DEBATI I PLOTË NË ASAMBLENË E PS/ Ben Blushi, ilaçet e Taulant...

DEBATI I PLOTË NË ASAMBLENË E PS/ Ben Blushi, ilaçet e Taulant Ballës dhe X6” si vlerë e vetme e Sadri Abazit

65
0
Shares

Sa më shumë Sadri Abazi dhe Taulant Balla bëjnë të zellshmin, aq më shumë injorohen dhe shpërfillen nga Ben Blushi.
Kështu ka ndodhur edhe dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS. Ishin deputetët Abazi e Balla që tentuan “ti mbanin ison” kryetarit Rama, por që pas nga një batute për secilin prej Blushit, ata “nuk u ndjenë më”.
“Nuk do të të dëgjojmë ty gjithë kohën”, ishte “ndërhyrja” në Asamble e Sadri Abazit, duke ju drejtuar Ben Blushit, në kohën që ky ishte duke diskutuar për disa probleme partie.
“Sadri, ti thuaj çfarë të duash se me ty nuk merrem. Të hipësh në ‘X6’ me kondicioner dhe të shkosh në shtëpi është e vetmja cilësi që të bën anëtar të Asamblesë Kombëtare”, ju përgjigj Blushi, pas së cilës Abazi preferoi të heshtte.
Edhe Taulant Ballës “nuk i rrihej”.
“Mark Frroku nuk është deputet i PS-së. Po gënjen”, ndërhyri ai në mes të diskutimit të Ben Blushit.
“ E di, Taulant, po qetësohu se nuk ka ardhur ora të pish ilaçet”, u përgjigj Blushi, që e bëri Taulant Ballën që vetëm në përfundim të Asamblesë të kuptohej për të folur më, por këtë herë, jo në prezencë të Ben Blushit…, por para kamerave.
Këta dy deputetë, pavarësisht se nga një fjali thonë, duke besuar se sulmojnë Blushin, mbeten më “të guximshmit”.
Disa javë më parë, kur Ben Blushi fliste për “kanabistë e krenaristë”, ende mbahet mend reagimi i Sadri Abazit, sipas të cilit “Blushi është i vogël për të thënë gjëra të mëdha. Ai paguhet për përfaqësimin e elektoratit, por bën zhurmuesin dhe lojën e Berishës”, duke pasur me sigur në mendje filmin “Beni ecën vetë”.
Edhe  Taulant Balla, për hir të vërtetës, reagoi disa javë më parë, por sërish pas Sadri Abazit, sikurse edhe dje. Me reagimin e tij të disa javëve më parë, ai bëri indiferentin e mospërfillësin kur deklaronte se “Nuk kam kohë të humbas me shkrimet. Duhet ndonjë për hudhër…”. Ndërsa që prej dje nuk duket aq indiferentë…, por ende nuk gjen dot batutën e dytë të radhës, për të artikuluar pas asaj të Ben Blushit.

Debati i plotë në Asamblenë Kombëtare të PS


Ben Blushi pas fjalës së Ramës: Siç e tha dhe kryetari, Partia Socialiste është shthurur, edhe pse ka arritur fitore në zgjedhje. Kjo mbledhje është gjithë paradokse. Si mund të hapim fushatë zgjedhore në parti, ku do të zgjidhet që nga kryetari më i thjeshtë i organizatës socialiste e deri te kjo asamble, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste vijon mandatin e tij pa u zgjedhur? Ke shkelur statutin, pasi prej dy vitesh qëndron në krye të PS-së pa mandat dhe nuk lejon zgjedhjet. Ke bllokuar zgjedhjet në PS për kryetarin. Ti je administrator. Vetëm pronarët e monarkët nuk zgjidhen. Ne jemi partia më unike në planet që nuk zgjedhim kryetarin.
Edi Rama: Nuk është nevoja të ngremë zërin dhe të bërtasim për gjysmë të vërtetat e tua. Ne sapo dolëm nga zgjedhjet në 2013-n dhe dolëm fitimtarë, morëm pushtetin. Edhe statuti e përmban që kryetari i partisë, kur partia fiton zgjedhjet, zgjidhet kryeministër. Pra, ishte një konfirmim i mandatit të kryetarit jo vetëm nga anëtarësia e partisë, por edhe më gjerë, nga elektorati. Nuk kishim luksin që të hynim në një fushatë zgjedhore në parti, me shpenzime të tepërta, kur anëtarët e PS-së sapo kishin dhënë votën në fletën e votimit për PS-në dhe kryetarin e saj. Megjithatë e kam thënë që ne do të ndjekim shembullin e partive më demokratike, siç është ajo laburiste.
Ben Blushi: Nuk duhet të fshihesh pas shembujve botërorë, sepse ne nuk jemi laburistë. Që të bëhemi si laburistët, ne duhet të zbatojmë ato që kemi shkruar vetë dhe i kemi votuar vetë në statut. Duhet të zhvillosh zgjedhje. Meqenëse po më sjell si shembull laburistët, po të them që edhe miku yt, Toni Bler, u largua nga drejtimi i partisë, duke ia lënë vendin Gordon Braunit, edhe pse kishte fituar zgjedhjet. E njëjta histori edhe me Margaret Theçer, e cila u largua nga drejtimi i partisë pas fitores së zgjedhjeve të përgjithshme. Në ditët tona, shembulli na vjen nga Gjermania. Kancelarja Merkel u zgjodh në krye të partisë së saj përmes votimit, pavarësisht se i kishte fituar zgjedhjet.
Edi Rama: Turp të kesh që vjen në asamble për të sulmuar kryetarin e partisë dhe partinë. Ti e ke braktisur betejën e PS-së. Kur të tjerët luftonin për vota, në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, ti luftoje kundër PS-së.
Ben Blushi: Kush të ketë turp?! Tërhiqe mbrapsht atë që the! Unë s’po kërkoj ndonjë tender! As ndonjë legalizim! As ndonjë vend pune! As të nxjerrësh njeri nga burgu, se ti me këto kërkesa je mësuar dhe i plotëson! Unë po kërkoj vetëm zgjedhje! A mund të ketë njeri turp kur kërkon zgjedhje?! Në 50 vjet janë futur 5000 veta në burg se kërkonin zgjedhje dhe unë jam krenar që kërkoj diçka për të cilën ky vend ka vuajtur? I bëj thirrje dinjitetit tuaj që të votoni për zgjedhjet në parti! A keni dinjitet, apo vetëm vende pune? Si mund të pranosh, Servet, që PS-ja të mos zgjedhë kryetarin? Po ti, Gramoz? Po ti, Namik? Po ti, Elisa, që të kam dëgjuar shpesh të flasësh për demokracinë? Po ti, Mirela, përkthyesja e letërsisë, në çfarë partie ke ardhur? Në një parti që nuk bën zgjedhje?!
Sadri Abazi: Nuk do të të dëgjojmë ty gjithë kohën.
Ben Blushi: Sadri, ti thuaj çfarë të duash se me ty nuk merrem. Të hipësh në “X6” me kondicioner dhe të shkosh në shtëpi është e vetmja cilësi që të bën anëtar të Asamblesë Kombëtare.
Edi Rama: Ulu, pse duhet të flasësh kaq shumë, do të flasin edhe të tjerët. Ulu se po djersin.
Ben Blushi:  Po duhet të kem turp se po djersitem. Shko rregullo kondicionerin e sallës!
Gramoz Ruçi: Kongresi i janarit do të miratojë ndryshimet në statut që do të prekin edhe këtë pikë që Beni përmend.
Ben Blushi: Duhej të ishte shkruar në projektvendimet e kësaj asambleje që në kongres do të zgjidhet edhe kryetari.
Gramoz Ruçi: Këtë po të thosha, o Blush. Edhe sot mund ta shtojmë një fjali, që në kongres, përveç zgjedhjes së Asamblesë Kombëtare, do të zgjidhet edhe kryetari.
Ben Blushi: Por nuk është vetëm statuti i partisë që është shkelur. Është ekonomia, plaga jonë më e madhe, plaga më e madhe e qeverisë. U premtuam shqiptarëve se do t’i çlironim nga mjerimi, sidomos shtresat e varfra. Të varfrit janë bërë më të varfër dhe të pasurit më të pasur. Politika e taksave ka dështuar, sepse nuk arritëm të zbusnim varfërinë te shqiptarët, prandaj kemi numrin rekord të azilantëve. I vetmi sukses i ekonomisë sonë është rritja e borxhit mbi 70%. Ne kemi marrë borxh për të shlyer borxhin, atë që kemi kritikuar te qeveria e Berishës.
Edi Rama: Më mirë mos u merr me ekonominë, se nuk je ekonomist dhe humbet pa e kuptuar.
Ben Blushi: Unë flas mbi bazën e atyre që kemi premtuar në fushatë para gjithë shqiptarëve në 2013-n dhe nuk jemi kurrkund me mbajtjen e këtyre premtimeve, përkundrazi. Kjo nuk kërkon shumë cilësi prej ekonomisti, ti si kryeministër duhet të kesh aftësi më shumë për t’i lexuar. Po ju kërkoj ta legalizojm

ë 
këtë shthurje statutore siç tha Rama.
Edi Rama: Mos më cito gabim, se nuk e thashë.
Ben Blushi: E the, po mos më ndërprit. Te dhashë të drejtë, sepse vërtet është shthurje statutore.
Edi Rama: Mos më cito keq, nuk e thashë.
Ben Blushi: E the, por qetësohu të ta shpjegoj. Ja, për shembull, kush e di se kush është kush në këtë asamble. Koço Kokëdhima, për shembull, është anëtar i asamblesë pa qenë anëtar partie. (Ngrihet në këmbë deputeti Kokëdhima)
Ben Blushi: Ulu, Koço, s’ka problem. Pra, po thosha se jo çdo deputet mund të jetë anëtar i asamblesë nëse nuk është anëtar i PS-së. Se kështu del që dhe Mark Frroku mund të jetë anëtar i asamblesë.
Taulant Balla: Mark Frroku nuk është deputet i PS-së. Po gënjen.
Ben Blushi: E di, Taulant, po qetësohu se nuk ka ardhur ora të pish ilaçet.
Servet Pëllumbi: Partia duhet të bëhet më vitale, të mos mbetet pjesë e historisë dhe qeveria të mbështetet më shumë tek partia. Përvojat botërore po tregojnë se partitë po funksionojnë në formën e lëvizjeve dhe ne këtë duhet të arrijmë. Por që të arrihet kjo, duhet të bëjmë të interesuar çdo anëtar partie që ai të ketë peshë në vendimmarrjet e partisë dhe të mos jetë një anëtar fiktiv që voton çfarë i kërkojnë nga lart. Sa i takon zgjedhjes së kryetarit, nuk besoj se vetë kryetari do të anashkalojë këtë. Në kongres do të gjejmë modalitetet statutore për ta realizuar këtë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY