe liritë e tyre.

IV. VLERËSIMI I LIGJSHMËRISË, KUSHTETUTSHMËRISË DHE HARMONIZIMI ME LEGJISLACIONIN NË FUQI VENDAS E NDËRKOMBËTAR
Në përputhje me nenin 26 të ligjit nr. 9000, datë 30.01.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, ministri i Drejtësisë, është autoriteti i deleguar për propozimin e këtij projektligji. Ndaj edhe nisma e propozuar, paraqitet si një iniciativë për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli i Ministrave, në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës. 

V. VLERËSIMI I SHKALLËS SË PËRAFRIMIT ME ACQUIS COMMUNAUTAIRE (PËR PROJEKTAKET NORMATIVE
Ky projektligj nuk synon përafrimin me legjislacionin komunitar, ndaj edhe nuk ka vlerësim të shkallës së përafrimit.

VI. PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË PROJEKTAKTIT
Projektligji përbëhet nga 7 nene.
Neni 1, parashikon shtimin e një dispozitë të re pas nenit 6 të ligjit. Kjo dispozitë e re, parashikon se kur vërtetohen arsye serioze që lidhen me rendin dhe sigurinë publike, edhe me kërkesën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministri i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin në institucion ose në një pjesë të tij aplikimin e rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë. Pezullimi përfshin kufizimet e nevojshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë në institucion si dhe për të parandaluar lidhjet me jashtë të të dënuarve për këto vepra penale. Në të tilla raste, masa mund të zgjasë deri në një vit dhe mund të zgjatet në mënyrë të njëjtë për një periudhë të mëtejshme një vjeçare, kur ka dyshime të bazuara se vazhdojnë përpjekjet për të mbajtur lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë. Një rregullim i tillë është vlerësuar i nevojshëm për rastet e veprave penale që lidhen me terrorizmin apo me krimin  e organizuar, ku kontrolli i lidhjeve me jashtë të të dënuarit është i domosdoshëm për parandalimin e veprave të tjera penale. Një parashikim i tillë është marrë nga modeli italian. Kështu, të dënuarit që i nënshtrohen këtij regjimi të posaçëm kufizohen brenda institucionit në qeli të posaçme, të ndarë nga pjesa tjetër e të dënuarve dhe ndaj tyre zbatohen masat e mëposhtme:
a) Masa të sigurisë së lartë të brendshme dhe të jashtme, kryesisht në lidhje me nevoja për të parandaluar kontaktet me të dënuarit e tjerë, lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë apo me persona me precedentë penalë.
b) Lejimin e një takimi në muaj, në interval kohor të përcaktuar, në ambiente që nuk lejojnë kalimin apo dhënien e sendeve gjatë takimit.
c) Lejimin e takimeve vetëm me familjarë, me përjashtim rë rrethanave të jashtëzakonshme, kur njoftimi është bërë më parë dhe me miratimin e drejtorit të institucionit.
d) Lejimin e një bisede mujore telefonike me familjarët apo bëshkëjetuesin, me kohëzgjatej maksimale dhjetë minuta, e cila mund të regjistrohet.
e) Kufizim në sendet që mund të marrë nga jashtë, sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme të institucionit.
f) Kontroll i korrespondencës, përveç asaj me subjektet e përcaktuar në nenin 43 të këtij ligji.
g) Kufizimi i kohës së shpenzuar jashtë, e cila nuk mund të kryhet në grupe prej më shumë se katër personash, nën mbikëqyrje të posaçme, për të siguruar pamundësinë absolute të komunikimit midis të burgosurve.
Rregullimet e mësipërme për takimet nuk do të zbatohen për avokatin e të dënuarit, takimet me të cilin mund të bëhen deri në tre herë në javë.
Dispozita parashikon që ndaj  Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë për pezullimin e regjimit normal të trajtimit të të dënuarit, mund të bëhet ankim në gjykatën e rrethit gjyqësor ku ndodhet institucioni brenda 10 ditëve. Ankimi nuk pezullon zbatimin e regjimit të posaçëm.
Neni 2, parashikon shtimin në nenin 12 të ligjit të konceptit të burgut të sigurisë së hapur, kuptimi i të cilit jepet në nenin 6 të projektligjit, si institucioni, në të cilin i dënuar kryen dënimin me mbikëqyrje dhe perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelitë e burgut. Ndërkohë që vuajnë dënimin e tyre, të dënuarit kanë të drejtë të punojnë.
Parimi themelor i regjimit të hapur është reduktimi në maksimum i privimit të lirisë, për të zhvilluar në mënyrë efektive kushtet e jetesës dhe ndërveprimin midis jetës në burg dhe botës së jashtme. Kjo arrihet nëpërmjet krijimit të një regjim jete sa më normal,  pa kontroll të përhershëm e të vazhdueshëm nga punonjësit e instituciooneve të ekzekutimit të dënimeve penale, me mundësi të lirisë së lëvizjes brenda dhe jashtë institucionit. Risocializimi, rehabilitimi i të dënuarve është arsyeja që justifikon aplikimin e burgjeve me regjim të hapur.
Eshtë e qartë që jo të gjithë të dënuarit mund të kualifikohen për burgjet me regjim të hapur. Projektligji parashikon që burgjet me regjim të hapur janë institucionet, ku vuhet dënimi për të dënuarit për kundërvajtje penale, për vepra penale nga pakujdesia dhe për vepra të tjera penale, dënimi i të cilave nuk i kalon 5 vjet burgim. Kualifikohen për t`u transferuar në këto burgje të dënuarit që u ka mbetur për të vuajtur më pak se 2 vjet burgim dhe kanë respektuar rregulloren e brendshme të institucionit.
Sa më sipër, kriteret për transferimin në burg të regjimit të hapur janë të njëjtat me kriteret për transferimin në burgun e sigurisë së ulët. Për pasojë, dhe për transferimin e të dënuarve në një burg të regjimit të hapur, është parashikuar që vendimi të merret nga një Komision Transferimi, dhe jo nga gjykata, siç është parashikuar për ndryshimin e klasifikimit nga institucion i sigurisë së lartë, në institucion të sigurisë së zakonshme, apo të ulët. Kjo për arsye se, për sa kohë që ka një vendim gjykate për transferimin e një të dënuari në një institucion të sigurisë së ulët, nuk është më e nevojshme investimi i gjykatës për transferimin e tij në një institucion me regjim të hapur, kur kriteret ligjore janë të njëjta dhe gjykata është shprehur një herë.
Projektligji parashikon se Komisioni i Transferimit  kryesohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe ka në përbërje:
a) tre përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, përkatësisht nga sektori ligjor; nga sektori i çështjeve shoqërore dhe nga sektori i çështjeve shëndetësore, të cilët do të mund të bëjnë një vlerësim të përgjithshëm mbi personin e dënuar, për të parë nëse mund të transferohet në një burg me regjim të hapur;
b)  drejtorin e institucionit ku vuan dënimin i dënuari, i cili ka informacionin e nevojshëm mbi sjelljen e  të dënuarit gjatë vuajtjes së dënimit;
c)  një përfaqësues nga Avokati i Popullit, duke qenë se është institucioni që i udhëhequr nga parimet e paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë ushtron veprimtarinë në mbrojtje të të drejtave dhe të lirive të njeriut, të parashikuara në dispozita kushtetuese dhe në ligje;
d) një përfaqësues nga shoqëria civile.
Rregullat për përzgjedhjen e përfaqësuesit nga shoqëria civile, organizimin, funksionimin, mënyrën e vendimmarrjes së Komisionit të transferimit do të përcaktohen në Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve.
Në ndryshim nga institucionet e tjera të ekzekutimit të vendimeve penale, burgjet me regjim të hapur karakterizohen nga mungesa e mjeteve passive represive, nga një disiplinë e pranuar nga ana e të dënuarve dhe nga puna e tyre, si dhe pjesëmarrja në aktivitete të shkollimit, trajnimit, terapeutike, dhe eventet kulturore dhe sportive, të organizuara jashtë burgut.
Për të vendosur orientimin drejt të regjimit të hapur të burgut, Komisioni i transferimit do të bazohet në:
– Qëndrimin e të dënuarit kundrejt veprës.
– Niveli i respektimit të rendit dhe disiplinës nga i dënuari.
– Qëndrimi i të dënuarit në punë.
– Karakteri i marrëdhënieve të të dënuarit me familjen e tij dhe se si ai kryen detyrimet e mirëmbajtjes.
– Sjellja e të dënuarit vis-à-vis të dënuarve të tjerë dhe personelit.
– Ndryshimet në sjelljen e të dënuarit që nga vlerësimi i fundit.
Punësimi i të dënuarve jashtë IEVP-së nuk është i pamundur. Për këtë do të ketë një plan masash, kjo në përputhje dhe me programin politik të Këshillit të Ministrave, që parashikon se: Qeveria do të hartojë dhe zbatojë një reformë rrënjësore në sistemin e institucioneve të vuajtjes së dënimeve penale.
Neni 3 i projektligjit, parashikon riformulimin e nenit 13 të ligjit, duke sanksionuar se burgu i sigurisë së lartë është institucioni ku ekzekutohen vendimet me burgim për subjekte të dënuar për krimet e parashikuara nga nenet: 77 ‘Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër’, 78 ‘Vrasja me paramendim’, 100 ‘Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur’, 101 ‘Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç’, 102 ‘Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura’, 102/a ‘Marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur’, 103 ‘Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur’, 104 ‘Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me kërcënim me përdorimin e armës’, 141 ‘Vjedhja me pasojë vdekjen’ të Kodit Penal, si dhe ku ekzekutohen vendimet me burgim për subjekte të dënuar për krimet që gjykohen nga gjykata e krimeve të rënda. Në ndryshim nga dispozita aktuale, projektligji parashikon tashmë në mënyrë taksative subjektet që vuajnë dënimin e tyre në një burg të sigurisë së lartë, pa qenë nevoja të shprehet gjykata posaçërisht për këtë fakt, çka ka lënë vend për abuzime në praktikë. Nga ana tjetër, ndryshimi i klasifikimit të sigurisë nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë në institucione të tjera të ekzekutimit të dënimit do të vazhdojë të bëhet me kërkesë të prokurorit, të dënuarit ose përfaqësuesit të tij ligjor, pranë gjykatës së rrethit gjyqësor ku ndodhet institucioni, por vetëm pasi t`i ketë kryer jo më pak se ½ e dënimit.
Neni 4 i projektligjit riformulon nenin 14 të ligjit, duke parashikuar që burgu i sigurisë së zakonshme është institucioni, ku ekzekutohen vendimet me burgim për subjekte të dënuar me burgim për subjekte të dënuar me burgim mbi 5 vjet, me përjashtim të atyre që vendosen në institucione të veçanta, në burgun e sigurisë së lartë apo në burgun e sigurisë së ulët. Në këtë dispozitë, parashikohet se edhe ndryshimi i klasifikimit të sigurisë nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme në institucione të tjera të ekzekutimit të dënimit do të bëhet me kërkesë të prokurorit, të dënuarit ose përfaqësuesit të tij ligjor, pranë gjykatës së rrethit gjyqësor ku ndodhet institucioni, pasi t`i ketë mbetur për të vuajtur jo më pak se 5 vjet burgim. Një parashikim i tillë ofron një garanci më shumë për vendosjen e të dënuarit në institucionin e duhur të ekzekutimit të dënimeve penale, duke vlerësuar në mënyrë objektive sjelljen e tij gjatë periudhës së dënimit dhe masën në të cilën dënimi i ekzekutuar ka arritur funksionin e tij rehabilitues, për të vendosur të dënuarin në një institucion të ekzekutimit të vendimit me siguri më të ulët, duke mundësuar kështu vijimin e procesit të rehabilitimit të tij me programe të posaçme.
Neni 5 i projektligjit, parashikon riformulimin e nenit 15 të ligjit, duke hequr parashikimin  aktual të dispozitës, sipas të cilës Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, me kërkesë të drejtorit të institucionit ku i dënuari po vuan dënimin, apo me nismën e vet, për të dënuarit që u ka mbetur për të vuajtur më pak se 2 vjet burgim dhe kanë respektuar rregulloren e brendshme të institucionit, mund të vendosë transferimin e tyre në një burg të sigurisë së ulët. Ky shfuqizim vjen për arsye se në nenin 4 të projektligjit, është parashikuar se ndryshimi i klasifikimit të sigurisë nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme në institucione të tjera të ekzekutimit të dënimit bëhet me kërkesë të prokurorit, të dënuarit ose përfaqësuesit të tij ligjor, pranë gjykatës së rrethit gjyqësor ku ndodhet institucioni.

VII. INSTITUCIONET DHE ORGANET QË NGARKOHEN PËR ZBATIMIN E AKTIT
Për zbatimin e këtij projektakti ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
 
VIII. MINISTRITË, INSTITUCIONET DHE SUBJEKTET E TJERA QË KANË KONTRIBUAR NË HARTIMIN E PROJEKTAKTIT
Projektligji i është përcjellë për mendim gjatë fazës së parë të konsultimit ministrive të linjës, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Avokatit të Popullit. Në vijim të komenteve të ardhura, projektligji është ripunuar dhe do t`i nënshtrohet fazës së dytë të konsultimit.
Në nismën e ndërmarrë, janë mbajtur në konsideratë pikërisht të dhënat statistikore të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, nga analizimi i të cilave është parë se persona të dënuar për vepra penale të rënda, vujanë dënimin në institucione të ekzekutimit të dënimit penal të sigurisë së zakonshme, për shkak se gjykata nuk është shprehur në vendim për vendosjen e tyre në një institucion të sigurisë së lartë.

IX. RAPORTI I VLERËSIMIT TË TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMEVE BUXHETORE
Efektet financiare të këtij projektligji do të përballohen nga buxheti i akorduar Ministrisë së Drejtësisë. Hapja e burgjeve me regjim të hapur, në vijimësi do të ndikojë pozitivisht në buxhetin e shtetit. Për shkak të natyrës së veçantë të këtyre institucioneve, nevoja për burime njerëzore është minimale në këto lloj institucionesh. Regjimi i burgjeve të hapura i përgjigjet një sërë problematikash që kanë të bëjnë efikasitetin e dënimit, dhe ekonomizimin e shpenzimeve nga buxheti i shtetit për të dënuarit që vuajnë dënimet në institucionet e tjera të ekzekutimit të vendimeve penale.


M I N I S T R I
NASIP NAÇO

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY